Prishtinë 28 mars 2011 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar sot si antikushtetuese zgjedhjen e Behgjet Pacollit President të Kosovës.
Në një njoftim të kësaj Gjykate për mediat theksohet se “lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, më 22 shkurt 2011, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 28 mars 2011, ka shqyrtuar dhe votuar lidhur me këtë rast, duke përfunduar se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011 është jo kushtetues, pasi është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”.
Teksti i plotë i aktgjykimit do t’u dërgohet palëve së shpejti, theksohet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Nuk dihen ende zhvillimet e procedurat e mëtejshme. Por, një nga mundësitë mund të jetë që zgjedhja e Behgjet Pacollit president mund të kthehet për rivotim në Kuvendin e Kosovës.
Media përmend sonte një deklaratë të mëparshme të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, se nëse vërtetohet shkelja, Pacolli nuk duhet gjithsesi të japë dorëheqje, por procedura mund të kthehet nga pika zero, që do të thotë se ai do t’i kthehet garës në Kuvend.
Behgjet Pacolli u zgjodh president më 22 shkurt me 62 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit 120 anëtarësh, në raundin e tretë të votimit, i cili u mbajt edhe pse nuk kishte më shumë se një kandidat, dhe pas dështimit që të zgjidhej në raundin e parë e të dytë, në të cilat fitoi 54 e 58 vota, kur duhej t’i kishte së paku 80 në votimin e fshehtë, derisa në sallë ishin 67 deputetë, pasi grupet parlamentare të partive opozitare u larguan.
Nuk ka asnjë reagim apo prononcim nga Presidenca e Republikës së Kosovës. Para se të shpallej vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nga Presidenca ishte njoftuar axhenda për nesër e presidentit Pacolli, sipas së cilës ai gjatë pasditës do të qëndrojë në Gjakovë për t’u takuar me përfaqësuesit e biznesit, e më pas me intelektualët. Por, pas vendimit më të ri që vjen nga Gjykata Kushtetuese, mund të ketë edhe ndryshim axhende.