in

Kodi etik ministror. Ja si duhet të sillen ministrat e qeverisë Rama

Është botuar në faqet zyrtare on line të kryeministrisë, Kodi Etik Ministror, një nga vendimet e para të qeverisë që ka ngritur jo pak polemika. Përmban 41 nene dhe përcakton rregullat e etikës për çdo anëtar të Këshillit të Ministrave, nga marrëdhëniet me mediat deri te përdorimi i makinës zyrtare

Tiranë, 18 shtator 2013 – Kodi etik ministror është një ndër tre vendimet e para të miratuara nga Këshilli i Ministrave, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Kodi etik ministror është konceptuar si një mjet për të nxitur përmirësimin e vazhdueshëm të qëndrimeve dhe sjelljeve drejt standardeve më të larta të drejtimit dhe ridimensionimin e moralitetit të zakonshëm në sferën e çështjeve qeveritare.

Në preambulën e kodit të publikuar në faqet internet të kryeministrisë, thuhet se qeveritarët përballen çdo ditë me vendime, të cilat, përveç aspektit ligjor, kanë edhe implikime etike e morale, si edhe kanë të bëjnë me çështje që kanë një interes të lartë publik. Publiku kërkon një qeveri me vendimmarrje të ligjshme, shërbim cilësor dhe që është i hapur, i aksesueshëm dhe i drejtuar si duhet.

Kod etik ministror është hartuar si nevojë për rivendosjen e besimit te sistemi ynë politik, përmes rikthimit të besimit publik në integritetin e qeverisë.

Kodi, i cili përbëhet nga 41 nene, ka për qëllim të përcaktojë rregullat e etikës, që do të garantojnë një sjellje të anëtarit të Këshillit të Ministrave në ushtrimin e funksionit të tij si anëtar i organit kolegjial apo si organ individual, si dhe në cilësinë e tij personale, në përputhje me interesin e ligjshëm publik dhe me programin e qeverisë. Ndërkohë rregullat etike të këtij Kodi janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave.

Kodi funksionon në bazë të 8 parimeve të përgjithshme që janë: Parimi i ligjshmërisë, Parimi i besueshmërisë dhe solidaritetit, Parimi i mosdiskriminimit, i mosabuzimit me funksionin, i paanshmërisë, i ndershmërisë dhe pavarësisë, i objektivitetit, i transparencë dhe llogaridhënies, si dhe i mos pasjes së konfliktit të interesit.

Ndërkohë, përsa i përket marrëdhënies së anëtarëve të Këshillit të Ministrave me mediat, pjesë e komentuar gjerësisht pas miratimit të Kodit, Kodi etik i sqaron në kreun e tij të IV.

Në nenin 15 të tij, që i përket “intervistave dhe fjalimeve”, thuhet se “Në mënyrë që të garantohet bashkërendimi i efektshëm i punës së kabinetit qeveritar, për përmbajtje dhe kohën e të gjitha prononcimeve madhore, fjalimeve, deklaratave për shtyp dhe nismave të reja, duhet, për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave”. Ndërkohë në një pikë të dytë të këtij neni sqarohet se “Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të bëjë kujdes që deklaratat e tij të përputhen me programin dhe qëndrimet politike të qeverisë. Ai duhet të tregojë kujdes të veçantë gjatë trajtimit të tematikave, të cilat hyjnë te përgjegjësitë dhe kompetencat e ministrive të tjera. Në një rast të tillë, përpara se të prononcohet, ai duhet të informohet dhe të sqarojë çështjen me ministrin përkatës”.

Në kodin etik ministror, ndër të tjera anëtarët e Këshillit të Ministrave nxiten të udhëtojnë me transportin publik. Në nenin 35 që i përket “Përdorimit të makinave zyrtare”, thuhet se “Ndalohet përdorimi i automjeteve zyrtare për qëllime private, përveç rastit kur kjo lidhet me sigurinë personale dhe të familjes së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Në këtë rast, kostot e përdorimit të automjetit paguhen nga anëtari i Këshillit të Ministrave. Kur është e mundur, ministrat nxiten që të përdorin transportin publik”.

Lexo të plotë: Kodi etik ministror

Kryetari i Senatit: “Shtetësi kujt punon në Itali”

Luftë varfërisë. Në planin e qeverisë ndihma edhe imigrantëve