in

Karta e qëndrimit. Të ardhurat që duhen pasur për ta kërkuar për vete e familjarët

Të ardhurat minimale për të marrë lejeqëndrimin BE për qëndrues afatgjatë ndryshojnë nga viti në vit, sipas çekut social. Ja shumat e reja për këtë vit

 

Romë, 18 shkurt 2016 – Lejeqëndrim prej pesë vjetësh, strehim e të ardhura të mjaftueshme. Janë këto tre kriteret bazë për lëshimin e lejeqëndrimit BE për qëndrues afatgjatë, atë që vazhdojmë të quajmë kartë qëndrimi. Është dokumenti më i ëndërruar për emigrantët pasi jep të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Itali.

Pavarësisht nga lloji i punës (e varur apo autonome), për të përmbushur kriterin e të ardhurave të nevojshme, i interesuari duhet të ketë të ardhura vjetore jo më të ulëta se shuma e çekut social për vitin kur paraqet kërkesën. Kjo parashikohet nga neni 9, paragrafi 1 i dekretit legjislativ 286/98.
E për përmbushjen e kriterit të të ardhurave llogariten edhe ato që vijnë nga pensione të mundshme (ai i invaliditetit për shembull), ndaj duhen shënuar.

Në rast se kërkesa për kartën e qëndrimit bëhet edhe për familjarë bashkëjetues, të ardhurat e kërkuara rriten në përpjestim me numrin e familjarëve që deklarohen në ngarkim. Është e mundur që të shumohen e të llogariten së bashku të ardhurat e të gjithë familjarëve bashkëjetues e me qëndrim të rregullt në Itali. Llogaritja që duhet bërë është e njëjtë me atë për bashkimet familjare (në përgjithësi, gjysmë çeku social shtesë për çdo familjar). Nëse kërkohet karta e qëndrimit për vete e dy apo më shumë bij nën 14 vjeç, të ardhurat e kërkuara janë sa dyfishi i çekut social.

Për vitin 2016, çeku social është 5.824,91 euro. Kështu që të ardhurat minimale vjetore që duhen zotëruar për të kërkuar kartën e qëndrimit për vete janë pikërisht 5.824,91 euro.

Nëse e kërkon edhe për familjarë të tjerë, shumat minimale të të ardhurave vjetore duhet të jenë si më poshtë:

Bashkim me 1 familjar: 8.737,36 €
Bashkim me 2 familjarë: 11.649,82
Bashkim me 3 familjarë: 14.562,27 €
Bashkim me 4 familjarë: 17.474,73 €
Bashkim me 2 apo më shumë bij të mitur nën 14 vjeç: 11.649,82 €
Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 1 tjetër familjar: 14.562,27 €
Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 2 familjarë të tjerë: 17.474,73 €

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Shoqata Scanderbeg e Parmës feston përvjetorin e pavarësisë e Kosovës

Anila Bitri, ambasadorja e re e Shqipërisë në Itali