in

Kosovë. 9 arsye për të festuar 9-vjetorin e pavarësisë

Përtej çdo dallimi politik, kulturor dhe krahinor na bashkon diçka madhështore: dëshira për të qenë përjetësisht të lirë nën pullazin e shtëpisë sonë – Republikës së Kosovës.
Nga Enver Robelli

Ideja e Republikës
«Fuqia e një ideje qëndron në faktin se nuk mund t’i ikësh asaj». (Theodor Herzl)

Në përvjetorin e nëntë të pavarësisë së Kosovës kujtojmë ata që u sakrifikuan në altarin e lirisë. Këtë duhet thënë me bindje të plotë, përtej çdo patetike. Këta njerëz, të mëdhenj e vocërrakë, të vrarë e masakruar në luftëra të shkurtra e të gjata që nga viti 1912 janë një yll përherë shndritës që na tregojnë nga kemi ardhur, ku ishim, nëpër çfarë ferri kaluam dhe si e zumë trenin e lirisë. Gjatë këtij shtegtimi gjenerata të tëra ndoqën një ide: idenë e lirisë. Dhe kjo liri ishte e mundshme të arrihej nën pullazin e Republikës së Kosovës. Në fund nga kjo ide nuk mundën të ikin as ata që kishin besuar në utopi të tjera.

Të shkelur dhe kryengritës
«Njeriu ec drejt. Kush e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj se po e shkelin me këmbë». (Immanuel Kant)

Pavarësia e Kosovës është një shans që njerëzit të kërkojnë fatin e tyre brenda një bashkësie të organizuar shtetërore. Pavarësia është mundësi për të ecur drejt, pa pasur frikë nga kërbaçi i xhandarit serb, policit jugosllav, kusarit shqiptar. Këtë të fundit duhet ta heqim qafe vetë. NATO nuk do të intervenojë për të na çliruar nga «njerëzit tanë».

Shembja dhe ndërtimi
«…të shemben të gjitha rendet në të cilat njeriu është një krijesë e poshtëruar, e skllavëruar, e braktisur, e përbuzur». (Karl Marx)

Për fat të keq edhe në vitet e lirisë shumë njerëz në Kosovë vazhdojnë të poshtërohen. Nuk kanë punë. Nuk gëzojnë kujdes minimal shëndetësor. Marrin pensione që nuk u mjaftojnë për të blerë as qefinin për vetveten. Ballafaqohen me burokratë e hajdutë që shtetin e konsiderojnë pronë të tyre. Këto rende duhet të shemben. Por jo Republika. Jo shteti. Jo rendi demokratik. Këto janë parakusht për një jetë në mirëqenie.

Të mallkuar dhe të bekuar
«Ne jemi të mallkuar për liri». (Jean-Paul Sartre)

Një shekull si popull ishim të mallkuar. Që nga 17 shkurti 2008 kosovarët (shqiptarë dhe të tjerë) janë të bekuar të jenë të lirë – përballë një mijë vështirësive. Megjithatë, të lirë. Ku mund ta vëreni se jeni çliruar? Nuk ka më fëmijë që pagëzohen me emrin Liridon apo Liridona.

Dielli i kulturës
«Kur dielli i kulturës perëndon, edhe xhuxhët hedhin hije të gjata». (Karl Kraus)

E vërteta e hidhur është se jo vetëm pas vitit 1999, por edhe pas vitit 2008 shoqëria kosovare i ka duruar tepër gjatë xhuxhët politikë, xhuxhët e kulturës, xhuxhmaxhuxhët e shkresurinave kriminale. Çdo përvjetor pavarësie mund të jetë çast i duhur për një betejë të re, një fillim të ri që mbi Kosovë të dalë një diell i ri. Majlinda Kelmendi, Rita Ora, Dua Lipa dhe shumë të tjerë gjatë këtyre viteve na kanë dëshmuar se si popull nuk jemi të dënuar të jetojmë nën hijen e xhuxhëve. Duhet të synojmë majat. Nëse arrijmë deri në gjysmë të rrugës – mjafton!

Kundër anarkisë
«Liria e njeriut nuk domethënë të bëjë çfarë të dojë, por të mos bëjë atë që nuk dëshiron ta bëjë». (Jean-Jacques Rousseau)

Popujt që nuk kanë ditur ç’të bëjnë me lirinë e tyre kanë përfunduar në anarki. Shqiptarët (pa marrë parasysh ku jetojnë në Ballkan) nuk kanë ndonjë përvojë të madhe me lirinë. Për këtë arsye përherë kanë prirje të përfundojnë në anarki. Këtë qorrsokak duhet ta evitojnë sidomos gjeneratat e pangarkuara me llogari të së kaluarës.

Guximi
«Sekreti i lirisë është guximi». (Perikliu)

Çfarë vlente në Athinën e lashtë, vlen në vitin 2017 edhe më shumë. Sidomos në Kosovë. Armiqtë e lirisë janë edhe mes nesh.

Me folë, me shkrue
«Të mund të flasësh dhe të shkruash domethënë të çlirohesh: të pranojmë se me atë rast jo përherë krijohet më e mira, por është mirë që bëhet e dukshme, që gjen fjalë dhe ngjyrë». (Friedich Nietzsche)

Përvjetori i pavarësisë është një rast të kujtojmë të gjithë ata njerëz që për një poezi, për një parullë, për një këngë përfunduan në burgje, u torturuan, vdiqën në beteja të pafundme për lirinë e fjalës – në Kosovë dhe në mërgim. Jusuf Gërvalla është njëri prej tyre.

Nëpër botë…
«Njeriu udhëton nëpër botë në kërkim të asaj që i mungon. Dhe kthehet në shtëpi për ta gjetur». (George Moore)

Në çdo 17 shkurt ne të gjithë kthehemi në Kosovë. Sepse aty e gjejmë ose shpresojmë se e gjejmë lirinë. Një liri që gjeneratat para vitit 1999 nuk e panë kurrë (ose e panë shumë të kufizuar). Tash askujt nuk i dridhet dora nga frika kur tregon pasaportën në aeroportin e Prishtinës.

Botuar në Dialog Plus

 

Çerdhet, në krahinën e Venetos rregulla të reja kundër bijve të imigrantëve

Flasim albanese apo parliamo italisht?