in

Kosova bëhet me presidente

Mbrëmë me një seancë të jashtëzakonshme, Parlamenti i Kosovës zgjodhi presidentin e ri, Atifete Jahjagën, 36 vjeç nga Gjakova, zëvendësdrejtore e përgjithshme e Policisë së Kosovës. Është gruaja e parë në Ballkan që do të mbajë këtë detyrë

Parlamenti i Kosovës zgjodhi mbrëmë Atifete Jahjagën në postin e presidentes së vendit, duke e bërë atë presidenten e parë të një vendi Ballkanik. Ajo u zgjodh në raundin e parë të votimeve duke marrë 80 vota të deputetëve, ndërsa kundër kandidatja e saj Suzana Novoberdaliu, deputete nga radhët e Aleancës Kosova e Re mori gjithsej 10 vota. Zgjedhja e presidentes u bë në një seancë të jashtëzakonshme në të cilën morën pjesë 101 deputetë të Parlamentit 120 vendesh. Seancën e Parlamentit e braktisi Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhja pasoi një marrëveshje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e re, Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Behgjet Pacolli, të cilët një natë më parë ranë dakord rreth rrugës së tejkalimit të situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit, ishte jo kushtetuese.

Presidentja Atifete Jahjaga e quajti “detyra më sfiduese në karrierën time”, atë të Presidentit të vendit. Ajo shprehu besimin se do t’i përkushtohet detyrës si Presidente e Kosovës. “Karriera ime pasqyron ndryshimet, në të cilat ka kaluar Kosova gjatë dekadës së shkuar dhe kam përjetuar të gjitha sfidat që kanë çuar në pavarësinë e Kosovës”, tha Jahjaga.

Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Atifete Jahjaga ndër pikat kryesore të fjalës, me të cilën iu drejtua popullit mbrëmë në Kuvend, veçoi bashkëpunimin me institucionet e Kosovës si  faktor i unitetit me të gjitha kombësitë që jetojnë në Kosovë, një politike të gjerë bashkëpunuese me vendet fqinje dhe të rajonit, anëtarësimin në Bashkimin Europian, zgjidhjen e problemeve me Sërbinë, etj.

Ajo u shpreh optimiste për besimin që ka për Kosovën, Qeverinë dhe shpresën për qytetarët.

“Do të përmbushim të gjitha objektivat tona”, shtoi Jahjaga, duke pohuar se do të jetë garante e kushtetutshmërisë dhe e ligjshmërisë, faktor bashkues, e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve, pa dallim kombi, feje, race e gjinie.

Presidentja Jahjaga vlerësoi se sikurse gjatë shërbimit në Policinë e Kosovës ku i është përmbajtur vlerave që e bëjnë Kosovën unike se “si Presidente e vendit, do të përpiqem çdo ditë, të sigurohem se Kosova po i dëshmon vlerat më të mira të Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës.”

“Ideali i të gjithë qytetarëve të Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi ajo, pas betimit, duke premtuar se do të punojë “për të përmbushur të gjitha standardet e nevojshme në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në sundimin e ligjit, arritjen e objektivave të larta në arsim, në shëndetësi, sidomos në zhvillimin ekonomik, për t’i siguruar qytetarëve një jetë të mirë, një jetë të qetë dhe të prosperueshme të normalitetit evropian”.

Duke iu drejtuar më tej qytetarëve, presidentja Jahjaga u ndal tek procesi i nisur me dialogun me Serbinë, ku u shpreh se “është një proces krejt normal ndërmjet vendeve që kanë pasur mosmarrëveshje dhe konflikt në të kaluarën”.

“Në këtë proces dialogu, ne, të dy vendet fqinje, që ishim të detyruar ta ndajmë të shkuarën, do të jemi të detyruar ta ndajmë edhe të ardhmen, pasi nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, ne do ta ndërtojmë të ardhmen, duke mësuar nga gabimet e të shkuarës.

Dialogu do të ketë sukses. Pas përfundimit të tij, rajoni do t’i kthehet paqes dhe stabilitetit. Kosova dhe Serbia do ta kenë rrugën e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke ndihmuar e jo duke penguar njëra-tjetrën. Qytetarët e të dyja vendeve do t’i kthehen jetës normale, bashkëpunimit dhe zhvillimit, që do t’u sigurojë një ardhmëri të qetë dhe më të mirë”.

Në vështrimin e saj, “të gjitha zgjidhjet nga dialogu ndërmjet palëve, duke përfituar të gjithë, do të jenë evropiane, që do të kenë për bazë praktikat dhe përvojat më të mira të Bashkimit Evropian”.

Duke u ndalur tek politika e Jashtme, Presidentja Jahjaga shprehu këndvështrimin e saj se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, që zhvillon marrëdhënie të mira dhe fqinjësore me të gjitha vendet.

“Kosova do të ketë një rol më aktiv në politikën e jashtme, duke u bërë anëtare në nismat dhe në organizatat rajonale dhe botërore, duke rritur numrin e njohjeve dhe duke vendosur marrëdhënie diplomatike, duke bërë marrëveshje bilaterale dhe shumëpalëshe dhe duke krijuar rrethanat e brendshme dhe të jashtme që sa më shpejt Kosova të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha ajo.

Ajo kërkoi që si Presidente e Kosovës, të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës. “T’i shfrytëzojmë këto vitet e tranzicionit për të bërë reforma të gjithanshme për të përshtatur legjislacionin me Bashkimin Evropian, për të fituar udhëzimin për liberalizimin e vizave dhe mekanizmin e qartë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Jahjaga.

“Kosova ashtu sikur i gjithë Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian. Me këtë përmbyllet një rrugë e gjatë shekullore e përpjekjeve të popujve të këtij rajoni në civilizimin evropian”, shtoi ajo.

Presidentja Jahjaga premtoi se do të udhëhiqet nga Kushtetuta dhe Ligjet e Republikës së Kosovës.

“Do të jem transparente dhe bashkëpunuese në të gjitha çështjet. Do të jem faktor dhe simbol i unitetit. Do të përfaqësoj dinjitetshëm e me përgjegjësi Republikën e Kosovës, interesat e të gjithë qytetarëve”, përfundoi presidentja e sapozgjedhur Jahjaga.

 

Manu Chau në Tiranë, në ndihmë të fëmijëve

Nuk përtërihet leja e qëndrimit vetëm për një kurs