in

Korrik 1990, kur në Itali zbarkon një popull fantazmash

“Në Itali mbërrin një popull fantazmash” është titulli i të përditshmes La Repubblica më 14 korrik 1990. Janë shqiptarët  që shpërthyen ambasadat, e para ikje masive që do të vinte në krizë sistemin komunist duke e detyruar t’u lejonte arratinë drejt Italisë. Ku mbërrijnë të sfilitur përballë një bote që  deri dje nuk e dinte që ekzistonin…
nga Vincenzo Nigro
La Repubblica,  14 korrik 1990

Gërmadhat e makthit shqiptar zbarkojnë nga grykët e zeza të trageteve si një turn minatorësh del në sipërfaqe nga puset më të thella. Dikush i kishte harruar poshtë në minierë, turni i tyre zgjati plot 45 vjet. Ishin vitet e komunizmit, të policisë dhe Sigurimit, të dhunës, spiunllëqeve, të prindërve që denoncojnë bijtë, të një partie të kthyer në përbindësh, shushunjë mbas qafe të një populli të tërë.

Dështimi i një ëndrre

Nuk arratisen nga komunizmi refugjatët shqiptarë që u merren këmbët mbi bankinat e portit të Brindizit, arratisen nga ëndrra e dështuar në të cilën shumë prej tyre edhe kanë besuar, një ëndërr që arriti t’i zhgënjejë, por edhe t’i sfilitë. Ora 9 ka kaluar prej disa minutash kur rimorkiatori Vinicio Beretta mbështet turirin e tij në ijën e Espresso Grecia dhe fillon ta shtyjë drejt bankinës. Në hyrje të portit, kur akoma është e fshehur nga muret e gjirit të Levantes, anija lajmëron mbërritjen e saj me tre të rëna të sirenës. Kalojnë pak minuta, dhe pritja e gjatë e një nate të pabesueshme merr fund; nis zbarkimi i refugjatëve.
Për dhjetë ditë kanë mbetur të dyndur në ambasadat e Gjermanisë, Italisë dhe Francës, numri i tyre është ngritur e është ulur si batica. Në fund mbeten rreth 4.300.
Në Brindizi zbarkojnë diçka më pak se 4.000; 2.900 shqiptarët e ambasadës gjermane dhe 800 të italianes. Një anije franceze, Orient Star, imbarkoi në Durrës 544 refugjatët që ishin në ambasadën e Parisit dhe gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes mori detin për në Marsejë.

E para që shkel, ose më mirë që merret në krahë, mbi truallin italian është një vogëlushe disa-ditëshe. Nuk është mirë, infermieret e Kryqit të kuq e imbarkuara në Brindizi para se anija të nisej për Durrës e kanë kuruar vogëlushen me se kanë mundur gjatë kalimit të detit, por tani e çojnë me nxitim drejt e në spital. Prindërit duan t’i ndërrojnë emrin: do të quajnë Liri, një fjalë që për ne është retorikë, por që shqiptarëve u tingëllon e thjeshtë dhe me vend.

Pas foshnjës të sëmurët e tjerë; të sulmuar nga fotografë, kameramanë e gazetarë, të mbrojtur disi nga kordoni i ushtarëve dhe policëve, bëjnë përpara nja dhjetë të lënduar. Shumë kanë një këmbë të thyer: t’i ngjiteshe murit të ambasadave, të asaj gjermane për shembull, ishte pak a shumë e lehtë. Më e vështirë të hidheshe nga muri brenda, në oborr, e shumë ranë keq, thyen këmbë e kyçe këmbësh.
Përparon i trishtë lumi i refugjatëve: me rroga të grisura, të qelbura, shumë vetë pa këpucë, me trupin të përvëluar nga dielli dhe lëkurë të sëmurë (ka pasur edhe ndonjë rast zgjebeje, aq sa shoqëria detare Adriatica kreu dezinfektimin e trageteve). U afrohen kuzhinave të fushimit të ngritura nga batalioni San Marco, marrin një kafe të nxehtë, pak qumësht, një shishe ujë e një panine. Pastaj kalojnë pranë një çadre të Kryqit të kuq ku sapo ka mbërritur një veturë plot me bluza, çorapë, mbathje e veshje për fëmijë. Është e sikletshme ta shkruash, por refugjatët nga Tirana janë katandisur vërtet në gjendje të mëshirshme, dhe gjëja më e keqe është era e rëndë që kanë marrë me vete nga ditët kur jetuan të mbyllur në ambasada.

