in

Kam marrë shtetësinë. A mund të marrin lejeqëndrim bijtë në moshë madhore?

Jam i huaj dhe pas shumë vitesh kam marrë shtetësinë italiane. Im bir, ndërkohë, është rritur e ka mbushur 18 vjeç, është rezident në Itali e jeton me mua. Tani që po i skadon leja e qëndrimit, a ka ndonjë mundësi që të vazhdojë të qëndrojë në Itali në mënyrë të rregullt?

Romë, 27 nëntor 2012 – Situata e djalit tuaj është e zgjidhshme në kuadrin e dekretit legjislativ 30 të vitit 2007 (pranimi nga anë e Italisë e Direktivës Europiane nr. 2004/38/BE) që disiplinon hyrjen dhe qëndrimin në Itali të qytetarëve komunitarë dhe të familjarëve të tyre jokomunitarë. Për këta të fundit parashikohet lëshimi i kartës së qëndrimit, por që varet nga një sërë kriteresh, mbi të gjitha, lidhja e ngushtë familjare me shtetasin komunitar.

Cilët familjarë konsiderohen

Familjarët të cilëve u njihet lëshimi i kartës së qëndrimit, sipas tekstit të ligjit (nenet 2 dhe 10 të dekretit të sipërpërmendur) janë:

– bashkëshorti rezisdent në Itali dhe bashkëjetues me shtetasin e BE-së;
– pasardhësi i drejtpërdrejtë të qytetarit të BE-së apo të bashkëshortit, me moshë deri në 21 vjeç, rezident e bashkëjetues;
– pasardhësi i drejtpërdrejtë të qytetarit të BE-së apo të bashkëshortit, me moshë mbi 21 vjeç, vetëm nëse rezident, bashkëjetues dhe në ngarkim të familjarit europian;
– paraardhësi i drejtpërdrejtë (prindi) i shtetasit europian apo i bashkëshortit, nëse është rezident bashkëjetues dhe në ngarkim.

Mes familjarëve përfshihet edhe partneri që ka me qytetarin e BE-së një lidhje të regjistruar në një shtet anëtar të BE-së, sipas legjislacionit të të cilit lidhja barasvlerësohet me martesën (Qarkorja e ministrisë së Brendshme nr. 8996 e 26 tetorit 2012).

Karta e qëndrimit për bijtë në moshë madhore të qytetarëve të BE-së

Sipas dispozitave në fuqi, bijtë jokomunitarë të qytetarit italian (apo të BE-së), mund të kërkojnë kartën e qëndrimit vetëm nëse janë deri në 21 vjeç. Me të mbushur këtë moshë, për të kërkuar të njëjtin dokument qëndrimi, përveç kushtit të bashkëjetesës, bijtë duhet të jenë edhe në ngarkim të shtetasit italian. Për t’u konsideruar në ngarkim, bijtë duhet të kenë të ardhura vjetore bruto jo më të lart se 2.840,51 euro.

Bashkëjetesa në ngarkim, mund të vetëcertifikohet nga shtetasi italian, në bazë të DPR 445 të vitit 2000. Familjari komunitar sidoqftë duhet të tregojë se ka të ardhura të përshtatshme për të marrë në ngarkim të birin.

Në rast se qytetari jokomunitar nuk përmbush kriteret për lëshimin e kartës së qëndrimit, është mirë të mbahet parasysh që teksti Unik për imigracionin parashikon që sidoqoftë nuk mund të dëbohen nga Italia jokomunitarët familjarë (deri në shkallë të dytë të lidhjes familjare) apo bashkëshorti bashkëjetues me shtetas komunitarë. Atyre u lëshohet leje qëndrimi për motive familjare.

Avv. Andrea De Rossi

Flukset. Rreth 14 mijë kuota për punonjës autonomë dhe konvertime lejeqëndrimesh

100 vjetori i pavarësisë. Ish ambasadori Withers dhe profesori Qosja, qytetarë nderi të Vlorës