Tani do të jetë në rrugën Giovanni Battista Pirelli 30, as 500 metra nga stacioni qendror i trenit. Shumë shpejt, e njëjta seli do të jetë edhe konsullatë e Republikës së Kosovës
Romë, 30 qershor 2014 – Nga 1 korriku, Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano ndodhet në një adresë të re. Më në fund u largua nga sheshi qendror i Duomos, vend prestigjioz por pak i përshtatshëm për pritjen e qytetarëve, e që nesër (1 korrik) do të jetë në ambientet e reja në rrugën Giovanni Battista Pirelli, 30, pranë (as 500 metra) stacionit qendror të trenit (shtyp mbi hartën përbri për ta zmadhuar).
Ky ndryshim ishte paralajmëruar në fund të janarit, kur konsujt Luljeta Çobanaj dhe Rezart Shkëmbi u kishin kërkuar këtë gjë kryeministrit Rama e ministrit të Jashtëm Bushati gjatë vizitës që bënë në konsullatën e Milanos. Kryeministri mbështeti kërkesën e tyre për kalimin e konsullatës në hapësirë të re, edhe për faktin se pranë konsullatës pritet të atashohet edhe konsulli i Kosovës dhe ajo do të fillojë të funksionojë si përfaqësi e të gjithë shqiptarëve. “Do të kalojmë diku tjetër në mënyrë që të kemi më shumë ambiente për konsullatën tonë këtu dhe që të ofrojmë shërbime sa më të mira” – tha atëherë edhe ministri Bushati.
Konsullja e Përgjithshme Luljeta Çobanaj thotë tani për Shqiptariiitalise.com se puna për gjetjen e selisë së re nisi menjëherë e tani janë të kënaqur për mjediset e reja. “Për disa arsye: nga 1 korriku do të kemi në dispozicion 350 metra katrorë (mëse dyfishi i ambienteve që kemi në sheshin e Duomos), në një kat të parë me hyrje më vete. Për më tepër qiraja do të jetë 30% më e vogël se ajo e paguar deri tani”.
“Në konsullatën e Milanos jemi tre konsuj e një staf teknik prej tre personash për pasaportat dhe kemi një fluks ditor prej 150 qytetarësh. – vazhdon konsullja që shton se së shpejti numri i personave që do t’i drejtohen Konsullatës do të rritet ndjeshëm – Shumë shpejt, e njëjta seli do të përdoret edhe nga një staf konsullor i Republikës së Kosovës. Konsullata do të jetë vërtet e të gjithë shqiptarëve. Në hyrje të saj do të jenë tre flamuj, shqiptari, kosovari dhe italiani, dhe e shkruara “Eja të flasim shqip” me të cilën do t’u japim mirëseardhjen të gjithëve”.
“U kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit për një javë e kërkojmë mirëkuptimin e tyre. – përfundon konsullja duke kujtuar që konsullata do të qëndrojë mbyllur nga 23 deri në 30 qershor – Ishte periudha minimale e nevojshme për transferimin në zyrat e reja ku të gjithë do të gjejnë padyshim një mjedis më të përshtatshëm për një shërbim cilësor”.