Nga hetimet del se pensionisti ka thënë të vërtetën: 22-vjeçari ishte në kuzhinën e tij kur e qëlloi
Romë, 1 dhjetor 2015 – Kthesë në hetimet mbi vrasjen e 22-vjeçarit Gjergj Gjoni në Vaprio d’Adda të Milanos. Verifikimet e analizat e deritanishme po i japin të drejtë të zotit të shtëpisë, Francesco Sicignano, që gjithnjë kishte thënë se më 20 tetor kishte qëlluar kur hajdutin e kishte gjetur në kuzhinën e vilës së tij dhe i ishte dukur i armatosur (në fakt viktima kishte në dorë një elektrik nate).
Nga hetimet paraprake dukej sikur i zoti i shtëpisë e kishte vrarë 22-vjeçarin kur ky i fundit ishte jashtë shtëpisë. Por nga verifikimet e mëpasshme të kryera nga RIS i Parmës rezulton se ka shenja gjaku të viktimës në kuzhinë, gjë që përputhet me versionin e dhënë nga i zoti i shtëpisë.
Këto risi sjellin rënien e akuzës për vrasje ndaj të zotit të shtëpisë, që ndërkohë ka hedhur kandidaturë për kryetar komune në radhët e Forza Italia-s.
Avokati i të moshuarit shpreson që të bjerë edhe akuza e vetëmbrojtjes së tepruar e që çështja të mbyllet.