in

Jehona e reformës në Itali. ANSA: “Revolucion në Drejtësi”

Agjencia italiane e shtypit: “Presion i BE-së dhe ShBA-së, votohet në unanimitet reforma në Drejtësi

Romë, 22 korrik 2016 – “Këtë natë, Parlamenti shqiptar votoi njëzëri, me 140 vota në favor të të gjithë 140 deputetëve të tij, një nga reformat më të thella dhe më të rëndësishme të ndërmarra ndonjëherë gjatë këtyre 26 viteve demokraci, atë të sistemit të drejtësisë”, përcjell mëngjesin e sotëm agjencia italiane e lajmeve, ANSA, të renë më të fundit nga politika e Tiranës.

”Duke modifikuar rreth gjysmën e Kushtetutës së saj, Shqipëria i hap rrugën një ndryshimi radikal të strukturës së brendshme të magjistraturës, që do të shembet për të ndërtuar një sistem të ri”, thekson ANSA.

”Përveç institucioneve të reja, reforma parashikon një proces ‘pastrimi’ në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët do të jenë nën një verfikim të imët dhe nën një kontroll të pasurive dhe të aktiviteteve profesionale. Një operacion që i është besuar një grupi ekspertësh ndërkombëtarë, evropianë dhe amerikanë”, shton ajo.

”Miratimi i reformës ishte frut i një presioni të madh ndërkombëtar nga nivelet më të larta institucionale të Brukselit dhe Uashingtonit, që sponsorizuan gjithë procesin përgjatë 20 muajve”.

Më tej ANSA citon kryeministrin e vendit, Rama, sipas të cilit me votimin e reformës u hap “kapitulli i revolucionit të sistemit gjyqësor që do të fshijë gjyqtarët e korruptuar”, dhe kreun e opozitës, Basha, që u shpreh se “kjo është një fitore e qytetarëve shqiptarë për një drejtësi që të jetë në shërbim të tyre”.

Lidhur me rëndësinë e reformës në planin ndërkombëtar për Shqipërinë, ANSA kujton se tani, “Tirana shpreson të marrë vjeshtën e ardhshme rekomandimin nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave të anëtarësimit”.

 

Reforma në Drejtësi. Konsensus absolut në Kuvend, miratohet me 140 vota

Reforma në drejtësi. BE: “Politika tregoi pjekuri që e miratoi, tani ta zbatojë”