in

Masat kundër të huajve, turp i Italisë

Veç përkeqësim sjell në jetën e emigrantëve miratimi përfundimtar i masave në dukje për sigurinë e vendit, por që përmbajnë në pjesën më të madhe shtrëngime kundër të huajve, të rregullt e të parregullt. Eshtë dhurata që qeveria Berlusconi detyrohet t’i bëjë Legës së Veriut duke e kthyer Italinë vite mbrapsht e duke ngjallur fantazmat e ligjeve famëkeqë racialë të fashizmit kundër çifutëve. Lufta kundër klandestinitetit, lajtmotivi i këtij ligji, nuk është tjetër veçse retorikë e nevojshme për të ligjëruar egërsinë ndaj të huajve. Të parregulltve u ndalohen dhe u shkelen, me ligj, një sërë të drejtash që as kanë të bëjnë fare me sigurinë.
Teprim retorik? Aspak. Përderisa edhe intelektualë  të shquar italianë i bëjnë thirrje kulturës demokratike europiane që të mos lejojë përhapjen e kësaj fare të keqe intolerance në Europë

Miratohet përfundimisht paketa legiste e sigurisë. Më  shumë taksa me më pak të  drejta për emigrantë të  rregullt e klandestinë. Nga futja e veprës penale të klandestinitetit deri te leja e qëndrimit me pikë. Në mes taksë për lejen e qëndrimit e përtëritjen e saj, taksë për kërkesën e marrjes së shtetësisë, shtrëngime në ndërrimin e rezidencës, paraqitje e lejes së qëndrimit për çdo veprim me administratën publike, shtrëngime në martesat mes të huajve dhe italianëve, mbajtje në cie të klandestinëve deri në gjashtë muaj… Dhe të mos harrojmë legalizimin e  grupeve civile të patrullimeve të qyteteve.

pacchetto-sicurezzavauro.gifDitët e para të korrikut, e ashtuquajtura paketa e sigurisë u miratua përfundimisht në Senat me votëbesim dhe do të hyjë në fuqi ditën e pesëmbëdhjetë pas shpalljes në Gazetën Zyrtare. Është ligji i Legës kundër emigrantëve dhe për drejtësinë fai-da-te. Nuk mjaftoi një vit polemika për të hedhur poshtë thelbin racist të paketës së sigurisë, qendra e djathtë në pushtet, nën ndikimin e veçantë të Legës arriti atë që nuk fsheh aspak mes rreshtave të tekstit të paketës: kriminalizimin e të huajit.

Ishte maj 2008 kur qeveria e sapoardhur në pushtet paraqiste një paketë masash të përbërë nga një projekt ligj që hyri në fuqi menjëherë (që përmbante edhe mes të tjerave njohjen e rrethanës rënduese të veprës penale nëse kryhej nga klandestinë), tri dekrete legjislative që kishin të bënin me bashkimet familjare, strehimin politik dhe shtetasit komunitarë (ky i fundit u tërhoq menjëherë për shkak të ndërhyrjes së BE-së), dhe një projekt ligji, pikërisht ai që u miratua përfundimisht në Senat më 2 korrik 2009.

U desh një vit kohë, por në fund të gjitha masat e propozuara nga Lega u kthyen në ligj: grupet qytetare të patrullimit, të ashtuquajturat “ronde”, vepra penale e klandestinitetit, zgjatja e kohës së qëndrimit në qendrat e identifikimit deri në gjashtë muaj, çejeqëndrimi me pikë, taksa për lejeqëndrimet dhe kërkesat e shtetësisë, pamundësia e klandestinëve për t’u martuar, për të regjistruar fëmijët e sapolindur në zyrat e gjendjes civile etj. “Ligj që do të sjellë vetëm dhimbje” komentojnë nga Vatikani. Fjalë të rënda por që nuk arrijnë në veshët e Berlusconit: “Nuk di të ketë kritika, nuk mund të përgjigjem” – kështu u përgjigjet atyre që vënë në dukje mospëlqimin e Vatikanit. Miratimi i ligjit të sigurisë është padyshim dhurata që kryeministri i bën aleatit të tij më besnik. “Është një ligj i kërkuar me forcë nga kryeministri dhe nga e gjithë qeveria , që do të mund të garantojë me masa më efikase sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve” shpjegon Berlusconi në një nga konferencat e shtypit para fillimit të punimeve të G8-tës.

