in

Klandestinët në Itali, skllevërit modernë

Bregdeti italian është vendmbërritje e preferuar i bandave të kontrabandistëve. Roja bregdetare italiane i shpëton sa mundet klandestinët nga mbytja, ndërkohë që vendet jugore evropiane i kthejnë ata andej nga kanë ardhur.
K. Hausen / L. Arapi, Deutsche Welle

Fluksi i refugjatëve nga Afrika e Veriut përmes Detit Mesdhe në Evropën Jugore nuk ka të ndalur. Me gomone të papërshtatshme për daljen në det të hapur, qindra vetë rrezikojnë çdo javë jetën në kërkim të një ekzistence me dinjitet në Evropë. Bregdeti i Italisë është objektivi i tyre, sepse roja bregdetare italiane ofron ndihmë dhe i lejon klandestinët të futen në tokën italiane. Një gjë e tillë nuk ndodh në shtetet e tjera të Evropës Jugore. Malta i kthen rregullisht gomonet andej nga kanë ardhur, nuk reagon ndaj thirrjeve SOS dhe fajëson kapitenët afrikanë të anijeve me mallra për kontrabandë, për shkak se ata pranojnë në bord klandestinë në rrezik jete. Edhe Greqia e Spanja nuk dallohen për ndonjë politikë humanitare ndaj refugjatëve. Kjo bën që kanali i Sicilisë në Itali të kthehet në një rrugë ujore tepër të frekuentuar.

Të izoluar në kampet e pritjes

Kur ndodh një fatkeqësi e përmasave të mëdha, bota e tronditur i kthen sytë nga Sicilia. Po qe se rruga e rrezikshme del me sukses, atëherë refugjatët i strehojnë në kampe pritjeje, ku duhet të presin vetëm disa ditë, por në realitet qëndrojnë aty të izoluar me muaj. E gjitha kjo ndodh jashtë vëmendjes së opinionit publik, që ka shumë pak mundësi hyrjeje në kampe të tilla.

Kur kreu i qeverisë italiane, Enrico Letta, vizitoi së bashku me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, Lampedusën, atij i duhej të dilte jashtë agjendës së planifikuar për të hedhur një vështrim tek refugjatët e grumbulluar me shumicë në kapanonet e ngushta. Bashkimi Evropian i premtoi Italisë 30 milionë euro ndihma për ta mbajtur nën kontroll situatën me refugjatët.

Kryeministri i Italisë, Enrico Letta, dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso në Lampedusa

Ministri i Brendshëm i Italisë, Angelino Alfano, është shprehur se problemi i refugjatëve “nuk është një problem italian, por evropian”. Por politikat e imigrimit në Itali janë mjaft shtrënguese, me gjithë sjelljen humanitare ndaj klandestinëve në rrezik mbytjeje në det të hapur. Në Itali mund të qëndrojë vetëm kush ka një kontratë pune. Organizatat humanitare në Itali e kritikojnë ashpër këtë politikë si të rremë dhe jorealiste. Kush është ai që punëson dikë kërkon një punë të ardhur nga Eritrea apo Mali dhe që nuk e ka parë kurrë, kritikojnë organizatat humanitare. Vetë refugjatët janë përgatitur për një jetë në ilegalitet. Kush mundet del nga kampi dhe arratiset në Italinë Veriore apo në vende të tjera evropiane. Qindra mijëra njerëz jetojnë ilegalisht në Itali, por edhe në Francë, Gjermani apo vendet e Beneluksit. Megjithatë edhe aty ku shkojnë atyre u duhet të jetojnë, të hanë e të flenë diku.

Ilegalët dhe përfituesit

Kush kalon nëpër Milano i sheh gjurmët e ilegalëve: kapulet me rroba në makina të shkatërruara, çadrat nën ura autostradash. Ilegalët strehohen në fabrika e shtëpi të braktisura pa rrymë elektrike dhe ujë. Tuniziani Khaled, 42 vjeçar, jeton prej dy vitesh në Itali. Ai e kalon natën në një makinë Ford gati të shkatërruar e pa targa. Në portobagazhin e makinës ai ka vënë gjërat e vlefshme që ka me vete, ndërsa rrobat janë palosur me rregull në ndenjëset e pasme. Njëri nga xhamat e makinës është thyer, një shqetësim për Khaledin. Natën temperaturat bien deri në 8 gradë, dhe kartonët që ai përdor në vend të xhamit nuk e izolojnë nga i ftohti.

Pas tetë muajsh në Lampedusa, Khaledi u dërgua në një kamp në Itali, nga ku ai u arratis në Milano. Çdo ditë ai del në një rrethqarkullim pranë autostradës, ku mblidhen refugjatët. Mes makinave të tyre që shkojnë në punë në rrethinat e Milanos, parakalojnë qëllimisht ngadalë disa kamionë. Këta janë “caporali”-t, ata që përzgjedhin njerëz si Khaledi si krah pune.

Skllavëri moderne

Sindikalisti Franco de Alessandri thotë se ky është “tregu i skllevërve të Milanos”. Ai e ka filmuar fshehurazi këtë procedurë për t’ia dorëzuar presidentit të policisë së qytetit. Por në fund nuk u ndërmor asgjë. “Këta punëtorë nuk krahasohen me punëtorin italian. Ata nuk kanë as familje as shtëpi. Janë vetëm dhe nuk kanë asnjë të drejtë, prandaj shfrytëzohen egërsisht”.

Ilegalët e kalojnë ditën duke punuar në kantiere ndërtimi vetëm për pak euro. Franco de Alessandri është mjaft i zemëruar nga një praktikë e tillë. Për italianët, këta ilegalë përbëjnë një konkurrencë për shkak të dumpingut (uljes së kostos së krahut të punës, ndërsa për refugjatët ato pak para janë e vetmja mënyrë për të mbijetuar.

“Occhio Blu – Anna Cenerini Bova” presenta “Itinerari culturali e archeologici nell’Albania”

Ligji i stabilitetit. Konfirmohet Social Card edhe për imigrantët