Reportazh nga Telnis Skuqi, ATSh
Kosinë, 24 nëntor 2011 – Nisi Ballabani, 83 vjeç, nga Kosina e Përmetit, kërkon të qajë sipas zakonit gjyshen dhe dy fëmijët e saj binjakë, por nuk ka varr. Ata u zhvarrosën pesë vite më parë nga kisha e “Shën Mërisë” dhe nëntë muaj më pas, Prokuroria e Përmetit urdhëroi rivarrosjen e tyre në varrezat publike.
“Gjyshja vdiq e re, afro 110 vite më parë. La jetimë dy fëmijë binjakë, por edhe këta na lanë shëndetin, vdiqën nga e njëjta sëmundje dhe u varrosën në kishën e fshatit, pranë varrit të nënës”, tregon Ballabani, ish agronom i lartë. Lufta italo-greke asnjëherë nuk u zhvillua në fshatin e tij, përkundrazi krismat ishin larg, madje shumë larg, thotë Ballabani. “Lufta u bë në kodrën e Qarishtes dhe në të gjithë vargmalin e Deshnicës, rreth 20 km larg fshatit. Në fshatin Kosinë nuk është varrosur asnjë ushtar grek”, shton ai.
Si njohës i mirë i historisë së fshatit të tij, 83 vjeçari kujton se gjatë luftës italo-greke, ai ishte vetëm 11 vjeç. “Mbaj mend gjithçka. Atëherë fshati ishte i vogël, jetonin 60 familje dhe të gjithë ishim të krishterë, por asnjë banor nuk u trazua 71 vite më parë me luftën, nuk ishte e jona, por e grekëve kundër italianëve, pavarësisht se u zhvillua në Shqipëri”.
Si atëherë dhe sot, vijon plaku, jetonin me bujqësi, blegtori dhe zejtari, ndërsa deri në vitin 1938 të gjithë banorët preheshin pranë kishës, sipas zakonit shumëshekullorë. Ballabani thotë se fshati filloi të zgjerohej, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.
“Gjatë sistemit komunist erdhën shumë familje myslimane dhe pas vitit 1970, u vendosën edhe vllehtë. Kosina u dyfishua, nga 60 në 120 familje. Kjo solli si domosdoshmëri krijimin e një varreze të re publike, që aktualisht ndodhet në fund të fshatit, në drejtim juglindor”, shprehet Ballabani.
Zhvarrimi
Pesë vjet më parë, në javën e tretë të majit, katër punëtorë, një prift dhe një përkthyes nga Gjirokastra, nisën gërmimet në kishën e “Shën Mërisë” për të zhvarrosur brenda shtatë ditëve 69 skelete qindravjeçare. “Më kujtohet si sot. Në fillim menduam se eshtrat do të zhvendoseshin në një vend tjetër, brenda mureve të kishës, por një nga katër punëtorët, Altin Ballabani, banor i fshatit, u revoltua pasi prifti Atë Vasil Thomollari, çdo ditë i transportonte eshtrat në fshatin Kutali, rreth 7 km larg Kosinës”, thotë i moshuari.
Ballabani thotë se katër punëtorët paguheshin 15 mijë lekë të vjetra për çdo eshtër, pagesa kryhej nga Alqiviadh Kosta, përkthyes nga Jorgucati i Gjirokastrës, ish- ushtarak.
“Prifti i fshatit ishte gjithmonë i pranishëm, po asnjëherë nuk u tregua i sinqertë me banorët”, thotë Ballabani, që shton se eshtrat ishin vendosur jashtë murit të kishës, në drejtim të perëndimit. Qysh atëherë, vijon i moshuari, kemi frikë të vdesim, se vjen një prift dhe të bën martir me pahir.
“Një i krishterë nuk e ka traditë të lëvizë të vdekurin nga varri. Ajo që ndodhi në Kosinë është e rëndë, e dëmshme dhe e dënueshme”, mendon Ballabani.
Flet eksperti grek
Antropologu mjeko-ligjor grek, Kosta Eliopoulos, profesor në Universitetin e Liverpulit (Britania e Madhe), thotë se procesi i zhvarrimit të varreve kryhet vetëm nga profesionistët.
