in

Kosova pas një viti, në sytë e një ambasadori

Një vit pas shpalljes së pavarësisë, janë 11 përfaqësitë kosovare në botë. Nëntorin e kaluar u akreditua edhe përfaqësia kosovare në Romë. Misioni diplomatik kosovar kryesohet nga i ngarkuari me punë Albert Prenkaj, një diplomat kosovar me një përvojë të gjatë akademike në Prishtinë dhe në kooperimin ndërkombëtare pranë OSBE-së. Në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë, një intervistë për të ekzaminuar punën e një diplomacie të sapolindur e me një barrë të vështirë.

albert_prenkaj.gifBota Shqiptare: Kaloi një vit nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke dashur të bënit një bilanc, si do ta sintetizonit këtë vit? Çfarë është bërë dhe çfarë mbetet ende për të bërë?
Albert Prenkaj: Zakonisht kësaj pyetjeje unë i përgjigjem me një formulë tashmë fikse. Rezultatet e pavarësisë janë evidente. Pavarësia është një realitet pozitiv jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Në tërësi rajoni ka përfituar sepse kështu është arritur paqja afatgjatë dhe është hapur një shteg drejt integrimeve euro-atlantike. Kosova gjatë kësaj periudhe është një shtet i porsalindur, i cili ka mbushur vetëm një vit, dhe si çdo i porsalindur i duhet tani të ndërmarrë hapat e parë. Sektorët ku shënohet zhvillim dhe përmirësim janë të shumtë, si në infrastrukturë dhe në arsim por shumë ngelet ende për tu bërë. Ka nevojë për punë të mëtejshme.

Në ç’mënyrë kontribuon pavarësia e Kosovës në paqen në Ballkan ndërkohë që nuk mungojnë analistët që i tremben pavarësimit të Kosovës si një precedent për shkëputjen e Republika Srpska-s nga Bosnja Hercegovina?

Bota është një konglomerat mendimesh edhe në kuptimin filozofik edhe në kuptimin politik. Cilido është i lirë të mendojë çfarë të dojë, por të lidhësh çështjen e republika Srpskas me Kosovën është një lajthitje sepse të gjithë diplomatët ndrkombëtarë kanë thënë se Kosova është një rast sui generis, një rast i veçantë. Ndërsa Republika Srpska nuk ka qenë asnjëherë entitet përbërës i Republikës Federative të Jugosllavisë. Kurse Kosova si gjithë entitetet e tjera ka shfrytëzuar shpërbërjen e Jugosllavisë nëpërmjet një ndarjeje jo-konfliktuale për t’u pavarësuar.

Si po procedon njohja ndërkombëtare e Kosovës dhe afirmimi i saj në nivel ndërkombëtar? Janë rreth 54 shtete që e kanë njohur Kosovën deri tani…
Për skeptikët më të mëdhenj Kosova është duke ecur më së miri. Mjafton të bëjmë një krahasim me ish republikat e tjera të jugosllave. Mali i Zi për shembull pothuaj pas dy vjet e gjysëm ka vetëm 90 shtete që e kanë njohur, ndërsa Kroacia ka ende 50 shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Gjatë këtij viti kemi informata se njohja do të vazhdojë edhe më tej, Diplomacia kosovare ndoshta ka pak mundësi të përmirësojë këtë proces, por do të bëjë të pamundurën. Jemi një diplomaci e re, dhe shumë e pakët në numër. Për shembull në Romë jemi vetëm dy veta. Mbështetja teknike është krejt e varfër.

Opozita kosovare e kryesisht Ramush Haradinaj, denoncon se diplomacia kosovare nuk është duke bërë aq sa duhet për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ju si i përgjigjeni këtij pozicioni?
Opozita si në gjithë botën është pjesë e qeverisjes nëpërmjet kritikave të saja. Diplomacia e Kosovës bën aq sa mundet.


Fakti që deri tani Kosova nuk është njohur nga Konferenca islamike, si mund të vlerësohet? Me gjithë lobimin e palodhur të zonjës Jozefina Topalli për shembull, dhe pritmërive të tjera të rastit?

