Me propozim të të majtëve, Ilir Meta u zgjodh kryetar i Kuvendit, post që mbajti për tetë vjetët e fundit Jozefina Topalli. Nga 137 deputetë që morën pjesë në votim, 91 votuan në favor të emrit të Metës, 45 kundër dhe 1 abstenoi, fakt që tregon se Meta ka marrë, veç votave të mazhorancës së re, edhe 8 vota nga ato të koalicionit të djathtë.
Fjala përshëndetëse e Ilir Metës si Kryetar i Kuvendit
Të nderuara zonja deputetë,
Të nderuar zotërinj deputetë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar të ftuar, zonja dhe zotërinj
Në 23 qershor shqiptarët votuan masivisht me një shprese të madhe, të cilën ne jemi zgjedhur dhe thirrur ta metapërmbushim, këtu në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Kjo shpresë dhe porosi e shqiptarëve për t’i përfaqësuar e për të zhvilluar vendin, është shprehje e besimit që ata kanë tek ne, për të kuvenduar me urtësi, qetësi dhe përgjegjshmëri, për të ardhmen e popullit dhe vendit tonë.
Ky Kuvend, duhet të përfaqësojë atë që është pritshmëria e qytetarëve, por dhe praktika më e mirë e punës së parlamenteve europiane, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, seriozitetin politik dhe etikën, tolerancën dhe bashkëpunimin, kurajën dhe vizionin, respektin për ligjin dhe parimet demokratike.
Kuvendi i ri jam i bindur do të çojë përpara axhendën tonë evropiane.
Sepse shqiptarët kërkojnë nga të gjithë ne, reforma të thella dhe të qëndrueshme të cilat na afrojnë dhe na integrojnë më shumë dhe më shpejt me Europën, reforma që u sjellin atyre më shumë vende të reja puna, reforma që përmirësojnë jetën e tyre dhe ua bëjnë më të sigurt dhe të begatë të ardhmen e fëmijëve në atdheun tonë e përbashkët.
Prandaj edhe ftesa ime e parë, që buron nga të dëgjuarit e zërit të qytetarëve që na kanë nderuar dhe sjellë këtu, është pikërisht lënia pas e frymës konfliktuale.
Jemi këtu për të bërë më të mirën për vendin dhe popullin tonë me alternativa konkrete, të matshme dhe të prekshme.
Na duhet të japim llogari çdo ditë se çfarë ligjesh të reja do miratojmë dhe si i zbatojmë ato për të bërë jetën e të gjithëve më të mirë dhe më të sigurt.
Jam i bindur se ky Kuvend i ri do të ketë me shumë konstruktivitet e pozitivitet, më shume alternativa dhe më shumë zgjidhje.
Këtë përqasje politike e bën imperative edhe shëndeti jo i mirë i ekonomisë, treguesit e varfërisë dhe papunësisë që janë shqetësuese dhe në rritje.
Papunësia dhe varfëria janë kundërshtarët tanë të vërtetë, janë sfidat e përbashkëta që duhen fituar në emër të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim.
Matësi më i mirë e më i sigurt i çdo politike dhe i kontributit të gjithsecilit prej nesh është pikërisht përgjigja e pyetjeve “Sa vende të reja pune kemi hapur sot? Dhe se sa shqiptarë e kaluan pragun e varfërisë sot?”. Vetëm kështu do të rivendosim besimin e duhur të qytetarëve te klasa politike në vend.
Ky besim do t’i japë guximin dhe energjinë e duhur ekonomisë shqiptare që të rimëkëmbet. Që sipërmarrja të gjejë forcën, mjetet dhe partneritetin e duhur te qeveria dhe te shteti i të drejtës. Kështu vendi do të ketë më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të bëhet një vend më tërheqës për investitorët e huaj, ekonomia jonë do të rritet dhe vendet e punës do të shtohen.
Jam i bindur që përmirësimi i situatës ekonomike, fillon me themelimin e një partneriteti të fortë dhe transparent, me sipërmarrjen shqiptare dhe të huaj, e cila hap vende të reja pune dhe krijon mirëqenie për qytetarët tanë.
Ne duhet të reformojmë modelin tonë ekonomik, duke u bazuar tek shfrytëzimi më efikas dhe transparent i resurseve tona natyrore, tek rritja e prodhimit vendas, por mbi të gjitha tek menaxhimi më i mirë i burimeve tona njerëzore.
