Kriza ekonomike në vendet fqinjë dhe veçanërisht në Greqi, po detyron shumë prej emigrantëve shqiptarë që punojnë atje prej vitesh, të shohin si alternativë kthimin në atdhe dhe vetëpunësimin në biznese private, më së shumti në sektorin e shërbimeve
Tiranë, 18 tetor 1011 – Rezultatet zyrtare nga Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL) bëjnë të ditur se në 9 muajt e parë të këtij viti, numri i lejeve dhe licencave të dhëna është rritur 10% krahasuar me një vit më parë. Sipas autoriteteve, kjo rritje ka lidhje me kthimin e emigrantëve, kryesisht nga greqia.
Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Thoma Miço, është shprehur së fundi në media se sivjet janë kthyer 400 emigrantë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2010.
“Për shkak të krizës dhe rritjes së papunësisë në vendet ku punojnë, pritet që tendenca e rikthimit të tyre të jetë më e lartë”, shprehet Miço. Nga korriku 2010 në të gjitha zyrat e punës janë çelur 38 sportele të veçanta për emigrantët e kthyer, pasi mëse gjysma e emigrantëve të rikthyer janë regjistruar në zyrat e punës si punëkërkues dhe për të marrë kurse profesionale.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Licencimit, QKL, Edmond Palushi, shprehet se rreth 40% e lejeve dhe licencave janë dhënë nga zyrat e QKL-së në rrethe”.
Duke folur me shifra absolute, në 9 muajt e parë, numri për leje dhe licencat për biznese ka arritur në 3.700 nga 3.420 që ishin një vit më parë në të njëjtën periudhë. Kjo rritje spikat kryesisht në sektorët e shërbimit, çka tregon orientim të ri të tregut nga bizneset, ku vendin kryesor e zënë lejet dhe licencat në sektorë si mjedisi, farmacitë, prodhim dhe tregti me shumicë.