Shqiptarë, italianë, një maroken e një kosovar sillnin kokainë dhe e shpërndanin atë në provincën e Reggio Emilias
Romë, 19 prill 2016 – Katër të arrestuar, pesë të ndaluar të banojnë në provincën e Reggio Emilias, një i detyruar të paraqitet rregullisht te forcat e rendit. Është shpartalluar sot me një operacion të Karabinierëve të Reggio Emilias një bandë që merrej me trafikimin e shpërndarjen e drogës. Karabinierët e quajnë multietnike, pasi përbëhej nga pesë shqiptarë, tre italianë, një maroken e një kosovar. Krerët e organizatës konsiderohen një prej shqiptarëve dhe marokeni, ndërsa italianët ishin ata që shpërndanin drogën me pakicë.
Shifrat e “biznesit” të organizatës kriminale që dolën në dritë gjatë muajve të hetimeve (nga shtatori 2015) janë marramendëse: një xhiro mujore mbi 50 mijë euro në muaj, 3 mijë doza kokaine të shpërndara, vetëm në provincë. Muajt e shkuar, gjatë hetimeve, karabinierët kanë arrestuar në flagrancë edhe 6 persona të tjerë e kanë sekuestruar gjysmë kg drogë (e materiale për ndarjen e saj në doza) dhe 20 mijë euro të thata.