Konsullata e Nderit e Italisë në Gjirokastër po bashkëpunon edhe me investitorë italianë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të investuar në fusha të ndryshme
Tiranë, 9 janar 2012 – Ndonëse nuk ka as dy muaj që është hapur, konsullata italiane në Gjirokastër është shndërruar në një qendër të rëndësishme shërbimesh ndaj komunitetit në jug të vendit, por edhe për investitorë të ndryshëm, kryesisht italianë, që duan të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në rajonin jugor të Shqipërisë.
Sipas Teodor Bilushit, Konsull nderi i Italisë në Gjirokastër, qysh në ditët e para që kjo konsullatë nisi aktivitetin u konstatua një interesim i madh i banorëve jugorë për të marrë shërbime të ndryshme. Në këtë këndvështrim, një shërbim të rëndësishëm është duke kryer kjo konsullatë për të gjithë ata qytetarë që kërkojnë të kryejnë legalizim dokumentesh apo të zgjidhin probleme të tjera të kësaj natyre, shërbime këto që për vite me radhë kryheshin në konsullatën italiane të Vlorës.
“Jam shumë i kënaqur jo vetëm nga hapja e konsullatës italiane në qytetin tonë, por edhe për gatishmërinë që gjej për të legalizuar dokumentet e vajzës sime, apo për arsye të tjera. Çdo vit isha i detyruar të shkoja në Vlorë për të bërë legalizimin dokumentesh, duke lënë të gjitha punët e duke shpenzuar lekë. Tani e kemi konsullatën tek dera e shtëpisë dhe për këtë duhet të falënderojmë qeverinë italiane, por edhe konsullin Bilushi për ndihmën e madhe që po na jep”, thotë Vangjeli, 59 vjeçar, banor në Gjirokastër.
Por, krahas shërbimeve në rritje për komunitetin vendas, konsullata italiane në Gjirokastër po bashkëpunon edhe me investitorë italianë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të investuar në sektorin e bujqësisë, për prodhimin e energjisë elektrike, rivënien në punë të aeroportit të Gjirokastrës, si dhe konsolidimin e misionit arkeologjik në Adrianopolit.