Njerëzit jo kompetentë, thotë eksperti grek, nuk kanë njohurinë e duhur mbi skeletin e njeriut. Në këto raste përdoren metoda arkeologjike (gërmime), sidomos kur bëhet fjalë për të gjetur eshtra të vjetra dhe të përcaktohet saktë statusi i tyre.
“Zhvarrimet bëhen me mjete të vogla (furça e mistri) dhe vazhdimisht mbahen shënimet. Pra, me pak fjalë është shkatërruar ADN-ja”, flet Kosta, i cili ka qenë pjesëmarrës në disa ekspedita mbi varre masive në vende si Qipro, Sierra Leone, apo Kurdisatanin e Irakut.
Kosta thekson se ushtarët që u vranë gjatë luftës italo-greke kanë humbur duke luftuar ose kanë vdekur nga sëmundje, apo nga të ftohtit. “Eshtrat e ushtarëve identifikohen lehtësisht, pasi kanë shenja në kocka, ndërsa ushtarët që kanë vdekur nga sëmundje apo për shkaqe natyrore kanë shenja dalluese të tjera” thekson Kosta. Askush nuk ka të drejtë, vijon Kosta, të zhvarrosë eshtra, qoftë edhe civile, pa marrë më parë miratimin nga institucionet e specializuara.
Për prokurorinë e Përmetit, nuk ka asnjë vepër penale
Për Prokurorinë e Përmetit, zhvarrimi i 69 varreve qindravjeçarë në fshatin Kosinë, nuk përbën vepër penale, përkundrazi dy të pandehurit, Alqiviadh Kosta dhe At Vasil Thomollari, të akuzuar për “dhunim të varreve” u liruan nga akuza.
“Gjatë hetimeve rezultoi se mungon ana subjektive e kësaj vepre penale, duke marrë për bazë se qëllimi kryesor i zhvarrimit ka qenë jo “dhunimi i varreve”, por nxjerrja e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në këtë territor gjatë luftës italo-greke, në vitet 1940-1941”, thuhet në vendimit nr. 32, të Prokurorisë së Përmetit.
“Dy të akuzuarit kanë pasur si qëllim të vetëm nxjerrjen e eshtrave të ushtarëve grekë dhe jo dhunimin e varreve të të parëve të këtij fshati, gjë e cila mbështetet dhe me mos kundërshtimin e këtyre gërmimeve nga banorët e këtij fshatit”, thuhet në vendimin e prokurorisë.
Në deponimin e tij, prifti i fshatit At Vasil Themollari, e ka justifikuar veprimin, duke e argumentuar se “Ishte thërritur nga disa shtetas grekë, të panjohur për të, për të kryer procesin fetar të trisajisë (përshpirtjes), gjatë nxjerrjes së këtyre eshtrave”.
Ndërsa, Alqiviadh Kosta, është shprehur se “Ai nuk ishte në rolin e drejtuesit, por thjeshtë përkthyes i disa të afërmve (shtetaë grekë), që interesoheshin për eshtrat e të parëve të tyre, të rënë si dëshmorë gjatë luftës italo-greke, të cilët ishin varrosur në fshatin Kosinë”.
Gjatë hetimeve, sipas vendimit nr. 32, prokuroria e Përmetit nuk ka konstatuar dhunim varri, pasi, sipas organit të akuzës, në territorin ku është kryer zhvarrimi janë vendosur “kaq shumë individë”, madje, një pjesë e sipërfaqes është pushtuar nga vetë banorët e këtij fshati, duke vendosur mullare bari e kasolle bagëtisë.
Avokati: “Është konsumuar vepra penale e dhunimit të varreve”
Avokati gjirokastrit, Edmond Kore, thotë se për rastin e zhvarrimit të 69 skeleteve shekullore në fshatin Kosinë, është konsumuar vepra penale të “dhunimit të varreve”.
Sipas tij, hapja e një varri, pa qenë pjesëtar i familjes apo pasardhës i të vdekurit dhe pa marrre lejen nga institucionet e autorizuara nga ligji, quhet dhunim varri.