Jam bërë qytetare italiane e kam dy fëmijë të mitur. Tani dua të bëj bashkim familjar me prindërit. Sa të ardhura duhet të kem të deklaruara? A kam të drejt të bëj bashkim familjar me vëllanë?
Nëse një i huaj merr shtetësinë italiane, për bashkimin familjar nuk ka nevojë të kërkojë nulla-osta në sportelin Unik për Imigracionin sipas ligjit Bossi-Fini. Për familjarët e huaj të një shtetasi italian aplikohet dekreti legjislativ 30/2007 që bazohet në direktivën 2004/38/CE mbi lëvizjen e qëndrimin në Itali.
Shtetasi italian mund të bëjë bashkimin familjar me të afërmit deri në gradë të dytë, bashkëshorti/ja, bijtë, prindërit, nipat/mbesat (bijtë e bijve, e jo bijtë e vëllait/motrës), gjyshërit, vëllezërit/motrat, nëse rezultojnë në ngarkim të tij, pavarësisht të ardhurave që ka. Me konceptin “në ngarkim” nënkuptohet që italiani angazhohet të mbajë familjarin e tij pa rënduar në arkat e shtetit.
Në rastin konkret, kur prindërit tuaj (apo bij, nipa, prindër, gjyshër, vëllezër) janë në Itali duhet të shkoni bashkë me ta në kuesturë për të paraqitur kërkesën për kartën e qëndrimit. Aty nënshkruani deklaratën e marrjes në ngarkim dhe kërkesës i bashkangjitni një estrakt të aktit të lindjes që merrni në komunë nga ku rezulton që personat janë vërtet prindërit (apo sidoqoftë një certifikatë që dëshmon lidhjen familjare me personin po merrni në ngarkim, e përkthyer në italisht dhe e legalizur). Prindërit duhet të kenë me vete edhe pasaportat, ndërsa ju kartën e identitetit, që të gjitha në origjinal e fotokopje.
Prindërve (por edhe bashkëshortit apo bijve) u lëshohet një kartë qëndrimi për pesë vjet si familjarë të një shtetase evropiane. Pas pesë vjetëve fitojnë të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Itali. Ndërsa vëllezërve, gjyshërve apo nipave u lëshohet një leje qëndrimi për motive familjare me kohëzgjatje një ose dy vjet, sipas kuesturave.