I afërmi jokomunitar i një shtetasi komunitar me banim në Itali, tre muaj pas hyrjes në vend, mund të kërkojë “kartën e qëndrimit si i afërm i shtetasit të BE-së”, siç parashikon ligji italian i cili aplikon kështu një direktivë europiane
Me fjalën “i afërm i shtetasit të BE-së”, nënkuptohet:
bashkëshorti (burri ose gruaja);
bijtë nën moshën 21 vjeç;
bijtë në ngarkim që janë mbi 21 vjeç;
prindërit në ngarkim.
Kur mbërrihet në Itali kërkesa për kartën e qëndrimit mund të paraqitet duke shkuar drejtpërdrejt në zyrat e emigracionit të Kuesturës së zonës së rezidencës duke i bashkëngjitur kërkesës këto dokumente:
a) Dokument qëndrimi (viza e hyrjes, deklarimi i pranisë ose lejeqëndrimi) nëse kihet. Duhen paraqitur për t’u parë në origjinal dhe duhen dorëzuar dy fotokopje;
b) Pasaportë origjinale dhe fotokopje të plotë; ose një dokument i barasvlershëm dhe që të jetë i paskaduar;
c) Një dokument që të dëshmojë lidhjen familjare, si për shembull certifikata e lindjes ose ajo e martesës. Nëse dokumentet lëshohen nga një vend jo komunitar, duhet të përkthehen dhe të legalizohen nga Konsullata Italiane kompetente. Nëse dokumentet vijnë nga një vend anëtar i BE-së ai duhet të përpilohet në një modulet tri-gjuhëshe i njëjtë për vendet anëtare. Nëse dokumenti, i lëshuar nga një vend komunitar, është vetëm në gjuhën origjinale, ai duhet të shoqërohet nga deklarata e vërtetësisë e Konsullatës përkatëse në Itali dhe nga përkthimi i Zyrës së Përkthyesve të Gjykatës ose pranë Konsullatës përkatëse në Itali.
d) kërkesa e regjistrimit në zyrën e gjendjes civile të të afërmit shtetas i një vendi komunitar ose certifikatën e regjistrimit;
e) katër fotografi të personit, në format për dokumente;
f) fotokopje e dokumentit të identitetit të shtetasit të vendit komunitar;
g) nëse kihet, edhe kopje e kodit fiskal dhe të librezës shëndetësore të shtetasit jo komunitar.
Gjendja e të afërmit në ngarkim duhet të dëshmohet me dokumente që të provojnë pasjen e të ardhurave të përshtatshme nga ana e të afërmit komunitar (si për shembull deklaratën e të ardhurave, modelet CUD, Modelin 730) duke pasur si parametër çekun social që përcaktohet çdo vit. Për vitin 2010 ai është rreth 5.400 euro.
Në pritje të lëshimit të kartës së qëndrimit si i afërm i një shtetasi komunitar, personi nuk mund të punohet. Kërkuesi i kartës së qëndrimit si i afërm i një shtetasi komunitar, mund të kërkojë vetëm regjistrimin në Zyrën e Gjendjes Civile pranë Komunës ku jeton; ai duhet të paraqesë të njëjtat dokumenta të përdorura për kërkimin e kartës së qëndrimit. Në këtë rast shtetasi jokomunitar, kur të marrë kartën e qëndrimit, duhet ta paraqesë atë pranë Zyrës së Komunës, për t’u regjistruar përfundimisht në Gjendjen Civile.
Kohëzgjatja
Karta e qëndrimit vlen për pesë vjet dhe vazhdon të ketë vlerë edhe për mungesa të përkohshme nga Italia, me kusht që ato të mos i kapërcejnë gjashtë muajt në vit, ose mbi gjashtë muaj në vit në rast kryerje të shërbimit ushtarak.
Në rast arësyesh të rënda, qe duhen vërtetuar me dokumenta, si për shembull shtatzani dhe lindje, sëmundje të rënda, studime ose trajnime profesionale, apo shkëputja për arësye punë në një vend tjetër, mungesa lejohet deri në 12 muaj rresht.
E drejta e qëndrimit të përhershëm
I afërmi jokomunitar fiton të drejtën për të qëndruar pa afat nëse ka banuar pa ndërprerje në Itali së bashku me të afërmin komunitar.
Pra mund t’i kërkojë Kuesturës së zonës ku banon “Kartën e qëndrimit të përhershme për të afërmit e shtetasve europianë”.
Vdekja e të afërmit komunitar
Vdekja e të afërmit komunitar nuk sjell humbjen e të drejtës së qëndrimit të shtetasit jokomunitar që ka marrë kartën e qëndrimit me kusht që:
1) Shtetasi komunitar duhet të ketë jetuar në Itali të paktën një vit përpara vdekjes së të afërmit komunitar dhe duhet të ketë fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm.
Në rast të kundërt ka të drejtë të kërkojë lejeqëndrimin në pritje të punësimit, për punë apo studime.
2) Shtetasi jokomunitar duhet të dëshmojë se ka një punë, të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur vehten dhe ka një sigurim mjekësor.
Divorci apo prishja e martesës
Divorci apo prishja e martesës më shtetasin komunitar nuk sjell humbjen e kartës së qëndrimit vetëm nëse verifikohet një nga këto fakte:
1) Bashkëshorti/ja jokomunitare ka fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm.
2) Martesa ka zgjatur të paktën 3 vjet, ndër të cilët të paktën një vit në territorin italian
3) Bashkëshorti/ja jokomunitare ka fëmijët nën kujdes ose ka të drejtën e vizitës nëse këta ia janë besuar bashkëshortit/es komunitar.
4) Shtetasi jokomunitar ka qenë viktimë e shkeljeve të kryera nga bashkëshorti/ja komunitar e për këtë të jetë hapur një procedim penal kundër tij/saj.
Nëse nuk ekziston një prej këtyre kushteve, shtetasi jokomunitar nuk ka të drejtë të mbajë kartën e qëndrimit, por mund të kërkojë konvertimin e saj në lejeqëndrim në pritje të punësimit, për punë apo studime.