Obama: “Përfundimi i mbikëqyrjes, arritje madhore për Kosovën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, përshëndeti dje vendimin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Përmes një deklarate për shtyp të publikuar nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, Presidenti Obama vlerëson se “pas gati katër viteve e gjysmë, përmbushja e dispozitave të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është një arritje madhore për gjithë qytetarët e Kosovës”.
“Mirëpres dhe përkrah fuqishëm lajmërimin e sotëm nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues se mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës ka përfunduar. Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë që është karakteristike për popullin e saj, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e arritjeve të pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumetnik, përfshirës, dhe demokratik”, thuhet në këtë deklaratë.
Presidenti i SHBA-së thekson se, “ka ende punë për të bërë tani që udhëheqësit e Kosovës marrin përgjegjësi të plotë për të siguruar se parimet e mishëruara në deklaratën e pavarësisë dhe në Kushtetutë do të plotësohen për çdo qytetar”.
“Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet konstruktivisht me fqinjët e saj dhe të punojë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, posaçërisht ato me Serbinë. Bërja e kësaj do të përforcojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe do të shërbejë për promovimin e stabilitetit nga i cili varen perspektivat Euroatlantike të rajonit. Në emër të popullit amerikan e uroj qeverinë, parlamentin, dhe popullin e Kosovës në këtë moment historik, në të cilin Kosova bën edhe një hap të rëndësishëm drejt vendit të saj të drejtë në një Evropë të lirë, të tërë, dhe paqësore”, përfundon deklarata e Presidentit Obama.