in

Kryetari i bashkisë: “Nuk më vjen keq për të riun e vrarë nga karabinieri”

Reagon komuniteti shqiptar në Bergamo: “E papranueshme një deklaratë e tillë përballë një tragjedie”.
Locatelli, eksponent i Legës, kryetar i bashkisë së Chiudunos sot tërhiqet disi e shkruan: “Një jetë e shuar është tragjedi, gjithmonë. Më vjen keq për familjarët, për miqtë e për djalin”

Romë, 26 nëntor 2013 – “Është e rëndë nëse them që nuk më erdhi keq për hajdutin e vrarë gjatë  ndjekjes nga karabinierët? Solidaritet me forcat e rendit, që janë gjithnjë e më pak të fuqishme përballë drejtësisë që nuk ekziston dhe që vazhdon të lërë në liri kriminelët”.

Është qëndrimi i shprehur në Facebook nga Stefano Locatelli, eksponent i Legës dhe kryetar i Bashkisë së Chiudunos në provincën e Bergamos lidhur me vrasjen nga karabinierët të Behexhed Bushi të shtunën, më 23 nëntor. Ishte vetëm 27 vjeç e, në rastin më të keq, hajdut. Por a mjafton kaq për të shkrepur armën e për ta vrarë? E për ndonjë tjetër, edhe për të justifikuar karabinierin që e vrau?

Për miqtë e Bushit, ai nuk ishte hajdut por djalë punëtor që “u gjend në vendin e gabuar në çastin e gabuar”. Sipas sekretares së shoqatës Alba të Bergamos, Borana Tartari, dhjetëra shqiptarë kanë shkuar për ngushëllime në shtëpinë e motrës dhe i kanë çuar edhe 3.000 euro që kanë mbledhur për të kthyer trupin e Behexhedit në Shqipëri. “Ishte djalë i mirë e punëtor – ka thënë ajo për L’Eco di Bergamo – Kishte ardhur në Itali që i vogël, në vitin 1994, dhe që atëherë ka pasur gjithnjë leje qëndrimi”.

“Ne kemi besimin maksimal te drejtësia italiane, nuk duam hakmarrje kundrejt forcave te rendit që bëjnë punën e tyre e na mbrojnë, presim me qetësi dhe besim përfundimin e hetimeve.  – thotë për shqiptariiitalise.com Sonila Alushi, sipërmarrëse e gazetare në Begamo – Sa për deklaratën e parë të kryebashkiakut të Chiudunos,  është e papranueshme përballë një tragjedie. Jemi të indinjiuar të gjithë si komunitet dhe si qytetarë të Bergamos për këtë. Është e papranueshme sidomos nga ana humane: vdekja nuk i urohet askujt. Dhe së fundi, nuk mbrohet siguria duke shkaktuar vdekjen e dikujt dhe ky mesazh duhet të mbërrijë i qartë, veçanërisht nga një kryebashkiak”.

Locatelli ishte i bindur për mendimin e shprehur në Facebook, aq sa e ka mbrojtur edhe gjatë mbledhjes së këshillit komunal. Vetëm sot i “zbut” disi fjalët e përdorura. Heq shënimin e parë në Facebook e vë një të ri “Siç e thashë edhe në Këshillin komunal, unë doja të dënoja figurën e hajdutit për aq sa dimë deri tani nga rindërtimi i ngjarjes. Natyrisht nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla (vrasje nga ana e karabinierit), dhe është po aq e natyrshme kombësia e viktimës nuk ka të bëjë aspak: nuk duhet parë gjithnjë si çështje racizmi. Kemi njerëz të ndershëm nga çdo racë e besim fetar që jetojnë me ne. Problem janë të pandershmit, qofshin këta italianë apo të huaj. Një jetë e shuar është tragjedi, gjithmonë. Më vjen keq për familjarët, për miqtë e për djalin. Njësoj siç më vjen keq për viktimat e vjedhjeve që nuk arrijnë të flenë të qetë në shtëpi të tyre”.

Shqiptari i Italisë

Lexo edhe: Bergamo. Karabinieri vret me armë 27-vjeçarin Bushi

 

Torino. Kalojnë natën mbi vinç në protestë për rrogën që nuk u paguhet prej muajsh

L’Albania protagonista di “Nice to meet you” dell’Università di Siena