in

Kolegji mbyll lojën{br}Është Basha kryebashkiak i Tiranës

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve

Tiranë, 8 korrik 2011 – Kolegji Zgjedhor rrëzoi paraditen e së premtes kërkesë-padinë e depozituar më 2 korrik nga Partia Socialiste, që kërkonte shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së, që shpalli fitues me 93 vota kandidatin demokrat, Lulzim Basha, si dhe për pavlefshmëri në 284 qendra votimi në Tiranë.     
Në një komunikim të shkurtër të vendimit, relatorja e çështjes, gjyqtarja Sashenka Jonuzi, tha se Kolegji  rrëzoi kërkesën ankimore të PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, duke argumentuar se padia e PS-së i ka tejkaluar afatet.
Në këtë mënyrë, me vendimin e sotëm të trupës së Kolegjit, mbetet në fuqi vendimi i KQZ-së i datës 25 qershor që shpall fitues kandidatin demokrat, Lulzim Basha, me 93 vota para ndaj kandidatit socialist, Edi Rama. 

Përfaqësuesit e PS-së në seancën e Kolegjit janë larguar fill pas shpalljes të vendimit, duke mos dhënë deklarime për vendimin, ndërsa përfaqësuesit ligjorë të PD-së kanë thënë se PS nuk ka më hapësira ligjore për ankimim të vendimit për rezultatin e Tiranës.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, është shprehur mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e ankesës së PS-së, gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit. Ai ka thënë se tashmë palët duhet të respektojnë vendimin e Kolegjit dhe se pas këtij vendimi, është e rëndësishme administrimi i mirë i vendit:  “Për OSBE/ODIHR është e rëndësishme dhe prioritare, respektimi i shtetit të së drejtës dhe ligjit në këtë vend” është shprehur ai.

Nga Brukseli, zëdhënësja e Kethrin Ashton, Maja Kocijancic në një deklaratë të shkurtër sqaron se Brukseli pret të shohë detaje të tjera të këtij vendimi, për të dhënë edhe opinionin e tij. “Kemi marrë shënim vendimin e Kolegjit, presim sqarime dhe justifikime për vendimin e Kolegjit për të dhënë edhe mendimin tonë”, sqaroi ajo.

Gjatë seancës së 7 korrikut, trupa gjyqësore, me relatore Sashenka Jonuzi, pasi dëgjoi argumentet e palës paditëse (PS) dhe palëve të interesuara, PD dhe KQZ, vendosi të pranojë provat e paraqitura nga socialistët në lidhje me pretendimet e tyre për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë, gjë duhet t’u ketë dhënë shpresë socialistëve për një vendim të ndryshëm nga ai i sotmi.
Me kërkesën e saj të depozituar më 2 korrik, PS kërkoi nga Kolegji Zgjedhor që të urdhëronte KQZ-në që të merrte në shqyrtim kërkesën e bërë prej saj, ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi i 25 qershorit, që shpalli fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me 93 vota para rivalit të tij kandidatit socialist, Edi Rama.
Si objekt ankimimi është anulimi i vendimit Nr. 1160, datë 28-06-2011 i KQZ-s “Për mospranimin e për shqyrtimin e kërkesës ankimore Nr. 164 të subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë” detyrimin e KQZ të marrë në shqyrtim kërkesën dhe të marrë vendimin bazuar në 4 nene të Kodit Zgjedhor.

Korçë: Arrestohen 4 vetë për falsifikim të pasaportave biometrike

Miratohet në Kuvend projektligji mbi regjistrimin e popullsisë