Jam shqiptare e kam dy muaj që kam ardhur për turizëm, pra pa vizë. Kam gjetur një person që është i gatshëm të më punësojë si bashkëpunëtore familjare. A mund të nënshkruaj kontratën e punës e të marr më pas leje qëndrimi?
Romë, 25 shkurt 2016 – Qytetarët e huaj që vijnë në Itali për turizëm – shqiptarët, në rastin konkret, nuk kanë nevojë as për vizë – mund të qëndrojnë këtu jo më gjatë se tre muaj.
Në këto raste nuk pajisen me leje qëndrimi por kush vjen duhet të bëjë thjesht “deklarimin e pranisë në territorin italian”. Kush vjen drejtpërdrejt nga Shqipëria, duhet të kërkojë vulosjen në kufi të pasaportës. Kush hyn këtu nga vende të tjera të zonës Schengen (për shembull, nëse vjen nga Greqia), duhet të shkojë në Kuesturë e të deklarojë praninë e tij në Itali brenda 8 ditëve nga shkelja në territorin italian. Deklarata nuk është e nevojshme të bëhet në rast se qëndrohet në një hotel, pasi këta janë të detyruar t’i komunikojnë Policisë të gjithë personat që qëndrojnë aty.
Gjatë qëndrimit në Itali për turizëm, shqiptarët, si të gjithë të huajt e tjerë, nuk mund të kryejnë asnjë lloj pune. Me përfundimin e tre muajve duhet të kthehen patjetër në vendlindje, përndryshe konsiderohen të parregullt e rrezikojnë në çdo çast një dekret dëbimi. Nga ana tjetër, kush punëson një të huaj të ardhur në Itali për turizëm ndëshkohet njësoj si ai që punëson një imigrant të parregullt.
Në Itali mund të vihet për punë vetëm përmes dekreteve të flukseve, që përcaktojnë një numër të caktuar hyrjesh shqiptarësh për të cilët paraqitet kërkesë punësimi nga një sipërmarrës në Itali, me disa përjashtime të pakta figurash profesionale që mund të vijnë në Itali edhe jashtë kuotave të flukseve siç janë punonjësit e spektaklit apo drejtues të lartë, profesorë universitarë, por edhe për këta nevojitet kërkesë dhe kontratë punësimi nga Italia.
Me flukset e tanishme është e vështirë që një turist të mendojë të pajiset me leje qëndrimi. Kuotat e pakta për punë të varur jo sezonale janë shumë specifike: janë për punonjës që kanë marrë pjesë në programe formimi në vendlindje. Këto të fundit janë “projekte speciale”, të realizuara në ato vende nga Ente dhe shoqata italiane. Vetëm kush ka marrë pjesë në këto projekte mund të vijë në Itali, dhe vetëm nëse ka një ofertë pune. Në rastin konkret, është mirë të mbahet parasysh që nuk ka asnjë kuotë për bashkëpunëtore shtëpiake.
As 13 mijë hyrjet për punë sezonale nuk mund të përdoren “për t’u legalizuar” apo që turisti të pajiset me leje qëndrimi për të jetuar për një periudhë relativisht të gjatë në Itali. Para të gjithash, janë hyrje për kohë të përcaktuar: me autorizim për punë sezonale vjen në Itali, por vetëm për disa muaj, aq sa zgjat kontrata sezonale, e më pas duhet të kthehesh në vendlindje, përndryshe kthehesh në klandestin. Për më tepër, kontrollet mbi punëdhënësit (tipi i ndërmarrjes, xhiroja vjetore, punonjësit e tjerë të punësuar) janë të tilla që nuk lënë vend për kërkesa “të rreme” ose që sidoqoftë nuk mund të garantojnë një punësim efektiv.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)