Të ardhurat janë shumë të rëndësishme për të pasur të bekuarin lejeqëndrimin BE për qëndrues afatgjatë. Ja shumat e reja të vlefshme këtë vit për ta kërkuar për vete e familjarët
Romë, 1 shkurt 2017 – Lejeqëndrimi BE për qëndrues afatgjatë, që vazhdojmë të quajmë kartë qëndrimi, është dokumenti më i ëndërruar nga emigrantët pasi u jep të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Itali dhe u jep mbajtësve një sërë të drejtash njësoj si italianët në disa ronte, nga përfitimi i shërbimeve sociale deri te punësimi në administratë publike.
Ndër kriteret bazë që duhen përmbushur për ta kërkuar, është lejeqëndrim prej pesë vjetësh, strehim i përshtatshëm dhe të ardhura të mjaftueshme. Për të përmbushur kriterin e fundit, i interesuari duhet të ketë të ardhura vjetore jo më të ulëta se shuma e çekut social për vitin kur paraqet kërkesën. Kjo parashikohet nga neni 9, paragrafi 1 i dekretit legjislativ 286/98.
E për përmbushjen e kriterit të të ardhurave llogariten edhe ato që vijnë nga pensione të mundshme (ai i invaliditetit për shembull), ndaj duhen shënuar.
Në rast se kërkesa për kartën e qëndrimit bëhet edhe për familjarë bashkëjetues, të ardhurat e kërkuara rriten në përpjestim me numrin e familjarëve që deklarohen në ngarkim. Është e mundur që të shumohen e të llogariten së bashku të ardhurat e të gjithë familjarëve bashkëjetues e me qëndrim të rregullt në Itali. Llogaritja që duhet bërë është e njëjtë me atë për bashkimet familjare (në përgjithësi, gjysmë çeku social shtesë për çdo familjar). Nëse kërkohet karta e qëndrimit për vete e dy apo më shumë bij nën 14 vjeç, të ardhurat e kërkuara janë sa dyfishi i çekut social.
Për vitin 2017, shuma e çekut social mbeti sa ç’ishte vitin e shkuar: 5.824,91 euro. Kështu që të ardhurat minimale vjetore që duhen pasur për të kërkuar kartën e qëndrimit për vete janë pikërisht 5.824,91 euro.
Nëse e kërkon edhe për familjarë të tjerë, shumat minimale të të ardhurave vjetore duhet të jenë si më poshtë:
Bashkim me 1 familjar: 8.737,36 €
Bashkim me 2 familjarë: 11.649,82 €
Bashkim me 3 familjarë: 14.562,27 €
Bashkim me 4 familjarë: 17.474,73 €
Bashkim me 2 apo më shumë bij të mitur nën 14 vjeç: 11.649,82 €
Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 1 tjetër familjar: 14.562,27 €
Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 2 familjarë të tjerë: 17.474,73 €.