in

Kosova, shteti 6-vjeçar. Jahjaga: “Pavarësia është e pakthyeshme”

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, e paprekshme, e ndërtuar në çdo pjesë të territorit”, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në pritjen solemne mbrëmë me rastin e përvjetorit të gjashtë të pavarësisë.

Presidentja Jahjaga u shpreh se “kur kemi vendosur themelet e shtetësisë sonë dhe kur po shënojmë përvjetorin e gjashtë të pavarësisë, një ideali për të cilin kanë sakrifikuar breza të tërë, ne dëshmojmë qëndrueshmërinë tonë dhe njëkohësisht palëkundshmërinë për ta realizuar këtë ideal”.

“Në këtë gjashtëvjetor nderojmë të gjithë ata burra e gra të vendeve mike, të SHBA-së dhe BE-së, që përkrahën fuqishëm kauzën tonë të drejtë e njerëzore në mbrojtje të parimeve universale për të qenë të lirë dhe të barabartë”, tha Jahjaga.

Mbi këto parime, vijoi Jahjaga, “krijuam shtetin e Kosovës, me synimin për të qenë pjesë e shteteve dhe shoqërive demokratike, ku parimi i qytetarisë është themeli i saj dhe ku dallimet fetare e etnike përbëjnë pasurinë dhe vlerat e shtetit”.

“Ky vizion promovon tolerancën, mirëkuptimin e paqen dhe mbi të gjitha i garanton gjithësecilit liri e të drejta të barabarta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, u shpreh ajo.

Jahjaga tha se “në çdo përvjetor, vit pa viti, kemi shënuar së bashku arritjet dhe sfidat e rrugës sonë për të përmbushur këtë vizion të vlerave të lirisë e demokracisë, për një Kosovë shtet demokratik, shtet të të gjithë qytetarëve, promovues të paqes dhe stabilitetit, vend të mundësive të mëdha e anëtare të barabartë në familjen e popujve të lirë.

“Pavarësia e Kosovës është një realitet i njohur në botë, një faktor i rëndësishëm i marrëdhënieve fqinjësore në rajon”, theksoi Presidentja e Republikës.

Më tej ajo tha se ky është shteti ynë, me një synim të qartë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe gjithsesi e të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare.

“Por, pa dyshim që na mbetet ende rrugë për të bërë për të konsoliduar demokracinë tonë, për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit në secilin skaj të territorit të Republikës sonë dhe për të ndërtuar një shtet të pakorruptuar”, tha Jahjaga.

Ajo shtoi se vështirësitë me të cilat përballet sot vendi ynë janë vështirësi të tranzicionit nëpër të cilat kanë kaluar edhe vende të tjera të botës demokratike, të cilat jo rrallë herë ngadalësojnë proceset demokratike dhe rrugën e integrimeve.

“Por, ne kemi dëshmuar se i qëndrojmë besnik vizionit dhe idealit tonë, për një shtet të zhvilluar dhe të përparuar dhe që jemi të bashkuar e përkushtuar për ta përmbushur atë”, tha Jahjaga.

Presidentja e Kosovës vlerësoi se “ky gjashtëvjetor na gjen me një demokraci më të konsoliduar, me përpjekje të vazhdueshme për ta bërë vendin me një ekonomi të zhvilluar dhe gjithsesi me këmbënguljen për të avancuar proceset që na çojnë drejt integrimeve evropiane”.

“Gjashtë vjet të shtetësisë kanë nënkuptuar edhe vite të përpjekjeve për të krijuar një shtet gjithëpërfshirës, ku të gjithë gëzojnë të drejtat e tyre dhe ku përgjegjësia dhe obligimet, po aq sa edhe përfitimet, për shtetin e begatë dhe të përparuar – është e barabartë”, tha ajo.

Jahjaga theksoi se historia e dhunës dhe e konflikteve, e hegjemonisë dhe e shtypjes ka përfunduar dhe kemi hapur tani rrugën e integrimeve dhe të bashkëpunimit, një rrugë të respektit të ndërsjellë dhe të mirëbesimit dhe gjithsesi një rrugë të ndërtimit të së ardhmes më të mirë.

“Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim, njerëz që bashkohen në synimin e përbashkët për integrimin në BE, një aspiratë e palëkundur e njerëzve tanë”, u shpreh ajo.

“Ne, vijoi Jahjaga, duhet të hapim perspektivën tonë përmes thellimit të reformave të gjithmbarshme, reforma që do të mundësojnë ecjen më të shpejtë të vendit tonë në rrugën e integrimeve, reforma që sado të dhimbshme dhe të rënda do të mundësojnë një të ardhme më të mire, ne duhet të krijojmë kushtet e domosdoshme për zhvillim ekonomik dhe për investime të huaja, që do të ndihmojë brezat e rinj të kontribuojnë për vendin e tyre. Kosove Gjate festimeve te 6-vjetorit të pavarësisë.

“Kjo është barra dhe puna jonë e të gjithë neve, qytetarë të Republikës së Kosovës, që e duam këtë vend. E sotmja është në duart tona dhe atë do ta ndërtojmë së bashku, kështu siç jemi edhe në këtë festë të shtetit tonë. “Kosovë gëzuar!”, përfundoi Jahjaga.

Thaçi: “Falënderoj të gjithë kosovarët për sakrificat që keni bërë për lirinë e vendit tonë”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi , nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Facebook uron sot të gjithë qytetarët kosovarë për 6 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Të dashur qytetarë të Kosovës kudo që jeni. Nga thellësia e shpirtit tim ju uroj Ditën e Pavarësisë dhe ju falënderoj secilin nga ju për sakrificat që keni bërë për lirinë e vendit tonë. Urime shumë dhe Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj”, shprehet kryeministri Thaçi.

Nishani: “Përgëzime për arritjet e mëdha shtetkonsoliduese”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani uroi Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e 6-vjetorit të Pavarësisë.

Në telegramin e urimit ndër të tjera theksohet vullneti për intensifikimin e vazhdueshëm të partneritetit strategjik.

“Më lejoni t’ju ripohoj, Zonja Presidente, angazhimin tim e të vendit tim, në intensifikimin e vazhdueshëm të partneritetit strategjik të marrëdhënieve që karakterizon Shqipërinë dhe Kosovën, për t’i shndërruar ato në model rajonal, në të mirë të zhvillimit të dy vendeve tona, përmbushjes së aspiratave të përbashkëta eurointegruese, si edhe në ndihmë të kohezionit mbarëshqiptar.

Republika e Shqipërisë i gëzohet arritjeve të mëdha shtetkonsoliduese, angazhimeve rajonale dhe evropiane që Kosova ka përmbushur përgjatë këtyre gjashtë viteve modeste, si edhe garanton mbështetjen e vazhdueshme në vazhdimësinë e mëtejshme të përballjes së këtyre sfidave”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani drejtuar homologes së tij Jahjaga, së cilës i drejton dhe ftesën për një vizitë së afërmi në Tiranë.

Logoja zyrtare e festës së Pavarësisë në këtë vit

A duhej ta ndërronte emrin Erzeni?

Social Card. “Zyrat e postave nuk pranojnë kërkesat e imigrantëve”