in

Koka në tepsi

Koka e Asklepit, një vepër arti helenik grabitur nga muzeu i Butrintit më 1991 kthehet në atdhe. Ishte blerë nga një koleksionist italian në një ankand tërrregullt. Dy futbollistët shqiptarë Tare e Canaj vendosën t’ia blejnë për t’ia kthyer shtetit shqiptar. Por buja që krijoi gjesti i tyre dikujt i dogji. Dhe shteti shqiptar vendosi ta paguajë vetë shumën. Në një kohë kur, nëse i nxorri jashtë loje dy futbollistët, nuk duhej të paguante për të rimarrë atë që i takon

asklepi_amb.gifTani që të gjithë ia rrahën çaçkën me krrela të mermerta, e ngritën si trofe, e mbajtën në duar për të bërë foton e radhës e nga Roma në Tiranë ia bënë pas ministrit me valixhe diplomatike që të kryente edhe ai ritualin  e fotos,  por kësaj radhe brenda një sarkofagu të qelqtë,   Asklepi   do të gjejë prehje.  Perëndi e shërimit siç është, do të dijë ajo kokë guri e dërrmuar nga  njerëzit dhe mijëvjeçarët, të tërhiqet në hyjësinë e vet.

Veç po e lanë të qetë. Pasi vetia shëruese që i mvishet hyut nga lashtësia, adhuruesit e rinj që po i rreshtohen përbri për një foto a video, fort po shpresojnë që ta ushtrojë për t’u dhënë edhe atyre pak nga rrezatimi i tij amëshues. E ndoshta për këtë arsye, mes pezullisë së arkeologëve që ende s’e kanë ndarë mendjen se kujt i përket ajo kokë pa trup, këtyre anëve, në ambasadën shqiptare të Romës,   e quajnë veç Zeus, kryeperëndi.

Asklep apo Zeus, tashmë është kthyer në Shqipëri. Aty ku 2400 vjet më parë e patën ngritur e adhuruar,  80 vjet më parë e patën nxjerrë nga varri i kohës,  18  vjet më parë  e patën grabitur. Ajo kokë që për mëse 24 shekuj nuk kishte lëvizur nga Butrinti, në pak kohë ka bredhur kushedi sa vende për të përfunduar udhëtimin e vet në një ankand anglez, e nga aty, më 1996, në Romë, në piedestalin e shtëpisë së një koleksionisti italian, i dashuruar pas asaj koke që nuk e njihte as si Asklep e as si Zeus,  por i dukej i bukur. Ndaj e pat blerë në ankandin anglez, si “kokë burri” për 20.000 euro.  Dhe për t’ia kthyer të zotit, domethënë Shqipërisë,  pronari-blerës me të drejtë ka kërkuar një shumën që ka shpenzuar për ta blerë. Simbolike, e quan ambasadori Kola. Janë pikërisht 20.000 euro.

E këtu nga  20.000 euroshi lind edhe shpërdorimi i Asklepit. Që një vepër arkeologjike e vjedhur t’i kthehet vendit që i përket është tashmë prerogativë e vendeve demokratike. E veprat arkeologjike, më shumë se çdo gjë tjetër kanë qenë të paktën në 70 vitete e fundit protagoniste të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e Italisë. Lista më e gjatë që Shqipëria i ve përpara Italisë në Konferencën e Paqes të Parisit  përbëhet nga poçe balte e koka mermeri  të sjella në Itali nga arkeologët italianë, të njëjtë që i kanë zbuluar. Njëra prej tyre, kokë burri, Apolloni ndoshta, e mbiquajtur edhe ajo si Dea, Perëndeshë e përgjithshme,  do të shndërrohej përveçse në simbol të bukurive arkeologjike shqiptare edhe në temë të çdo bisede diplomatike për gati 40 vjet rresht, deri më 1982 kur qeveria italiane ia kthen Shqipërise   duke sjellë jo pak trazim mes senatoreve nacionaliste. Njeri prej tyre, përçmues ndaj shqiptarëve, “90% analfabetë” sipas tij edhe më 1984-ën, citon papa Piun  për mënyrën pse iu dha kaq lehtë shqiptarëve “E il modo ancor ci offende”.

cat_asklepios.gifEdhe ne sot, jo më analfabetë për italianët, nuk parafrazojmë Papën por Danten: “è il modo ancor m’offende”.  Por duke iu drejtuar përfaqësuesve tanë.

Pikërisht, mënyra na fyen.  Mënyra se si kthimi i një vepre që i takon shtetit shqiptar, një vepër që na takon të gjithëve si pasuri kombëtare, blehet me para nga vetë shteti shqiptar. Dhe lajmi i paradokohshëm gati turpëron shtetin shqiptar për mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën mbylli këtë operacion triumfant për kamerat.

Lajmi ishte se kokën e patën blerë dy privatë, Igli Tare dhe Lorik Cana, dy futbollistë të kombëtares të cilëve xhepi dhe dinjiteti ua lejon të blejnë me paratë e tyre, e më pas t’ia dhurojnë vendit të vet një vepër arti grabitur nga Shqipëria. Do t’ia blinin koleksionistit, patën madje depozituar çekun, si një operacion mes privatësh, një vepër dinjitoze. Por janë kopertinat e gazetave shqiptare e italiane që nderuan këtë gjest dinjitoz të Tares e Canas që nuk u gëlltitën lehtë nga qeveritarët shqiptarë të cilëve iu duk se u iku për duarsh një rast i mirë reklame përdëllimi për veprat e artit.

E aq i lartë qe ky përdëllim, sa nxorën krejtësisht jashëtë lojë dy sulmuesit, e u hodhën vetë të paguajnë privatin. Shteti pra, bleu veprën që i takon, duke paguar një koleksionist që ka blerë një vepër të vjedhur, duke mos pritur mbarimin e hetimeve ndaj Christie’s . Edhe pa mbaruar hetimet, nëpërmjet ligjit që u sekuestron privatëve veprat e vjedhuar të blera edhe me mirëbesim, do të ishte koleksionisti italian që do të trokiste dyerve të Christie’s për të kërkuar paratëdhe madje dëmshpërblimin e vet.

Por u zgjodh rruga e pagesës. Shpejt e shpejt. Duke nxjerrë jashtë dy privatët Tare e Canaj. Për një arsye mjaft të thjeshtë: jemi në fushatë zgjedhore. Një gjest dinjitoz, ai i Tares dhe Canajt shkelet me këmbë për hir të dy flasheve fotografikë në albumin qesharak të ballëlartëve faqe gazetash e reportazhezh televizive. Një arritje e madhe, gjetja e një vepre arti që i takon Shqipërisë, blihet me para nga vetë shteti.

Është fyes, ky teatër i trishtë  i ballëlartëve që i shtrijnë kamerave tepsinë me kokën e Asklepit të vjedhur dhe të blerë me para.

Bota shqiptare 214

Kaos mbi sigurimin shëndetësor të të moshuarve

Një drekë në Pomezia në restorantin e Erletit