in

Konstandin Leka “Si u bëra i padukshëm”

Prej vitesh në Trieste, profesor Konstandin Leka rikthehet para lexuesit shqiptar e prezantohet për herë të parë para atij italian me romanin fantastiko-shkencor “Si u bëra i padukshëm”

locandinakostandinleka.gif“Si u bëra i padukshëm” kështu titullohet romani i gjinisë fantastiko-shkencore i shkruar nga ish-pedagogu i fizikës së Universitetit të Tiranës, Kostandin M. Leka. Një rikthim në letërsi i autorit, mbasi ky nuk është libri i parë i tij. Lexuesi i pasionuar shqiptar duhet ta kujtojë për novelën fantastiko-shkencore “Udhëtim në zemër të hidrocentralit” botuar vite më parë. Po ky roman, mund të quhet si dalje e re dhe me bujë, në skenën e letrave shqiptare, për dy arsye themelore: për gjininë fantastiko-shkencore, pak e lëvruar në letërsinë tonë, dhe për subjektin që paraqet.

Autori zgjodhi Tiranën për promovimin e këtij libri, vendin ku dhe subjekti i romanit të “njeriut të padukshëm” ka “lindjen” e tij. E solli atë mes miqve, dashamirësve e ish-studentëve të tij, të cilët kanë njohur e ndjekur pasionet e prof. Kostandinit. Janë pikërisht ata që më mirë se kushdo tjetër kanë kuptuar edhe pse-në e këtij krijimi. Në fakt, asnjëri prej tyre nuk u befasua për daljen e romanit, të gjithë ishin të bindur që pasionet e profesor Kostandinit një ditë do të gjenin rrugën e shprehjes. Selia e përzgjedhur për promovim në Tiranë ishte salla e Teatrit të Operas, e cila ftoi këtë eveniment ditën e 8 qershorit 2009.

Pamë jehonën e këtij promovimi në mediat shqiptare e në internet e ne s’deshëm të mungonim në takimin me autorin, aq më tepër që ai është një nga ne “shqiptarët e Italisë”, që prej 17 vjetësh jeton në Trieste me familjen e tij. Iu drejtuam për një njohje jo vetëm si autor i një vepre të re, por edhe si përfaqësues i një gjenerate, që përbën ndofta një të tretën e prezencave të shqiptarëve në Itali, nga e cila gjenerate kemi gjithnjë çfarë të mësojmë.

Zoti Kostandin pranoni të bëjmë një përshkrim të shkurtër të biografisë suaj për lexuesin: Cila është vendlindja juaj dhe ku keni kryer studimet dhe ku keni zhvilluar aktiviteti tuaj profesional në Shqipëri?

Në radhë të parë ju falenderoj për këtë intervistë, aq më tepër në rastin tim, që prej vitit 1973 megjithëse kam punuar, krijuar dhe punuar me shumë intensitet si në Universitet dhe në institucionet e tjera të Shqipërisë nuk përmendesha në masmediat, në fillim për arsye origjine dhe më vonë si harresë e aktivitetit tim.

U linda në Trieste të Italisë në të largëtin vit 1932, nga nënë italiane (triestine) dhe atë shqiptar nga Durrësi, për arsye se familja e atit tim kishte emigruar për arsye ekonomike në Trieste. Por, shumë shpejt u kthyem familjarisht në Durrës, ku fillova klasat e para të shkollës fillore. Pas mbarimit të gjimnazit mu dha e drejta e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor, i cili sa ishte hapur. Duke pasur që në vogëli pasionin e aparaturave dhe i dalluar në degën e Fizikës, pranova të mos ndiqja Institutin Bujqësor, që ishte një botë krejt e huaj për mua dhe të pranoja Institutin Dyvjeçar Matematikë-Fizikë, duke përfunduar pastaj Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë me temën “Mbi rritjen artificiale të kristaleve”.

Deri në vitin 1989 kam qenë profesor fizike e matematike,  fillimisht në Politeknikumin “7 Nëntori” e më pas në Universitetin e Tiranës. Por aktivitetin tim më të madh e kam zhvilluar në drejtim të teknikave audiovizive duke ngritur dhe drejtuar Qendrën e Teknikës Audiovizive, që ishte e vetmja qendër që prodhonte në vend diapozitiva dhe kinofilma për mësimin dhe shkencën. Për këtë aktivitet u specializova jashtë shtetit, mbrojta tema shkencore dhe u vlerësova me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1980 fitova çmimin e parë për ciklin me tregime shkencorë popullorë “Niku Elektriku” në revistën “Fatosi” dhe po këtë vit kam botuar novelën fantastiko-shkencore “Udhëtim në zemër të hidrocentralit” për adoleshentë.

Që kur shkenca dhe arti bashkëjetojnë si pasione te ju?

Kjo është një pyetje që më sjell kujtime që nga fëmijëria e hershme, kur në Trieste tek laboratori i dajës sim, për të parën herë u vura në kontakt me aparatura dhe fenomene elektrikë. Bleva menjëherë një aparat foto dhe një kinematografik, që nuk i ndava më nga dora për gjithë jetën time. Madje edhe tani vazhdoj të jetoj me to.

Gjithashtu prej kësaj moshe nuk mu ndanë dhe leximet e vazhdueshme të revistave për fëmijë dhe më vonë librave popullorë shkencorë me tematika nga më fantastike dhe aventurore të shkencës.

