in

Për shkak të krizës, 23 sipërmarrës kanë vrarë veten gjatë vitit 2012

Çdo dy sipërmarrje njëra mbyllet brenda pesë vjetëve. Është kjo pasqyra e dhënë nga shoqata e artizanëve dhe e ndërmarrjeve të vogla (CGIA) të Mestres, sipas të cilës, “taksat, burokracia dhe mbi të gjitha mungesa e parave janë vështirësitë kryesore që detyrojnë shumë sipërmarrës të dorëzohen, madje ndonjëherë të kryejnë akte ekstreme si vetëvrasja”

Romë, 16 prill 2012 – Për shkak të krizës ekonomike nga fillimi i vitit 2012 në Itali ka pasur 23 vetëvrasje sipërmarrësish. E thotë Cgia e Mastres, shoqata e artizanëve dhe e ndërmarrjeve të vogla, që nxjerr në dritë për më tepër se vetëm në Veneto janë vetëvrarë 9 titullarë ndërmarrjesh. Të dhënat janë dramatike edhe pse bëhet fjalë vetëm për sipërmarrës e nuk ka akoma një studim mbarëkombëtar që të konsiderojë këtë dukuri edhe mes të papunëve, atyre që po humbasin apo kanë humbur punën katër vjetët e fundit, apo që kanë humbur edhe vetëm një pjesë të konsiderueshme të rrogës.

Të dhënat Istat konfirmojnë ato të Cgia-së. Në vitin 2010 në Itali ka pasur 3.048 vetëvrasje, dukuri në rritje krahasuar me 2.986 të vitit 2009.

Në vitin 2010 vetëvrasjet për motive ekonomike kanë qenë 187 ndërsa në vitin 2009 198.

“Këto vetëvrasje janë një britmë e vërtetë alarmi nga ata që nuk ia dalin dot më. Taksat, burokracia, pamundësia për të pasur para nga bankat dhe vonesat në pagesa kanë krijuar një atmosferë të rëndë që penalizon sipërmarrësit. Për shumë prej tyre, vetëvrasja është parë si akti i vetëm i rebelimit kundër sistemit të shurdhër dhe të pandjeshëm që nuk arrin të kuptojë sa e rëndë është situata”, shprehet Bertolussi, sekretar i Cgia-së.

Këto vështirësi dëshmohen edhe nga një tjetër e dhënë që jep Cgia, sipas të cilës çdo dy sipërmarrje njëra mbyllet brenda 5 vjetëve të parë të jetës: “Mbi të gjitha është mungesa e parave – shpjegon Bertolussi – një prej pengesave kryesore që detyron sipërmarrësit të dorëzohen”.

Komunikata e Cgia-së mbyllet duke nënvizuar rëndësinë që ndërmarrjet e vogla janë shumë të rëndësishme në aspektin e punësimit. Në një çast kur 58% e vendeve të reja të punës krijohet nga sipërmarrjet me më pak se 10 punonjës, siç thotë BE, apo kur 60% e të rinjve italianë të sapo punësuar gjatë vitit 2011 është “përthithur” nga ndërmarrjet e vogla me më pak se 15 punonjës, siç thotë Istat, duket qartë që qeveria duhet të ndërhyjë për të ulur ngarkesën fiskale mbi ndërmarrjet dhe mbi punën në përgjithësi, përndryshe do të jetë shumë e vështirë t’i jepet një hov i ri ekonomisë së këtij vendi.

Edhe sindikata Uil jep alarmin pas përpunimit të të dhënave të Inps-it: në mars ndërmarrjet italianei kanë kërkuar Inps-it 100 milionë orë për çeqet e papunësisë së përkohshme (Cassa integrazione) për të mbrojtur 597 mijë punonjës. Me këto ritme, pohon sindikata, gjatë vitit 2012 do të jenë mëse 1,5 milionë punonjësit që do të përfitojnë nga kjo mbrojtje sociale, pra “do të jenë mëse 1,5 milionë punonjës që do të përjetojnë përvojën e pezullimit nga puna”. 

Ndërkaq, në Romë, të mërkurën më 18 prill, do të organizohet një manifestim i heshtur sipërmarrësish dhe punonjësish për të thënë “mjaft më me vetëvrasjet”. Shoqatat e punëdhënësve dhe sindikatat e punonjësve kanë ilustruar nismën e përbashkët të sensibilizimit që do të mbahet në Pantheon nga ora 20.00. pas alarmit të dhënë nga kryetari i Federlazio-s Maurizio Flammini, tashmë kanë përkrahur nismën edhe shumë organizata të Romës e Lazios nga Casartigiani te Coldiretti, nga Confagricoltura te Confartigianato, por edhe Confcommercio, Confesercenti, Confcooperative, Legacoop, Unindustria fino a Cgil, Cisl, Uil e Ugl.

Milano. Più famiglie cinesi di cognome Hu che milanesi doc Brambilla

Lega Nord. “Cellulari per noi! Cellulari per voi”