in

Kallëzim penal për ish konsullen në Milano, Spahia: Ka përfituar në kurriz të emigrantëve

Për një vit e gjysmë, Konsullata e Shqipërisë në Milano ishte e vetmja që detyronte shtetasit që kishin nevojë për shërbimet  e saj të paguan një shumë ekstra deri në 30 euro. Problemi i ngritur nga Shqiptariiitalise.com që kur nisi ky shërbim, sot merr një përgjigje: ishte i paligjshëm dhe për këtë arsye Ministria e Jashtme kallëzon penalisht ish konsullen e përgjithshme Nausika Spahia

Nausika Spahia
Ministria e Jashtme paraqet kallëzim penal për Nausika Spahian. Në mars të vitit 2012, kur ishte konsulle e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, vendosi të vërë shërbimin me pagesë të marrjes së takimit. Plot 15 euro, në kurriz të emigrantëve, qoftë për paraqitjen e kërkesave, pasaporta e certifikata, qoftë për tërheqjen e tyre.

Bota Shqiptare ishte e vetmja media që ka ndjekur këtë çështje, duke e quajtur shërbimin telefonik me pagesë “Taksa-shtesë e Republikës Autonome të Konsullatës Shqiptare në Milano”. Redaksia i ka kërkuar menjëherë shpjegime vetë konsulles, ambasadorit të asaj kohe Llesh Kolës, ndërsa ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto iu kërkua tekstualisht që të hiqte këtë shërbim. Spahia pohoi pa asnjë problem që “për shkak të dyndjeve” duhej paguar, një shoqëri të cilës nuk ia tregoi emrin, ambasadori Kola u duk i pafuqishëm edhe pse i jepte të drejtë redaksisë, ndërsa ministri Haxhinasto, edhe pse pohoi se “shqiptarët nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë më shumë nga ç’parashikojnë tarifat shtetërore” nuk mori asnjë masë për ndërprerjen e shërbimit me pagesë. Shërbimi u hoq vetëm me heqjen nga detyra e konsulles së përgjithshme, Nausika Spahia, tetorin e shkuar.

Sot mësohet se pikërisht lidhur me shërbimin për të cilin ngritëm zërin, më në fund Ministria e Jashtme kallëzon penalisht ish konsullen Nausika Spahia. Për abuzime financiare, shpërdorim të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe për përfitime të paligjshme në kurriz të emigrantëve. Sepse vetëm sot ministria e Jashtme konsideron të paligjshëm shërbimin telefonik që emigrantët paguan për një vit e gjysmë.

Nga parlamentari Taulant Balla mësohen disa hollësi mbi padinë që Ministria e Jashtme ka paraqitur për ish konsullen Spahia.

“Nga dokumentacioni i cili gjendet i administruar në Konsullatën e Përgjithshme të RSH-së në Milano dhe arkivin e MPJ-së rezulton që për lidhjen e kontratës me datë 02.03.2012, midis znj. Nausika Spahia në cilësinë e Konsulles së Përgjithshme të RSH-së në Milano dhe subjektit tregtar “Inter Call contact center sh.p.k”, ish Konsullja e Përgjithshme në Milano nuk ka gëzuar asnjë tagër dhe nuk ka marrë asnjë autorizim nga organet kompetente” shkruan sot Balla.

“Ish Konsullja e Përgjithshme duke tejkaluar çdo kompetencë që i njeh ligji vendos veton e saj dhe lidh një kontratë e cila përveçse është në kundërshtim të hapur me aktet ligjore dhe nënligjore, përveçse është në kundërshtim të hapur me Kodin e Procedurave Administrative bie ndesh me të drejtën themelore të shtetasve shqiptarë, atë që u garantohet me Kushtetutë: mbrojtja e interesave të tyre jashtë territorit të RSH-së” vazhdon ai.

Sipas parlamentarit, Spahia akuzohet për:
1. Veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit penal të RSH-së
2. Veprën penale të vjedhjes së pasurisë shtetërore, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal të RSH-së
3. Veprën penale të fshehjes së të dhënave dhe gjurmëve të veprës penale, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal të RSH-së
4. Veprën penale të pabarazisë në tendera apo ankande publike parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal të RSH-së.

K. Biçoku

Lexo edhe:
Taksa-shtesë mbi dokumentet e Republikës Autonome të Konsullatës Shqiptare në Milano
Ambasadori Kola: “Nuk përgjigjem për Milanon. Ju tregoj modelin tonë” 
Ministri i Jashtëm Haxhinasto: Do të reagojmë për shërbimin e prenotimit me pagesë në Konsullatën e Milanos 

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Ambasadori Gaiani: ATSh edhe në gjuhën italiane

Reagon ish konsullja e Milanos: “Shërbimi me pagesë me aprovimin e ministrit Haxhinasto”