Reforma të rëndësishme na presin për funksionimin më efikas të institucioneve, për të rritur pavarësinë e tyre, por edhe koordinimin mes njëri-tjetrit, sepse zhvillimi dhe përparimi drejt Europës nuk është vepër vetëm e një mazhorance, por një sipërmarrje kolektive kombëtare, e bazuar në gjithëpërfshirjen e çdo qytetari, çdo politikani dhe institucioni, ku roli i opozitës është i pazëvendësueshëm.
Do të përkujdesemi më shumë për çdo qytetar të këtij vendi, kudo ku jeton, nga Vermoshi në Konispol, sepse është e drejta e tyre të jetojnë në mirëqenie, është detyra jonë ta garantojmë atë.
Përkujdesja jonë do të rritet edhe për ata qytetarë që jetojnë jashtë kufijve, në trojet shqiptare apo në emigracion. Ata janë pjesë e botës sonë shqiptare, dhe përkujdesja ndaj tyre është detyrim madhor dhe kushtetues për të gjithë në.
Për të realizuar këto reforma, së pari duhet të reformojmë veten tonë. Duhet t’i përgjigjemi zhvillimeve të shpejta e t’i udhëheqim ato. Do të rrisim efikasitetin tone në drejtim të përafrimit të legjislacionit me atë BE-së, të thjeshtëzimit e përmirësimit të legjislacionit të vendit dhe në veçanti do forcojmë zbatueshmerinë e ligjeve.
Transparenca dhe gjithëpërfshirja do të jenë vendimtare për suksesin e këtij Kuvendi.
Gjithkush, pavarësisht bindjeve apo pozicioneve partiake, që dëshiron të kontribuoje për të bërë ligje të mira dhe të dobishme për vendin, për të konceptuar politika realiste dhe të frytshme, do të jetë i mirëpritur dhe i respektuar.
Për këtë qëllim ne do të bashkëpunojmë ngushtë edhe me shoqërinë civile, botën akademike dhe universitare, si dhe me grupet e interesit.
Unë jam i bindur se ekziston dëshira dhe vullneti i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës së këtij Kuvendi, që ne të vendosim një standard të ri të sjelljes politike në komunikimin politik ku debatohet për idetë, politikat dhe ligjet, dhe jo për personin.
Të bashkojmë përpjekjet tona maksimalisht për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përmes integrimit të punës sonë të përbashkët Pozitë dhe Opozitë, sepse besoj se në thelb kemi një qellim të përbashkët, mirëqenien, zhvillimin, sigurinë, dhe rritjen e dinjitetit të qytetarëve tanë dhe të Shqipërisë.
Ne jemi besimplotë se si deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, do të vazhdojnë të jenë përkrah nesh duke na mbështetur fuqimisht në arritjen e objektivin tone madhore, atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ky Kuvend do të kontribuojë për një Shqipëri të fortë e të qëndrueshme, e cila fuqizon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, në një kohë kur faktori shqiptar, kudo që ai ndodhet dhe jeton, kontribuon për paqen dhe perspektivën europiane.
Shembulli më i qartë është roli i shtetit më të ri, atij të Kosovës që forcon çdo ditë njohjen ndërkombëtare dhe me guxim ecën drejt dialogut dhe bashkëpunimit rajonal si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit.
Ky është një shekull që punon e do të punojë për të mirën e shqiptarëve.
Të nderuar kolegë,
Si Kryetar i Kuvendit unë jam këtu që të siguroj zbatimin rigoroz të Rregullores së Kuvendit, të siguroj të drejtat e çdo deputeti në përgjithësi, dhe respektimin e angazhimit konstruktiv të opozitës, frymën e tolerancës dhe konsensusit.
Sfidat që kemi përpara janë të mëdha, por jam i sigurt se progresi dhe zhvillimi i vendit do të jetë më i shpejtë dhe më i begatë nëse përpjekjet e bashkëpunimit dhe interesit kombëtar prevalojnë mbi interesat partiake.
Jam i bindur se do të jemi të suksesshëm vetëm duke mos harruar për asnjë moment se ky nuk është Kuvendi ynë i 140 deputetëve, por është Kuvendi i popullit shqiptar, i mbarë qytetarëve tanë, te cilët votuan plot dinjitet dhe si qytetare europian 23 qershor.
Le të reflektojmë edhe ne në këtë Kuvend, me të njëjtin dinjitet dhe përgjegjshmëri që ta meritojmë plotësisht besimin e tyre.
Punë të mbarë të gjithëve!