in

Kompensimet për strehimin: Emigrantët janë diskriminuar

Gjykata e Bolzanos konfirmon vendimin kundër Ipes (Istituto per l’edilizia sociale) të provincës Autonome të Bolzanos). I kënaqur Mullaymeri, kryetar i Konsultës së Emigrantëve.

Gjykata e Bolzanos pranoi ankesën e disa emigrantëve të cilëve u ishte mohuar kompensimi për strehimin.

Gjykatësit Michaeler dhe Muscetta konfirmuan sentencën e 24 nëntorit në të cilin njihej si diskriminim ndaj emigrantëve fakti që ata futeshin në një listë të veçantë, të ndarë nga vendasit që kërkonin të njëjtin lloj kompensimi.

Gjykatësit dënuan Institutin me një dëmshpërblim që i duhet dhënë emigrantëve. Këta të fundit kishin paraqitur një ankesë të përbashkët, që përmblidhte rastet e 380 e personave të dëmtuar nga lista e veçantë.

I kënaqur për këtë vendim kryetari i Konsultës së Emigrantëve Artan Mullaymeri, i cili deklaroi për Stranieriintalia.it: “Ndihma duhet të jetë një e drejtë për të gjithë punonjësit që jetojnë këtu, qofshin të huaj apo vendas”.

“Pa dyshim që jemi të kënaqur për këtë sentencë – vazhdon Artan Mullaymeri – por tani duhet të punojmë për të ndryshuar këtë normë. Kërkesat tona janë mirëpritur vetëm pjesërisht, e ne duhet të punojmë për të përmirësuar edhe më normën”.

Që në vitin 2008 Mullaymeri pati marrë pjesë në punimet e grupit të punës për banesat, dhe së bashku me sindikatat pati kundërshtuar ligjin e atëhershëm që parashikonte lista të ndryshme, duke bërë dallim pikërisht mes jokomunitarëve dhe vendasve. Përveç këtij diferencimi përdorej dhe një kriter i bazuar në mesataren e ponderuar në dhënien e kontributeve në bazë të përqindjes së jokomunitarëve që banonin në territor.

Sipas kësaj ndarjeje, shpjegon Mullaymeri, “jokomunitarëve, të cilët kishin paraqitur 6,8% të kërkesave, u takonin vetëm 8% të ndihmave, ndërsa një kufizim i tillë nuk ekzistonte për vendasit. Këtë ne e kemi konsideruar gjithnjë diskriminim”.

Ndër kushtet për të kërkuar ndihmën është rezidenca prej të paktën pesë vjetësh në provincë dhe punë prej tre vjetësh “janë kritere që i kemi pranuar sepse i konsiderojmë të drejta” – përfundon Artan Mullaymeri – ashtu siç mendojmë se është e drejtë pakësimi i ndihmës për vitin e ardhshëm sepse jëmi të ndërgjegjshëm që po kalojmë një periudhë krize, por nuk mund të pranojmë që të bëhen diskriminime”.

Shqiptarët në Europë për festat e fundvitit

Viti i Ri dhe “presepi” im