Por duket se ligji pëlqehet vetëm nga mazhoranca dhe qeveria. Asnjë tjetër, as në politikë, as mes forcave të policisë, as në organet e drejtësisë dhe as në shoqërinë civile, nuk arrin të japë mendim pozitiv mbi paketën e sigurisë.

Duke filluar nga vepra penale e klandestinitetit që sipas ligjit do të ndëshkohet me gjobë nga 5.000 deri në 10.000 euro dhe me dëbimin e menjëhershëm. Sipas juristëve, të hysh ilegalisht në një shtet është shprehje e një kushti individual, subjektiv, e të qenit emigrant dhe nuk paraqet akt lëndues të mirash që ia vlen të mbrohen penalisht. Nga ana tjetër, futja e kësaj vepre penale, e kombinuar me normat e tjera, nxjerr në pah sa e pamëshirshme është paketa e sigurisë me më të dobëtit e shoqërisë, të cilët këtej e tutje rrezikojnë paditjen në çdo hap që hedhin. Parashikimi i detyrimit të paraqitjes së lejes së qëndrimit për çdo akt të gjendjes civile, jo vetëm rrit mundësinë e paditjes së klandestinëve por para së gjithash u bën të pamundur akte që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe të të miturve, të mbrojtura nga konventa ndërkombëtare.

Kundrejt disa lëshimeve të  vogla, që sidoqoftë ishin sheshit antikushtetuese (si heqja e normës që parashikonte kthimin e mjekëve në spiunë  dhe e tjetrës që parashikonte pamundësinë e regjistrimit në shkollë të të huajve pa dokumente), Lega bëri çmos dhe ia arriti të fuste në ligj rritjen e kohëzgjatjes së klandestinëve në qendrat e identifikimit, dhe të legalizonte të ashtuquajturat ronde, grupe civilësh për patrullimin e territorit.

Sot, pas miratimit përfundimtar të paketës, mund të themi pa frikë që ligji i ri na ka kthyer në mesjetën e të drejtave, që ligji i ri shkel jo vetëm të drejtat e emigrantëve, por rrit pasigurinë e të gjithë italianëve.

Lufta kundër klandestinitetit, lajtmotivi i këtij ligji, nuk është tjetër veçse retorikë e nevojshme për të ligjëruar egërsinë ndaj të huajve. Të parregulltve u ndalohen e u shkelen, me ligj, një sërë të drejtash që as kanë të bëjnë fare me sigurinë. Nga ana tjetër, lejeqëndrimi me pikë, taksa deri në 200 euro për përtëritjet e dokumenteve të qëndrimit, vështirësitë e taksa 200 euro për marrjen e shtetësisë, shtrëngimet për bashkimet familjare, futja e normave shtrënguese që kanë të bëjnë me strehimin e regjistrimin në zyrat e gjendjes civile dhe që po të zbatohen do të shkaktojnë një emergjencë të papërballueshme sociale, dëshmojnë që edhe të huajt e rregullt e veçanërisht ata, janë më të goditurit nga paketa e sigurisë. Për ta përveç shtrëngimit të të drejtave, edhe kërcënimi tani në kohë krize, i humbjes së lejeqëndrimit.

Keti Biçoku

Bota shqiptare 217

“Bota shqiptare” invita tutti i suoi lettori di  firmare l’appello degli intellettuali italiani sul sito di Micromega o su Facebook:

Camilleri, Tabucchi, Maraini, Fo, Rame, Ovadia, Scaparro, Amelio, Wu Ming: “No alle leggi razziali”

 

Konstandin Leka “Si u bëra i padukshëm”

Shqipëri-Itali, sa afër e sa larg jemi