Vetëm gjatë vitit 2011, është njohur nga 13 vende të OKB-së
Romë, 29 dhjetor 2011 – Kosova në prag të Vitit të Ri është njohur nga 85 shtete të botës, anëtare të OKB-së. Vetëm 2011-ta është vit i 13 njohjeve të shtetit të ri evropian.
“Kosova këtë vit ka arritur 13 njohje të reja, të cilat kanë ardhur si produkt dhe në funksion të implementimit të Strategjisë për procesin e njohjeve”, tha të mërkurën zv. ministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi. Sipas tij, që nga data 8 qershor, kur është miratuar në qeverinë e Kosovës, Strategjia për përmbylljen e procesit të njohjeve ka shërbyer si udhërrëfyes në çdo veprim për rritjen e numrit të njohjeve të reja.
Gashi bëri të ditur se këtë vit janë nënshkruar 28 marrëveshje dypalëshe, kryesisht nga fusha e riatdhesimit, promovimi i investimeve, çështjet doganore, transportit ndërkombëtar rrugor, ekstradimit, eliminimit të tatimeve të dyfishta, bashkëpunimit zhvillimor, etj.
Ndërsa, zv. ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, tha se kjo ministri gjatë këtij viti ka shënuar një avancim të madh si në aspektin cilësor edhe sasior, veçanërisht në aspektin e rritjes së kontakteve që janë zhvilluar me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e institucioneve të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. “Fokusi, bazuar edhe në Strategjinë për njohje, ka qenë që të krijohen lidhje të reja, dhe mënyra të reja të komunikimit me shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën”, tha ai.