Në rastin e lobimeve, rezultatet nuk janë gjithmonë të menjëhershme, edhe pse lobimi mund të jetë i suksesshëm. Nuk funksionon si në ekonomi që shitet e blihet dhe ka rezultate konkrete me njëherë. Vendet e konferencës islamike kanë filluar të tregojnë interes për Kosovën. Por duhet pasur parasysh edhe pozita e tyre në lidhje me situatën e tanishme gjeopolitike që këto shtete i prek nga afër, si për shembull kriza e Lindjes së Mesme. Ne duhet të pranojmë se kjo krizë i prek dhe i shqetëson këto shtete nga afër. Por janë dhënë sinjalet e duhura se këto ato do të mbështesin Kosovën. Mjafton të përmendet fakti se ambasadorët e tyre e pranuan ftesën e përvjetorit të parë të pavarësisë së Kosovës në 17 shkurtin e kaluar. Kjo tregon se ata kanë dëshirë të lidhen me Kosovën, por rrethanat e momentit nuk e mundësojnë këtë.

Sa ndikojnë në këtë fakt lidhjet e forta që këto shtet kanë me Serbinë si trashëguese e Jugosllavisë, nisur nga tradita e përbashkët e të qenit vende të linjës së tretë, të komunitetit të të painkuadruarve?

Pa tjetër nuk duhet harruar ky fakt. Në gjirin e këtyre shteteve ende ka lider që shikojnë në shtetin e Serbisë një trashëgimtare të Jugosllavisë, me gjithë prestigjin dhe respektin që Jugosllavia dhe Titoja ushtronte tek këto shtete. Mirëpo gradualisht me ndihmën e miqve tanë edhe këto shtete po kuptojnë se duhet të respektohet e drejta ndërkombëtare e vetëvendosjes së popujve. Ndërsa Serbia ka humbur të drejtën e qeverisjes në Kosovë, pas dhunës së pashembullt që ka ushtruar aty.

E megjithatë Serbia ende nuk heq dorë, Kosova është një prioritet i politikës së jashtme e të brendshme serbe. Nga ana tjetër këtë vit disa fakte u interpretuan si fitore diplomatike të Serbisë, si për shembull pranimit të denoncimit të shpalljes së pavarësisë kosovare në OKB, apo plani 6-pikësh për zbatimin e Eulex-it.

Puna e Serbisë në këtë drejtim është një punë e palodhur, ndërkohë që Serbia nuk ka asnjë shpresë që të kthejë mbrapsht pavarësinë e Kosovës. Rezoluta e miratuar në OKB është një fakt pak i rëndësishëm që çfarëdolloj rezultati të japë nuk mund të arrijë kurrë të kthejë mbrapsht pavarësinë e Kosovës. Në lidhje me 6-pikëshin, bëhet fjalë për një përmbajte teknike që nuk cenon aspak sovranitetin e Kosovës. Ne jemi të vetëdijshëm se shumë punë duhet bërë ende në këtë drejtim dhe kjo do të realizohet në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar siç edhe është bërë deri tani, mjafton të përmendet kontributi i të nderuarit Martti Ahtisaarit, në bazë të programit të së cilit është ndërtuar edhe kushtetuta kosovare. Në këtë mënyrë Kosova ka arritur të përvetësojë disa norma që janë risi të fundit në këto sfera. Veçanërisht për shembull janë bërë koncesione të jashtëzakonshme për pakicën serbe.

Çfarë lloj koncesionesh?

Bëhet fjalë për risi, sepse kjo pakicë në Kosovë përbën një përqindje të papërfillshme e megjithatë atyre u janë dhënë shumë të drejta në përfaqësim. Megjithëse shumë të pakët në numër, që tani në qeverinë kosovare Serbët e Kosovës janë të përfaqësuar nga disa ministra. Serbët është parashikuar të marrin pjesë aktive edhe në organet e tjera të qeverisjes. Madje shumë prej tyre janë shfaqur shumë të gatshëm të marrin pjesë në policinë kosovare.

Po a është Kosova një shtet sovran?

Po, Kosova i ka të gjitha karakteristikat e një shteti sovran. Ajo kontrollon plotësisht gjithë territorin e saj. Kemi probleme me funksionimin e administratës dhe të gjyqësorit veçanërisht në Mitrovicë. Kjo ndodh siç e dinë të gjithë për shkak të futjes së sigurimit sekret serb në Kosovë dhe prirjes për të ndërtuar një sistem paralel në Mitrovicë.

Si ia del Kosova të mbijetojë me gjithë këto monitorime, Unmik, Kfor, Eulex, ICO, etj.. ?

