in

Kosovë: 2 korriku 1990, dita kur nisi e nesërmja

Përkujtohet në Prishtinë Kuvendi i Kosovës i 2 korrikut 1990 dhe Deklarata Kushtetuese e Kosovës e nënshkruar në atë datë. “Pas njëzet e një vitesh sot e kemi Kosovën të lirë, shtet sovran e të pavarur”, shprehnin sot gëzimin delegatët në vendin ku kishin votuar dhe nënshkruar Deklaratën Kushtetuese

Prishtinë 2 korrik 2011 – “Këta janë heronjtë e 2 Korrikut”, thoshin njerëzit kur i shihnin sot së bashku në Sheshin Skënderbej në Prishtinë, delegatët e Kuvendit të Kosovës që para 21 vitesh shpallën Deklaratën Kushtetuese për Kosovën e pavarur dhe të barabartë.

Nga të gjitha anët e vendit ata kishin mbërritur me kohë në kryeqytet dhe pasi kaluan sheshin hynë në ambientet e ndërtesës shumëkatëshe të qeverisë së Republikës së Kosovës ku u pritën me nderime, në emër të kryeministrit, Hashim Thaçi, nga zëvendës kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ata, delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve tjera, si sot edhe atëherë kishin mbërritur në kohën e vendin e duhur. Nuk ishin vonuar dhe nuk kishin dashur të humbnin asnjë minutë nga ora e dita e 2 korrikut 1990, kur shpallën Deklaratën Kushtetuese në gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor, para dyerve të Kuvendit të Kosovës, të cilat ua kishin mbyllur me urdhër serb nga Beogradi.

“Deklarata Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës (konfederatës)” , ishte edhe si kundërpërgjigje e rrënimit kundërkushtetues e me forcë, me kushtetutën e tankeve serbe, të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëhershme jugosllave, nga shpërbërja e përgjakshme e së cilës dolën shtatë shtete.

“Pas njëzet e një vitesh sot e kemi Kosovën të lirë, shtet sovran e të pavarur”, shprehnin gëzimin delegatët në vendin ku kishin votuar dhe nënshkruar Deklaratën Kushtetuese.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 korrikut të para 21 viteve ishte: seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës të para 21 viteve, Muharrem Shabani, kujton sot për ATSH-në:

“Mëngjesi i 2 korrikut më gjeti në një shtëpi, e cila nuk ishte e imja në Vushtrri, as e të afërmve të mi në Prishtinë, ku një ditë më herët erdha pasi u përshëndeta me familjen…Fjeta tjetërkund që t’i shmangem arrestimit, meqë kishin filluar ndjekjet penale kundër meje e delegatëve të tjerë… Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit,  që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën e Bankës së Kosovës, që tashmë është kjo ku jemi, e qeverisë…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa të tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Shabani shpreh kënaqësinë që flet për një “agjenci të veçantë dhe të respektuar” dhe që ka rastin edhe për një falënderim, duke kujtuar rrugën e vështirë që kaloi Kosova deri në liri e pavarësi, si dhe gjithë zhvillimet pas 2 korrikut.

“Falënderoj nga zemra për mbështetjen vëllezërit tanë, qytetarët dhe shtetin e Shqipërisë. Nuk do të mund të arrinim këtu ku jemi pa këtë përkrahje dhe bashkëpunimet, të cilat vazhdojnë edhe për të ardhmen”.

Në kohën e Deklaratës së 2 korrikut, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ishte Iliaz Ramjali, i cili faktikisht udhëhiqte me shumicën e delegatëve, meqë kryetari ishte nga radhët e serbëve që kundështonin autonominë dhe pavarësinë e Kosovës.      
Më pas, Ramajli udhëhiqte Kuvendin e Kosovës, kur miratoi Kushtetutën dhe me të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik më 7 shtator 1990, kur u mbajtën Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991 dhe zgjedhjet e para parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992 të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, ngjarje këto që shenjojnë kthesën historike në lëvizjen demokratike gjithëpopullore kosovare për liri e pavarësi, të viteve ’80-’90 të shekullit të kaluar. 

Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 i kishin paraprirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të clat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur.

Në pritjen e sotme, duke iu drejtuar delegatëve plot respekt, zv/kryeministri Hajredin Kuçi, duke e ndërlidhur ditën e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese me Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës shprehej se, “sikurse që në 2 Korrikun 1990 kanë qenë me ju qytetarët e Kosovës, jam i bindur që më 17 Shkurt 2008 të gjithë ju keni qenë me ne atë ditë, sepse ka qenë një sublimim i vullnetit të përbashkët”.

Zv/kryeministri Kuçi tha se 2 Korriku ka rëndësi në kuptimin historik dhe kombëtar, politik, demokratik dhe juridik për Kosovën. 

“Qeveria e Kosovës, unë dhe gjithë qytetarët e Republikës ndihen krenarë me atë ditë dhe ju protagonistët e asaj ngjarje që ka rëndësi për ngjarjet që ndodhën më pas”, theksoi Kuçi, duke shtuar se data 2 korrik është shembull se si institucionet e një vendi reflektojnë vullnetin e qytetarëve .  

Ai tha se, “2 korriku shënon shkëputjen institucionale me Serbinë. Natyrisht, kjo nuk ka qenë një gjë e lehtë dhe ky është akti më i lartë demokratik deri në atë kohë”.      

“Sot 21 vite pas nga kjo ngjarje, ju duhet të ndjeheni krenarë . Kosova ka nevojë ende për ju, për kontributin tuaj për ndërtimin e vendit. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë do të jetë mirënjohëse për njerëzit , për individët dhe ngjarjet që kanë bërë protagonizmin e kësaj historie”, theksoi Kuçi.    

Në emër të delegatëve të Kuvendit të Kosovës të vitit 1990 falënderoi Iliaz Ramajli, dhe më pas zëvendës kryeministri Kuçi u dhuroi nga një ekzemplar të librit të Ditës së Pavarësisë “17.02.2008”. 

Një nga protagonistet, delegatet e Kuvendit të Deklaratës së 2 korrikut, Feride Hyseni thotë për ATSH-në se “është një datë e rëndësishme historike për Kosovën, për tërë kombin”.

“Unë jam shumë krenare që jam aktore e asaj ngjarje”, thotë ajo, duke shprehur edhe gjithë gëzimin se Kosova sot është ajo e ëndërrave dhe idealeve të shumë brezave, edhe të 2 korrikut 1990, është shtet i lirë dhe i pavarur.

Sot, në 21 vjetorin e 2 korrikut 1990 të “fillimit të së nesërmes”  – Deklaratës Kushtetuese, Kosova e lirë nga 12 qershori 1999 pas luftës së UÇK-s dhe ndërhyrjes së NATO-s, dhe shtet sovran nga 17 shkurti 2008, kur Kuvendi e shpalli pavarësinë, është e njohur nga 76 shtete anëtare të OKB-së. Është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.

Dhe sot Kosova si shtet zhvillon në Bruksel raundin e pestë të dialogut teknik me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, drejt integrimeve euroatlantike.

Behlul Jashari, ATSh

New York Times: “Riviera shqiptare, një parajsë e lirë”

Chievo Verona blen futbollistin kosovar Përparim Hetemaj