in

Social Card. “Zyrat e postave nuk pranojnë kërkesat e imigrantëve”

Denoncojnë faktin lexuesit.
Por dhe patronati Inca Cigl: “Nuk është vetëm keqinformim. Programi i Postave parashikon akoma vetëm shtetësinë italiane. Vonesë e papranueshme”

Romë, 17 shkurt 2014 – Sikur të mos kish ndodhur asgjë. Ligji i stabilitetit 2014 u ka shtrirë të drejtën e kartës sociale edhe qytetarëve të huaj jokomunitarë titullarë të një lejeqëndrimi BE për qëndrues afatgjatë (e ashtuquajtura kartë qëndrimi), por sportelet e Postave Italiane nuk pranojnë kërkesat e tyre.

Prej më shumë se një muaji kemi sinjalizuar që faqet internet të Postës (që mbledh kërkesat e lëshon kartën) dhe ai i INPS-it (që jep shumën e Kartës sociale) nuk ishin përditësuar. Edhe tani që shkruajmë, faqet internet të Postës kërkohet akoma përmbushja e kriterit të shtetësisë italiane, Inps.it ka futur edhe imigrantët mes atyre që mund të paraqesin kërkesën, por nga ana tjetër, operatorët e Contact Center-it të tij akoma këmbëngulin: “Kush bën kërkesë duhet të jetë italian”.

Ajo çka është më keq akoma, imigrantët që provojnë të kërkojnë Social Card, nuk ia dalin dot mbanë. Kështu na tregon edhe një lexuese e Shqiptariiitalise.com, L. Xhafaj, që jeton në provincën e Venecias e që ka shkuar jo vetëm një herë në zyrën e postës për të kërkuar Kartën Sociale. “Kërkesën e përpilova pranë një patronati e me të kam shkuar disa herë në Postë. Në fillim më thonin që nuk më takon, me gjithë këmbënguljen time se ligji i ri e parashikon. Së fundi më thanë të flisja me Contact Center të Inps-it. Këta më thanë se kisha të drejtë unë, kështu që u ktheva sërish në postë. Por këtu, i njëjti punonjës me të cilin kisha folur edhe herë të tjera, pasi u largua për ca minuta nga sporteli për t’u konsultuar me të tjerë, kthehet e më thotë sërish që edhe pse ligji ka dalë, edhe pse Inps më kish thënë që më takon, nuk mund të pranonte kërkesën time sepse Ministria e Thesarit nuk ka dhënë miratimin për ligjin”.

“Shumë vijnë në sportelet tona të përpilojnë kërkesat. Por, kur shkojnë t’i paraqesin në zyrat postare marrin si përgjigje që është e pamundur e kthehen mbrapsht” denoncon këtë situatë Claudio Piccinini, koordinator i zyrave të imigracionit të patronatit Inca Cgil.

Me sa duket, nuk është vetëm problem mosinformimi, por edhe mospërditësim i programit software. “Nëse paraqitesh në postë me tekstin e ligjit në dorë dhe tregon se edhe imigranti mund të paraqesë kërkesë, punonjësit e Postës nuk arrijnë të fusin kërkesën në sistemin informatik: vlerat e pranuara në fushën shtetësia janë vetëm I, IT ose ITA” shpjegojnë nga Inca.

Situata është e papranueshme. INPS-i dhe Posta nuk mund të mohojnë, për keqinformim apo për një problem informatik, një të drejtë të parashikuar nga ligji. Pse vonojnë kaq shumë, sepse përfituesit janë të huaj? Është diskriminim” shkon më tej Piccinini. Që nuk ka asnjë dyshim: “Kërkesat e imigrantëve duhen pranuar dhe kontributi u duhet dhënë duke filluar nga 1 janari 2014”.

Këtë thotë ligji e vlen edhe për Poste Italiane S.pA. edhe për INPS-in.

Elvio Pasca

 

Kosova, shteti 6-vjeçar. Jahjaga: “Pavarësia është e pakthyeshme”

Rocco Casalino (M5S): “Io razzista? No, attore…”