Dyfishohen gjobat për drejtim të makinës pa lidhur rripin e sigurimit, i dehur apo i papajisur me patentë
Tiranë 24 nëntor 2011 – Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot nen për nen disa ndryshime dhe shtesa në Kodin rrugor të Republikës së Shqipërisë, të cilat synojnë parandalimin e aksidenteve dhe uljen e numri të viktimave apo të dëmtuarve prej tyre.
Projektligji u miratua me konsensus, duke përfshirë dhe disa amendime të propozuara nga deputetët e Partisë Socialiste.
Në draftin e propozuar nga qeveria parashikohej katërfishimi i të gjitha gjobave të parashikuara në kodin aktual rrugor. Por, pas diskutimit, komisioni pranoi propozimin e deputetëve socialistë për t’i ulur nga katër në dy herë ndëshkimet për kundravajtësit.
Disa nga rastet e përcaktuara në ligjin e ri, që do të ndëshkohen me dyfishim të gjobës aktuale, pas konstatimeve si burim i shpeshtë aksidentesh, janë drejtimi i makinës pa lidhur rripin e sigurimit, drejtimi i automjetit në kushtet e konsumimit të alkoolit mbi nivelet e përcaktuara, si dhe drejtimi i automjetit pa patentë.