Kurse pasionin për artin në përgjithësi dhe veçanërisht të muzikës klasike e kam të trashëguar nga nëna, që më vinte në gjumë me tregimin e subjekteve të operave dhe duke m’i kënduar ariet e tyre kryesore. Për herë të parë në një shfaqje opere kam qenë në Teatrin e Operës së Triestes në moshën gjashtë-shtatë vjeç.

Këto pasione u zhvilluan gjatë gjithë jetës sime duke u pasqyruar në të gjitha krijimtaritë, sidomos në programet Radiotelevizivë dhe në konkurset shkencore, që i kam organizuar sipas një skenari spektakël me muzika të zgjedhura, këngëtarë dhe dramatizime me aktorë të njohur të kohës.

Po ju them një sekret se zakonisht subjekti që zgjidhja ishte i varur nga dëshira e përdorimit të ilustrimit muzikor special dhe efekteve teknike të veçanta. Në shumicën e dramatizimeve mund të gjeje akorde dhe sigla muzikore me efekt, që nuk transmetoheshin dhe zhurma rrufesh dhe bubullimash, shpërthime nga të gjitha llojet me shumicë. Dikush më tha atëherë: “Të lumtë! Ti me këto programe po fiton shumë lekë!” Unë qesha dhe iu përgjigja shumë sinqerisht: “Jam gati të jap akoma më shumë lekë vetëm “të më lenë” të punoj si dua unë një studio.”

Studentët e Universitetit të Tiranës ju kujtojnë si një figurë të nderuar e rrezatuese e kulturës e edukatës qytetare. Por mbi të gjitha për një ekuilibër e finesë mbijetese në ambjentet “e mbyllura” e pa perspektivën e duhur për një studiues të apasionuar. Këtu e ka origjinën ” i padukshmi”?

Në vija të përgjithshme unë them se kini të drejtë, por le ta analizojmë më mirë. Është mjaft e vështirë për rininë e sotshme, që mund të shprehen dhe të shkruajnë çdo mendim për këto dhe për çdo ngjarje të kuptojë se në çfarë trysnie, çensurë dhe autoçensurë kemi jetuar dhe krijuar ne brezat e mëparshëm. Në rininë tonë p.sh. mjaftonte që një person të rridhte nga një familje e pasur, d.m.th. me prona dhe toka edhe pa i bërë keq askujt konsiderohej njeri i dëmshëm dhe i rrezikshëm për shoqërinë. Kështu dhe unë duke qenë me origjinë tregtare e pasur nga im atë, vetëm duke kaluar nga Durrësi në Tiranë, ku nuk ishim të njohur dhe duke u regjistruar si tregtar me origjinë të mesme, pothuaj se shpëtuam konseguencat që nuk do të më lejonin të bëja shkollën e lartë. Por, gjatë gjithë aktiviteteve të përmendura më lart, megjithëse të vlerësuara nga institucionet përkatëse unë jetoja me frikën, se në çdo moment do të “zbulohej” origjina dhe do t’i humbja të gjitha. Sigurisht vetëm se isha me origjinën e një tregtari të mesëm dhe me nënë italiane, unë as që përmendesha në masmedia për gjithë këto aktivitete. Kisha vetëm ndonjë vlerësim me zë të ulët , “në vesh”, një shtrëngim dore dhe të shumtën një buzëqeshje. Megjithatë unë i përballoja këto qëndrime, se kisha kënaqësinë e krijimit dhe të paktën arrija të realizoja disa nga pasionet e mia. Mua më rëndonte në shpirt dhe zhgënjimi që kishte pësuar im atë, që megjithëse kishte ndihmuar moralisht dhe financiarisht Lëvizjen Antifashiste, përsëri pësoi herë pas herë persekutime të rënda, përveçse iu grabit gjithë pasuria.  Sigurisht tani në distancë vitesh, kur persekutimet vetëm kujtohen, mund të arrihet në disa konkluzione të përgjithshme. Unë ndjeva si një kërkesë të brendshme të ringjallesha në këtë mjedis ku isha i harruar, pra isha “i padukshëm”. Por ringjalljen do ta bëja me “mjetet” e mia duke vënë në dukje tiparet kryesore të veprimtarisë sime. Për këtë si tematikë më të përshtshme zgjodha fenomenin e padukshmërisë.

Nga diskutuesit në promovimin e librit në Tiranë theksohet një karakteristikë fondamentale e romanit: subjekti i qartë. Ishte kjo një përzgjedhje teknike apo e sugjeruar nga vetë ecuria e shkrimit të romanit?

Qartësia e zhvillimit të romanit varet nga fakti i thjeshtë, se linja bazë mbështetet në një ngjarje reale, atë të rritjes artificiale të kristaleve, po ashtu siç e kam realizuar në laboratorin e fizikës për mbrojtjen e temës. Të gjitha aparaturat, veprimet dhe fenomenet që ndodhin vetëm me përjashtim të “arritjeve” fantastike, sidomos nga fundi i romanit janë reale, se i kam jetuar vetë. Kjo është dhe një zgjedhje e imja e qëllishme për të lidhur realitetin e laboratoreve dhe punës shkencore në vendin tonë me shkencën botërore, pa përdorur linja të shpërthimeve fantastike, magjike, dhe sureale, që gjejmë në krijimtaritë e sotshme të fantastiko-shkencores.

Albana Temali

 

 

Fluturimi i Bernardit

Masat kundër të huajve, turp i Italisë