in

Kam marrë shtetësinë italiane. A mund të mbaj prindërit në Itali?

Familjarët për të cilët një shtetas italian mund të kërkojë bashkimin familjar. Si veprohet

Kur një shqiptar merr shtetësinë italiane, për bashkimin familjar – ashtu si të gjithë italianët – nuk ka nevojë të kërkojë autorizim në Sportelin Unik për Imigracionin siç parashikon ligji Bossi-Fini që nuk aplikohet për këtë rast pasi është fjala për të drejta të një italiani e jo një të huaji. Në fakt, për familjarët e huaj të një shtetasi italian aplikohet dekreti legjislativ 30/2007, që bazohet në direktivën 2004/38/BE mbi lëvizjen e qëndrimin në Itali.

Por një italian, pra edhe shqiptari me shtetësi italiane, nuk mund të bëjë bashkimin familjar me cilindo kushëri që ia ka qejfi, por vetëm me bashkëshortin/en dhe të afërmit deri në gradë të dytë të vetët apo të bashkëshortit. Është mirë të sqarohet që në kategorinë “të afërmit deri në gradë të dytë” bëjnë pjesë bijtë, prindërit, gjyshërit, nipat/mbesat (bijtë e bijve, e jo bijtë e vëllait/motrës), vëllezërit/motrat. Dhe këta vetëm nëse rezultojnë në ngarkim të tij, pavarësisht të ardhurave që ka. Me konceptin “në ngarkim” nënkuptohet që italiani angazhohet me shkrim në Kuesturë që të mbajë familjarin e tij pa rënduar në arkat e shtetit.

Si veprohet

Në rastin e shqiptarëve me shtetësi italiane, kur një prej familjarëve të sipërpërmendur, për të cilin dëshirohet të bëhet bashkim familjar, është në Itali, duhet shkuar bashkë me të në Kuesturë për të paraqitur kërkesën për kartën e qëndrimit si familjar i një qytetari të BE-së.

Aty italiani nënshkruan deklaratën e marrjes në ngarkim dhe kërkesës i bashkangjit një certifikatë që dëshmon lidhjen familjare me personin po merr në ngarkim, e përkthyer në italisht dhe e legalizur. I huaji duhet të ketë me vete edhe pasaportën, ndërsa italiani, kartën e identitetit, që të gjitha në origjinal e fotokopje.

Dokumenti që i jepet familjarit të huaj

Bashkëshortit, prindërve dhe bijve në moshë madhore u lëshohet një kartë qëndrimi për pesë vjet si familjarë të një shtetasi evropian. Pas pesë vjetëve fitojnë të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Itali.

Ndërsa vëllezërve/motrave, gjyshërve apo nipave/mbesave u lëshohet një leje qëndrimi për motive familjare me kohëzgjatje një ose dy vjet, sipas kuesturave.

Bijtë e mitur

Për bijtë e mitur të një shtetasi italian, procedura është akoma më e thjeshtë. Kur ata vijnë në Itali, prindi bashkë me të shkon në zyrën qendrore të Gjendjes Civile të komunës dhe kërkon regjistrimin e tij. Paraqitet aty me një certifikatë lindjeje të fëmijës të përkthyer dhe të legalizuar, që dëshmon lidhjen prind-fëmijë, dhe me dokumentet e identitetit.

Fëmija regjistrohet drejtpërdrejt si resident i komunës në vendbanimin e prindërve dhe merr automatikisht shtetësinë italiane.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Karta e qëndrimit që u hiqet të papunëve. Për ministrinë e Brendshme çështja është mbyllur

Fëmijët e Scanderbeg Parma festuan paravësinë e Kosovës