in

Ligji i stabilitetit. Konfirmohet Social Card edhe për imigrantët

Edhe sipas tekstit të çuar në Parlament, ndihma për të miturit e të moshuarit e varfër do t’u jepet edhe të huajve qëkanë kartën e qëndrimit. Edhe këtë herë falë Evropës

Romë, 21 tetor 2013 – Konfirmohet shtrirja e të drejtës së Kartës Sociale (Social Card) edhe për imigrantët, me kusht që të jenë titullarë të lejes së qëndrimit BE për qëndrues afatgjatë, e ashtuquajtura kartë qëndrimi.

Risia, që përmbahej edhe në një nga bocat e fundit të projektligjit të stabilitetit 2014, gjendet edhe në tekstin që më 22 tetor do të nisë rrugëtimin në Senat. Natyrisht duhet pritur miratimi përfundimtar i Parlamentit para se të kthehet në realitet.

Social Card (që ndryshe quhet edhe karta për blerje) është kartë e parapaguar në të cilën shteti hedh 80 euro çdo dy muaj. Këto para mund të shpenzohen për të blerë ushqime, për të paguar barnat dhe faturat e dritave e të gazit.

Kjo ndihmë u jepet të moshuarve mbi 65 vjeç ose fëmijëve nën 3 vjeç, e në këtë rast titullar është një nga prindërit, që kanë të ardhura familjare të ulëta (ISEE-Tregues të situatës ekonomike ekuivalente nën 6.700 euro në vit).

Deri tani u rezervohej shtetasve italianë rezidentë në Itali. Projektligji i stabilitetit, që është ligji financiar 2014, parashikon që t’u jepet “rezidentëve italianë e komunitarë, ose familjarëve të shtetasve italianë apo komunitarë që nuk kanë rezidencën e një vendi anëtar të BE-së që kanë të drejtën e qëndrimit në Itali, ose shtetasve të huaj jokomunitarë që kanë lejen e qëndrimit BE për qëndrues afatgjatë”.

Për vitin 2014 fondi shtetëror që ushqen këtë formë mbështetjeje ekonomike rritet me 250 milionë euro.

Edhe këtë radhë imigrantët duhet të falënderojnë Evropën. Në fakt, zgjedhja e qeverisë nuk është një “zemërgjerësi” ndaj imigrantëve, por mënyra për të kapërcyer procedurën e shkeljes të hapur edhe në këtë aspekt nga Brukseli kundër Italisë. Këtë radhë është fjala për direktivën 2003/109/CE, sipas të cilës qëndruesit afatgjatë duhen trajtuar si vendasit për sa u përket shërbimeve e ndihmës sociale.

Elvio Pasca

Klandestinët në Itali, skllevërit modernë

Operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës. 8 të arrestuar në Shqipëri