in

Kam humbur vendin e punës. A mund të kërkoj kompensim për papunësinë?

Jam i huaj me leje qëndrimi për punë të varur. Kam punuar për tre vjet në Itali e tani më kanë nxjerrë nga puna. A mund të kërkoj kompensim për papunësinë?

I huaji që pushohet nga punë, nëse përmbush kushtet e parashikuara me ligj, ka të drejtë për një shumë në mbështetje të të ardhurave që quhet kompensim papunësie. Ky kompensim ka për qëllim të mbrojë punonjësin në çaste të caktuara të jetës së tij profesionale, duke i siguruar ndihmë ekonomike që zëvendëson të ardhurat nga puna. Kompensimi për papunësinë mund të jetë “i zakonshëm” apo “me kushte të reduktuara”.

Kompensimi “i zakonshëm” për papunësinë
Praktikisht është një shumë në para që u takon punonjësve të varur të siguruar për papunësinë që nuk varet nga vetë punonjësi, i cili papritur gjendet i papunë, pra pa rrogë, për këto motive: licencim, pezullim për mungesë pune, skadim të kontratës. Nuk kanë të drejtë për kompensim ata që vullnetarisht heqin dorë nga puna, me përjashtim të grave me leje lindjeje dhe të punonjësve që japin dorëheqjen për motive të drejta (mosdhënie e rrogës, ngacmime seksuale, modifikim me përkeqësim i detyrave të punës, mobbing).
Kompensimi jepet qoftë në rastin e marrëdhënies së punës së kufizuar në kohë, qoftë për marrëdhëniet e punës me kontratë të pakufizuar në kohë.
Për të nisur kërkesën e kompensimit, kriteri bazë është që i interesuari të ketë deklaruar në Qendrën për Punësimin “gatishmërinë e menjëhershme për të filluar punë”.
Për sa u përket shtetasve të huaj, ata duhet të kenë leje qëndrimi (edhe në fazë përtëritjeje) që u lejon të kryejnë punë të varur jo sezonale.

Kriteret
Për të marrë kompensimin e zakonshëm është e nevojshme që punonjësi të përmbushë këto kritere:
– të ketë paguar, të paktën dy vjet përpara datës së ndërprerjes së marrëdhënies së punës, një kontribut INPS për papunësinë e pavarur nga punonjësi;
– të ketë të paktën një vit kontribute (të barabartë me të paktën 52 kontribute javore) në dyvjeçarin që paraprin datën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës;
– të jetë i aftë për punë;
– të jetë i gatshëm për punë. I interesuari duhet të ketë deklaruar në Qendrën për Punësimin “gatishmërinë e menjëhershme për të filluar punë”.

Kërkesa
Kërkesa, paraqitet brenda 68 ditëve nga pushimi nga puna në formularët e posaçëm të INPS-it. Kërkesa paraqitet on line duke u futur në portalin e institutit të sigurimeve shoqërore www.inps.it, ose duke kontaktuar call center të INPS-it në numrin 803164. Në këto raste nevojitet që i interesuari të ketë kodin PIN personal, që duhet të kërkohet e më pas të lëshohet nga instituti. Pa kodin PIN kërkesa nuk mund të niset.
Përcjellja e kërkesës mund të bëhet edhe përmes patronateve dhe CAF (qendra të asistencës fiskale) të autorizuara.
Kërkesa mund të pranohet ose jo. Në rast se kërkesa për të marrë kompensim papunësie hidhet poshtë, i interesuari mund t’i paraqesë ankimim, brenda 90 ditëve nga data e marrjes së letrës me të cilën i njoftohet hedhja poshtë e kërkesës.
Ankimimi mund të bëhet pranë sporteleve të Inps-it, apo të paraqitet përmes një prej Patronateve të njohura me ligj apo një avokati ekspert në çështje pune.

Shuma
Kompensimi i zakonshëm është sa 60% e rrogës mujore bruto për gjashtë muajt e parë, sa 50% për muajin e shtatë dhe të tetë dhe sa 40% për muajt në vazhdim.

Kohëzgjatja
Kohëzgjatja e dhënies së kompensimit të papunësisë është 8 muaj për punonjësit me moshë deri në 50 vjeç dhe 12 për ata që kanë moshë mbi 50 vjeç.
Punonjësve të pezulluar u takon, për të shumtën, 65 ditë.

Humbja e të drejtës së kompensimit
Pagesa e kompensimit të papunësisë ndërpritet kur punonjësi:
– ka marrë kompensimin për të gjitha ditët e parashikuara;
– nis një punë të re për një periudhë më të gjatë se 5 ditë të njëpasnjëshme;
– nis të marrë pension (pension për vjetërsi në punë, për mbushjen e moshës);
– hiqet nga listat e të papunëve.

Kompensimi i papunësisë me kushte të reduktuara
Ky kompensim është një shumë në mbështetje e të ardhurave që u takon punonjësve që, pasi kanë kryer një punë të varur për një periudhë të kufizuar, nuk kanë 52 kontribute javore gjatë dy vjetëve të fundit por që kanë punuar të paktën 78 ditë gjatë vitit të fundit, përfshirë festat dhe mungesat e paguara (për sëmundje, leje lindjeje etj.).

Kushtet
Për të fituar të drejtën e kompensimit me kushte të reduktuara është e nevojshme që punonjësi të plotësojë kushtet e mëposhtme:
– të ketë të paktën dy vjet sigurime për papunësinë e pavullnetshme (pra duhet pasur të paktën një kontribut javor të paguar përpara dyvjeçarit pararendës të vitit kur kërkohet kompensimi);
– të ketë kryer punë të varur për të paktën 78 ditë në periudhën e referimit.

Kërkesa dhe shuma
Kërkesa për kompensim papunësie me kushte të reduktuara i duhet paraqitur Inps-it brenda 31 marsit të vitit pasardhës së atij kur ka pushuar marrëdhënia e punës.
Kompensimi është sa 35% e pagës ditore mesatare për 120 ditët e para dhe sa 40%, për ditët në vazhdim.
Kompensimi u takon punonjësve për periudhat e papunësisë gjatë vitit diellor pararendës dhe për një numër ditësh të barabartë me ditët e vitit pararendës kur është punuar, maksimumi deri në 180 ditë, përfshirë edhe ato që mund të jenë kompensuar me kushtet e kompensimit të zakonshëm.

Për informacione të mëtejshme këshillohet të konsultohet portali INPS www.inps.it në seksionet e posaçme, të kontaktohet call center i INPS-it në numrin 803164 ose të shkohet në një patronat apo CAF të autorizuar për përcjelljen e kërkesave të kompensimit të papunësisë.

Avv. Andrea De Rossi

 

Flukset. Nga 20 prilli mund të paraqiten kërkesat

Romë. Policia qëllon ndaj makinës e plagos një shqiptar