in

Karta blu. Rregulla të reja për punonjësit e huaj me kualifikim të lartë

Hyrje jashtë kuotave të flukseve, dhe një ‘super-lejeqëndrim’ për një kategori të gjerë profesionesh. Botohet dekreti me të cilin italia pranon normativën europiane

Romë, 26 korrik 2012 – Italia provon të tërheqë punonjës të huaj me kualifikim të lartë, duke u lehtësuar hyrjen dhe qëndrimin e duke u lëshuar një lejeqëndrim special, kartën blu, që u jep më shumë të drejta se emigrantëve të tjerë.

Është shkruar e gjitha në dekretin legjislativ “Kriteret e ardhjes dhe të qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta që duan të kryejnë punë me kualifikim të lartë” që është botuar më 24 korrik në Gazetën Zyrtare, dhe që do të hyjë në fuqi më 8 gusht. I miratuar përfundimisht nga Qeveria në qershor, më në fund përshtat ligjin italian me normativën europiane (duke pranuar me vonesë direktivën 2009/50/BE)

Teksti parashikon që punonjësit me kualifikim të lartë të hyjnë në Itali pa iu nënshtruar kuotave të flukseve. Kjo do të thotë që mund të punësohen në çdo çast të vitit, sipas nevojave të ndërmarrjeve dhe pavarësisht nëse atë vit parashikohet apo jo dekret fluksesh. Risitë aplikohen edhe për shtetasit e huaj me qëndrim të rregullt në Itali dhe që përmbushin kriteret e parashikuara nga dekreti.

Konsiderohet “punonjës me kualifikim të lartë” kush ka përmbushur në atdhe një cikël shkolle të lartë me kohëzgjatje të paktën trevjeçare dhe ka marrë kualifikimin përkatës profesional që të hyjë në nivelet 1, 2 dhe 3 të klasifikimit ISTAT të profesioneve CP 2011 (këtu gjeni listën e plotë).

Janë të shumtë punonjësit që bëjnë pjesë në këto nivele. Në të parin gjejmë për shembull, drejtues të lartë, në të dytin informaticienë, inxhinierë, mjekë, agronomë e profesorë, në të tretin një kategori të gjerë profesionesh të konsideruara “teknike”, nga llogaritarë të programatorët, nga analistët e laboratorit te asistentët socialë, nga agjentët e udhëtimit te shoqëruesit turistikë.

Por për të ardhur në Itali është gjithashtu e domosdoshme që specializimit të lartë t’i korrispondojë një rrogë e lartë. Ndërmarrjet që marrin në punë një punonjës të tillë duhet t’i garantojnë një kontratë të paktën njëvjeçare dhe një rrogë vjetore bruto që “nuk duhet të jetë më e ulët se trefishi i nivelit më të ulët të parashikuar për mospagimin e shërbimit shëndetësor”. Që me pak fjalë korrispondon në rreth 25 mijë euro.

Punëdhënësit paraqesin kërkesë punësimi në Sportelin Unik për imigracionin, që duhet të përgjigjet brenda 90 ditëve. Parashikohen procedura më të shpejta për ndërmarrjet që kanë lidhur protokolle mirëkuptimi me ministrinë e Brendshme.

Punonjësi do të ketë një lejeqëndrim special elektronik të quajtur “Karta Blu BE”, me kohëzgjatje dyvjeçare nëse kontrata e punës është me kohë të pakufizuar, apo me  kohëzgjatje sa marrëdhënia e punës plus tre muaj nëse kontrata është për kohë të kufizuar. Ky dokument do t’u japë titullarëve të drejtën e trajtimit “të barabartë me italianët”. Për dy vitet e para, do të mund të ushtrojë në Itali vetëm punë që respektojnë kushtet për të cilat i është lëshuar leja e qëndrimit, por pavarësisht nga kohëzgjatja e dokumentit i huaji mund të kërkojë menjëherë bashkimin me familjarët e tij.

Do të mund të vijnë të punojnë në Itali pa kërkuar vizë hyrjeje edhe punonjësit e huaj me kualifikim të lartë që kanë qëndruar për të paktën 18 muaj në një vend tjetër të BE-së ku kanë marrë një Kartë blu BE. Edhe kush ka marrë këtë dokument në Itali, do të mund të shkojë në një vend tjetër të BE-së  pas një viti e gjysmë, me kusht që edhe ai vend të ketë pranuar direktivën europiane.

Elvio Pasca

Shkarko: DECRETO LEGISLATIVO 28 giugno 2012, n. 108 Attuazione della direttiva 2009/50/CE sulle condizioni di ingresso e soggiorno di cittadini di Paesi terzi che intendano svolgere lavori altamente qualificati. (12G0124) (GU n. 171 del 24-7-2012 )

 

Mesazh racist në Twitter. Atletja greke nuk lejohet të marrë pjesë në Londër 2012

Francë Bie helikopteri ushtarak, gjashtë të vdekur