Po kemi pasur për gjithë këto vite Unmik-un që ka dhënë një ndihmesë të veçantë në funksionimin e administratës së Kosovës. Ndërsa sot Unmiku është pothuaj pa asnjë lloj funksioni sepse kompetencat e tij i kanë kaluar më së shumti organeve të qeverisjes kosovare. Vazhdojnë të jenë aktivë Eulex, dhe Ico që do të ndihmojnë më tej në konsolidimin e mbarëvajtjes së policisë, strukturave doganore, dhe gjyqësorit. Bëhet fjalë për një asistencë teknike.

Si paraqiten sot marrëdhëniet me Shqipërinë?

Marrëdhëniet me Shqipërinë nuk mund të quhen speciale por janë të shkëlqyera. Tani së shpejti Shqipëria ofroi portin e Shën Gjinit për Kosovën. Është pozitive që infrastruktura është duke u përmirësuar gjithmonë e më shumë. Me Shqipërinë kemi marrëdhënie shumë të mira siç kemi edhe me shtete të tjera fqinje si me Maqedoninë apo me Malin e Zi.

Por është fakt për shembull që Shqipëria është shumë pak e pranishme në Kosovë, ndërsa e gjithpranishme mbetet Serbia, në pikëpamjen ekonomike.
Është e vërtetë sepse kjo nuk është mundësuar deri tani nga infrastruktura. Ndërsa lidhjet me Serbinë kanë qenë më të drejtpërdrejta për shkak të një lloj marrëdhënieje historike ndërmjet dy vendeve. Pasi si Kosova edhe Serbia vijnë nga strukturat e vjetra jugosllave. Për më tepër, mallrat serbe, dhe këtë e dinë të gjithë, hyjnë në Kosovë në mënyrë ilegale, duke anashkaluar doganat, duke bërë që në treg matrapazë të ndryshëm t’i trajtojnë si mallra më të leverdishme. Kuptohet që tregu funksionon në bazë të kërkesës dhe të ofertës. Ky është një dëm që i bëhet edhe vetë Serbisë.

Për t’u bërë shtet, Kosovës iu desh të ndryshonte flamurin, himnin, simbolet, festat… Kjo nga shumëkush u mbiquajt si një tentativë të për të krijuar një komb të ri përveç shteti që tashmë u shpall i pavarur para të gjithëve. Kosova po bëhet komb?
Në perspektivën historike, populli shqiptar, ka dështuar me tentativën e tij për të krijuar shtetin komb. Kjo ka ndodhur që në 1912 kur pavarësia e shpallur për të gjitha trojet shqiptare iu njoh vetëm Shqipërisë së sotme shtetërore. Kosova sot është një entitet politik jo nacional. Shqiptarët e Kosovës, janë dhe mbeten shqiptarë. Madje sot ka disa që propozojnë që flamurin e sotëm të Shqipërisë ta shpallim si flamur të shqiptarisë dhe edhe vetë Shqipëria të ndërrojë flamur. Simbolet dhe flamuri sot shërbejnë si një kartë identiteti për Kosovën për tu afirmuar në komunitetin ndërkombëtar.

Kohët e fundit disa shoqata joqeveritare shqiptare janë mbledhur së bashku për të bindur të rinjtë shqiptarë anekënd zonave shqip-folëse se duhet realizuar bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Në krye qëndrojnë Albin Kurti i Vetëvendosjes, dhe ndër të tjerë edhe Mjaft i Tiranës. Si e vlerësoni këtë iniciativë?
Këto lëvizje janë rinore urbane. Të rinjtë janë të lirë të shprehin atë që mendojnë sepse kuptohet ata nuk mbajnë përgjegjësi politike. Bashkimi kombëtar është diçka e tejkaluar. Tashmë adresa e përbashkët e Tiranës dhe Prishtinës është Brukseli. Ne dëshirojmë të bashkohemi por në Bashkimin Evropian, si shtete me të drejta të barabarta. Kjo është një rrugë e nisur tashmë. Mjafton të përmendet fakti që Shqipëria së shpejti do të shpallet e anëtare e NATO-s dhe do të paraqesë edhe kërkesën për anëtarësim në BE. Edhe Kosova synon këtë rrugë të përbashkët me Shqipërinë.

Bisedoi Marjola Rukaj

Bota Shqiptare 209, 1 mars 2009

Bonus për familjen edhe nëse të afërmit janë në atdhe

Raca e dhunës