in

Karta e qëndrimit. Ç’tip kontrate pune duhet pasur për ta kërkuar?

Kam kontratë pune për kohë të kufizuar. Mund të paraqes kërkesë për leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë? Apo duhet të kem patjetër një kontratë pune të përhershme?

Për të kërkuar lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, e ashtuquajtura karta e qëndrimit, nuk kërkohet që i interesuari të ketë punë me kontratë të përhershme, për rrjedhojë, edhe kush ka kontratë pune për kohë të kufizuar mund të paraqesë kërkesë për të pasur këtë lloj dokumenti qëndrimi.

Drejtësia italiane në të shkuarën është shprehur disa herë në këtë drejtim duke u sqaruar Kuesturave që lëshimi i këtij dokumenti nuk varet nga ndonjë kontratë e veçantë pune, kështu që nuk mund të mos i jepet të huajit nëse i plotëson të gjitha kriteret por nuk ka kontratë pune të përhershme.

Kjo do të thotë që nëse i huaji është në marrëdhënie pune mund të paraqesë kërkesë për lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë pavarësisht nga fakti nëse ka kontratë pune me kohë të kufizuar apo të përhershme, apo nëse është punonjës i pavarur, për shembull me partita IVA. Normat në fuqi parashikojnë, madje, lëshimin e këtij dokumenti edhe nëse i interesuari është pensionist.

Për të përmbushur kriterin ekonomik të parashikuar nga ligji për aplikimin për këtë lloj dokumenti, i interesuari duhet të dëshmojë se ka të ardhura nga burime të ligjshme. Këto të ardhura duhet të jenë të vitit pararendës të atij kur paraqitet kërkesa.

Për sa i përket dokumentacionit, për vitin pararendës i interesuari mund t’i bashkangjisë kërkesës deklaratën e të ardhurave, ose modelin CU të lëshuar nga punëdhënësi. Për sa i përket vitit në vijim, i huaji mund të bashkangjisë, sipas rastit, rrogat e fundit, kontratën e punës, buletinët INPS në rastin e bashkëpunëtorëve familjarë, bilancin e përpiluar nga ekonomisti i tij nëse është fjala për një punonjës të pavarur ose dokumentin e pensionit në rastin kur kërkuesi është pensionist.

Të ardhurat vjetore minimale për lëshimin e këtij dokumenti duhet të jenë të paktën sa shuma e çekut social të vitit kur paraqitet kërkesa (€ 5.824,91 për vitin 2016). E në rast se kërkesa bëhet edhe për familjarë, të ardhurat duhet të shtohen me gjysmë çeku social për çdo person në ngarkim, njësoj sipas përllogaritjeve që bëhen për bashkimin familjar.

Së fundi, është mirë të mbahet parasysh që kush dëshiron të paraqes kërkesë për lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, duhet të jetë me leje qëndrimi në Itali prej të paktën pesë vjetëve, dhe në çastin e paraqitjes së kërkesës, leja e qëndrimit që ka në xhep duhet të jetë akoma e vlefshme.

In italiano: Carta di soggiorno. Che tipo di contratto di lavoro serve?

Maria Elena Arguello
Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Universitetet, hapen regjistrimet për testet e pranimit në fakultetet me numër të mbyllur

EURO 2016. UEFA u ndalon futbollistëve festën në fushë me fëmijët