Në diçka më shumë se tri orë, 2.900 refugjatët e Gjermanisë dhe 800 që do të qëndrojnë në Itali drejtohen për në “vendstrehimet” e tyre. Trenat e organizuar nga konsullata gjermane në Romë mbushen e pas pak nise; e njëjta gjë edhe me dhjetë autobusët e linjave urbane të Brindizit që nisen drejt kampit të përkohshëm të refugjatëve të Restinco-s, një depozitë e braktisur dhe e rrënuar e ushtrisë, që ushtarët janë munduar t’ia përshtatin rastit me sa janë mundur.
Për ndonjë orë të gjithë i zuri frika se mos ishte e pamundur të ndaje refugjatët sipas ambasadave ku kishin hyrë. Në tragete, në çastin e imbarkimit mbizotëroi kaosi dhe asnjë nuk arriti të ndante refugjatët me fjongot me tre ngjyra që ishin parapërgatitur: blu për Francën, e gjelbër për Italinë dhe e kuqe për Gjermaninë.
Çastet e imbarkimit, afrimi i trageteve gjatë natës në portin e Durrësit, janë ndoshta pjesa më delikate, më e mistershme dhe më e mbresëlënëse e gjithë këtij operacioni. Për këtë ia lëmë fjalën Giovanni Marmoratos, 55 vjeç nga Genova, komandant i Espresso Grecia, anija e parë që iu afrua Durrësit. “Para së gjithash ju konfirmoj që arritëm deri në tokë – thotë komandanti – kishim frikë se mund të na detyronin t’i merrnim refugjatët me barka, por në fund na lanë të hynim në port. U nisëm nga Brindizi të enjten pasdite, në orën 18 dhe ishim në radën e portit të Durrësit në orën 22.30 siç kishim rënë dakord me palën shqiptare. Pilotët shqiptarë që hipën në anije na thanë që e para që do të imbarkonte refugjatët do të ishte e jona, por çastin e fundit plani ndryshoi dhe Orient Star u la të kalonte e të ngarkohej para të tjerave. Pas dy trageteve të para arritën edhe tri të tjera”.

Patëm ca frikë

Komandanti tregon që, në errësirën e plotë në të cilën kishin lënë portin e Durrësit, papritur në urën e kiçit të ulur mbi bankinë u shfaq një burrë i gjatë që u foli italisht njerëzve të ekuipazhit. “Mos zbrisni në tokë, rrini brenda se po mbërrijnë autobusët e parë”. Ishte Staffan de Mistura, i dërguari i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, që gjatë ditëve të fundit ka ndërmjetësuar mes ambasadave të huaja dhe qeverisë shqiptare, duke organizuar planin që mundësoi largimin me autobusë të refugjatëve nga Tirana dhe imbarkimin e tyre në anijet e ardhura nga Italia.
“Thuajse papritur na u rreshtuan përpara syve autobusët – tregon komandanti i dytë i Espresso Grecia, Roberto Cardone. – I kishin ngjeshur në mënyrë të pabesueshme, 150 për autobusë që mbajnë maksimumi 80 vetë. Ishte edhe një trupë televizive, i filmonte të gjithë një e nga një, por nuk besoj se e bënë për emisionin e lajmeve…”.
Deri pak orë më parë ishin të gjithë në ambasadat në Tiranë. “Qëndruam aty për dhjetë ditë – tregon një prej refugjatëve që tani ndodhet në kampin e Restinco-s – në një situatë të pabesueshme. Ndonjëherë kemi arritur të ngjishemi brenda edhe 900 vetë, por disa hoqën dorë sepse kushtet ishin të tmerrshme. Autoritetet shqiptare nuk u lejuan diplomatëve italianë të blinin lirisht ushqimet që nevojiteshin për të gjithë ne, ndaj edhe njerëzit filluan të ndihmonin sho-shoqin, të ndanin ato që kishin dhe ato që arrinin të gjenin jashtë.

Nëse kemi pasur? Si jo. Natyrisht që kemi pasur, hymë në ambasada me forcë, u përleshëm me policinë ditët e para: ne u qëllonim me tulla e ata na përgjigjeshin me pistoleta. Por më pas e kuptuam që po ia dilnim mbanë. Diplomatët italianë na jepnin kurajë, çdo mbrëmje vinte zonja Feliciana, fliste me ne për orë të tëra, qante për ne. Zonja Gabriella, kur arritën formularët që duheshin për pasaportat, qëndroi gjithë natën për të na përgatitur dokumentet. Kur para katër ditëve mbërriti ai zotëria i Kombeve të Bashkuara, de Mistura, e na foli, e kuptuam se ia kishim dalë vërtet mbanë. Na tha që të mos reagonim nëse policët na provokonin, të silleshim me gjakftohtësi, të ndiqnim udhëzimet e tij, t’i besonim”.
Kur u nisët nga ambasada? “Dje pasdite e kuptuam që ishte dita e nisjes. Pas mesnate erdhën 11 autobusë në të cilët hipëm të gjithë. Në 4 të mëngjesit hipëm në anijen Jonia, e ja tani jam këtu”.
Për ta, për shqiptarët e mbërritur në Itali, odiseja nuk ka mbaruar akoma, shpejt do ta kuptojnë që liria që kërkonin nuk është parajsë, që do ta kenë të vështirë të integrohen në një vend që do t’i mbajë në faqet e para të gazetave vetëm për pak kohë.

