in

Kolegji Zgjedhor vendos sot për kryebashkiakun e Tiranës

Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë të premten, më 3 qershor, kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kërkon shpalljen të paligjshme të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rezultatin zgjedhor për bashkinë e Tiranës. Ankimimi, që ka për relator gjyqtarin Tom Ndreca, kërkon pavlefshmërinë e aktit të miratuar me shumicë votash nga KQZ për numërimin e fletëvotimeve të rregullta për kryetar të bashkisë Tiranë, të hedhura në kutitë e gabuara si dhe pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për ndryshimin e tabelave të rezultateve për Tiranën.

Një javë më parë (27 maj), Kolegji Zgjedhor nuk pranoi kërkesën e PS-së për bashkimin në një, të këtyre objekt-padive, duke argumentuar se ky subjekt zgjedhor nuk kishte ndjekur procedurat e kërkuara në kërkesën e saj për të shtuar objekt padinë. Për këtë arsye, PS hoqi dorë nga gjykimi i padisë vetëm për pavlefshmërinë e aktit për numërimin e fletëve të rregullta të votimit për kryetar të bashkisë Tiranë të hedhura në kutitë e gabuara, që ishte parashikuar të shqyrtohej sot nga Kolegji Zgjedhor dhe paraqiti një padi më të plotë, në të cilën përfshihet edhe kërkesa për pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për ndryshimin e tabelave të rezultateve për Tiranën.

Nëse Kolegji pranon ankimimin, duke shpallur të “pavlefshëm” aktin normativ që nxori Bashën fitues me 81 vota, Edi Rama do të shpallet kryetar i bashkisë së Tiranës, me 10 votat diferencë që mori nga rezultatet e 485 qendrave të votimit në 11 KZAZ. Nëse kolegji e hedh poshtë kërkesën e PS-së, Lulzim Basha, do të ulet në detyrën e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës me 81 vota më shumë se rivali i tij, kreu aktual i PS.

Ndërkaq, në mbledhjen e sotme të radhës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi kërkesat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.     

KQZ rrëzoi kërkesat e PS për pavlefshmërinë dhe ndryshimin në tabelat e rezultateve në KZAZ 49, njësia 5 dhe të tabelës së rezultateve përfundimtare të Bashkisë Tiranë. Njëherësh, KQZ rrëzoi edhe kërkesën e PD për rivlerësimin e votave të kontestuara në 117 qendra votimi, pasi, sipas kryetarit Arben Ristani, KQZ është shprehur njëherë, i hapi kutitë dhe vlerësoi vullnetin e zgjedhësve.    

Ristani u shpreh në favor pranimit të kërkesës së dytë të PD për ndryshim të tabelës së rezultatit për kryetar bashkie në Tiranë pas vlerësimit të votave në 26 kutive që u hapën dje. Por meqënëse votimi për këtë qëllim kërkonte shumicë të cilësuar (5 vota), kjo kërkesë nuk arriti votat e duhura, duke u rrëzuar. 

Me rrëzimin e kësaj kërkese, KQZ ka mbajtur në fuqi tabelat e rezultateve përfundimtare për kryetar bashkie në Tiranë të miratuar në 23 maj, ku kandidati i djathtë Lulzim Basha mori 81 vota më shumë se rivali i tij, Rama.

Ngjarja e tmerrshme e Kavajës, trillim i protagonistes

Piacenza. Dritan Malko në grevë urie. “Po na rrëmbejnë të ardhmen”