Jetoj në Itali me leje qëndrimi dhe më erdhi gruaja për të më ndenjur ca kohë pranë. Ka mbetur shtatzënë e dua të di nëse mund të marrë edhe ajo lejen e qëndrimit e të jetojmë bashkë?
Në rastin konkret mund të zgjidhen dy rrugë.
1- Bashkëshortja e ardhur në Itali për turizëm, duke qenë se është shtatzënë, mund të kërkojë lejen e qëndrimit për kura mjekësore drejtpërdrejt në Kuesturë, duke i bashkangjitur kërkesës certifikatën mjekësore të lëshuar nga një strukturë publike që dëshmon shtatzëninë. Kuestura lëshon në këto raste leje qëndrimi deri në mbushjen e moshës gjashtëmujore të foshnjës që lind. Me të marrë këtë leje qëndrimi, mund të paraqitet kërkesa për kohezion familjar, për të konvertuar lejen për kura mjekësore në leje për motive familjare.
Ministria e Brendshme – me një qarkore të 5 shkurtit 2009, për t’iu përgjigjur Kuesturës së Romës – ka saktësuar që edhe shtetasit e huaj, titullarë të një lejeje për kura mjekësore të lëshuar bazuar mbi normat ligjore që ndalojnë dëbimin e grave shtatzëna (dhe që shtrin ndalimin e dëbimit edhe për bashkëshortin bashkëjetues), mund të kërkojnë konvertimin në leje qëndrimi për motive familjare nëse përmbushin të gjitha kriteret e parashikuara nga ligji. Që janë: leja e qëndrimit e kërkuesit dhe plotësimi nga anë e atij që me të cilin bën kohezionin familjar e të gjitha kritereve të parashikuara për bashkimin familjar.
2- Bashkëshortja juaj ka edhe një tjetër mundësi. Ajo mund të kërkojë drejtpërdrejt lejeqëndrim për kohezionin familjar brenda një viti nga skadimi i “lejes së qëndrimit” për turizëm. Në të vërtetë aktualisht, ligji në fuqi parashikon që për qëndrimet deri në tre muaj të mos kërkohet leja e qëndrimit, por gjithsesi ekziston detyrimi i deklarimit të pranisë në territorin italian. Në të tilla raste, për konvertimin e motiveve të qëndrimit (pra për të marrë lejen e qëndrimit për motive familjare) merret parasysh skadimi i qëndrimit tremujor në territorin italian i llogaritur nga vula në kufi (nëse gruaja ka ardhur drejtpërdrejt nga Shqipëria) apo nga kopja e deklarimit të pranisë e lëshuar nga Kuestura brenda 8 ditëve nga shkelja në territorin italian (në rast se ajo ka hyrë në Itali nga një tjetër vend evropian). Nëse kërkohet kohezioni familjar, ju që jetoni rregullisht në Itali duhet të plotësoni të gjitha kriteret (shtëpi të pështatshme, të ardhura të mjaftueshme) e parashikuara per bashkimin familjar.
Avv. Mascia Salvatore
Lexo edhe: Çfarë është kohezioni familjar