Ndërkohë Ramiz Alia i drejtohet turmës Tani në Tiranë ambasadat mbeten të mbyllura

Por ditë të vështira do të ketë edhe regjimi në Shqipëri: a do të mundë Ramiz Alia t’i mbushë mendjen popullit të tij që në Shqipëri gjërat do të ndryshojnë, që në Shqipëri mund të qëndrohet? Pastrim lokalesh apo frikë fluksesh të reja? Regjimi i Ramiz Alisë është munduar të marrë veten nga tronditja e thellë e provokuar nga ekzodi i mijëra shqiptarëve duke organizuar në Tiranë pasditen e 13 korrikut një miting të madh në mbështetje të procesit të demokratizimit. Observatorët e huaj megjithatë e gjykojnë pozitivisht përmbylljen e historisë së refugjatëve në ambasadat e huaja. Bashkë me riformimin qeveritar që ditët e shkuara solli largimin e personazheve të krahut më konservativ të Partisë së Punës, sipas observatorëve, eksodi përbën një fitore politike të Ramiz Alisë. Udhëheqësi komunist duket se ka fituar mbi “të ashprit” e regjimit, që janë kundër çdo hapjeje demokratike.

Tirana dje në mëngjes u zgjua nën një shi të madh që një diplomat e quajti biblik: jeta e qytetit ka rifituar normalitetin pas orëve dramatike të pritjes dhe atyre të nisjes së anijeve që transportuan në Itali refugjatët që rrinin prej dhjetë ditësh në ambasadat e Italisë, Greqisë, Gjermanisë Federale dhe Francës. Selitë diplomatike të këtyre vendeve thuhet se tashmë janë në gjendje të mjerueshme aq sa dje nuk kanë hapur dyert për publikun. Zyrtarisht kjo masë u mor për të mundësuar pastrimin me themel të mjediseve të brendshme dhe të oborreve, pas “sulmimit” nga mijëra e mijëra njerëz. Megjithatë, sipas disa burimeve diplomatike, katër vendet e Komunitetit Ekonomik Europian që u përballën me fluksin më të madh të refugjatëve po vlerësojnë edhe mundësinë e mbylljes së përkohshme të selive të veta diplomatike në Shqipëri për të shmangur pushtime të reja. Por katër vendet ende nuk kanë marrë një vendim të përbashkët.

Italia, në veçanti, ishte e prirur të mos mbyllë krejtësisht përfaqësinë e vet, por vetëm ta reduktojë në minimum. Ndërkohë vazhdojnë kontaktet diplomatike të të dërguarit të OKB-së Staffan De Mistura për të zgjidhur çështjen e disa dhjetëra shqiptarëve ende të mbyllur në seli diplomatike perëndimore. Agjencia zyrtare e shtypit ATSh me një komunikatë të shkurtër dha dje lajmin e nisjes në refugjatëve. Organi i shtypit shkruante: “Qytetarët shqiptarë të strehuar së fundi në disa seli diplomatike të huaja të akredituara në Tiranë u nisën të pajisur me pasaportë të rregullt, siç parashikohet nga dekreti i Presidiumit të Kuvendit popullor i datës 7 korrik 1990”. ATSh njeh edhe kontributin e dhënë për zgjidhjen e problemit nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Javier Perez de Cuellar.

Bashkë me refugjatët për Itali u nisën edhe refugjatët për Francë dhe Gjermani

546 shqiptarët e strehuar në ambasadën franceze, të imbarkuar në anijen Orient Star kanë marrë për në drejtim të Marsejës, ku Kryqi i kuq francez do të merret me shpërndarjen e tyre në kampet e ngritur posaçërisht për ta nga qeveria e Parisit. Gjatë udhëtimit ata kanë ndaluar në portin e Bolonjës ku vullnetarët e Kryqit të kuq italian u kanë ofruar asistencë dhe një pjatë të ngrohtë. Në trenin e parë ishte edhe një grua që lindi një vajzë gjatë udhëtimit. Refugjatët e sbarkuar në janë ndarë në dy grupi. 3.202 shqiptarët të futur në ambasadën e Bonit në Tiranë, janë hipur në tre trena specialë të nisur për në Bazel nga ku refugjatët do t’u drejtohen landerve të ndryshëm të Gjermanisë Federale. Refugjatët që kanë mbetur në Itali javë vënë në kampin e Restinco, ndërsa vazhdojnë të mbërrijnë oferta asistence e bujtjeje nga komunitetet e shumta shqipfolëse. Në veçanti nga ato siciliane, kalabreze dhe puljeze.

Lexo edhe:
Ikja që tronditi komunizmin
Shqiptarët shpërthejnë derën e perëndimit

 

 

“Albania casa mia”, il primo appuntamento della rassegna fiorentina “Lontano da dove”

Festivali i Jazz-it në Shkodër, përtej traditës