in

Kultura shqiptare protagoniste në Genova

“Shqipëria mes luksit e shkëlqimit” e inauguruar më 4 nëntor ne Musei di Strada Nuova, Palazzo Bianco do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 13 marzo 2011

Më 4 nëntor 2010 është inauguruar në ambientet e Palazzo Bianco të Gjenovës ekspozita “Albania fra lussi e splendori” organizuar nga Sektori i Muzeve të Bashkisë së Gjenovës në bashkëpunim me Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Liguria.

Inaugurimi i kësaj ekspozite shënonte edhe pikënisjen e një seri aktivitetesh paralele si sfilata e kostumeve të tradicionale të dy komuniteteve të tjera emigrantësh me prezenca të konsiderueshme në Gjenova, si ai indian dhe jugafrikan, të planifikuara këtë muaj në kuadrin e projektit të Shërbimit qytetar Kombëtar titulluar “Kultura në valixhe. Rrugë integrimi kulturor mes Muzeve e Bibliotekave” duke bërë të mundur që kulturat e ndryshme apo të ashtuquajturat “kulturat e reja” të bëhen protagoniste në Muze.

Të pranishëm në inaugurim të”Albania, lussi e splendori – costumi tradizionali dall’Albania e dai Balcani” ishin vetë konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Liguria,  Giuseppe Maria Durrazo, drejtori i Muzeve të Strada Nuova të Gjenoves Piero Boccardo, kuratorja e ekspozitës Loredana Pessa, drejtori krahinor për pasuritë dhe aktivitetet e kulturës të Ligurias, Maurizio Galletti, përfaqësuesi i kabinetit të kryetarit të bashkisë së Gjenovës, Manlio di Lorenzo, presidentja e Shoqatës ASA -Altra Sponda dell’Adriatico,  Angela Valenti Durrazzo si dhe një publik i gjerë me artistë, gazetarë, studente e punëtorë shqiptarë me banim në qytet e zonat përreth si dhe përfaqësues të komuniteteve emigrante.

Në nëntor të vitit të kaluar, “Shqipëria, kaq afër e kaq larg”, ishte protagoniste po në Gjenova, në një ekspozitë figurative realizuar mes bashkëpunimit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Muzeut të Artit Bashkëkohor të Villa Croce organizuar nën kujdesin e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Liguria dhe shoqatës ASA – Alta Sponda del Mare Adriatico, e sërish këtë vit, po në nëntor, Shqipëria ishte protagoniste me kulturën e saj shekullore nëpërmjet kostumeve të mrekullueshme të traditës që në format e ngjyrat e qëndisjeve kanë ruajtur gjurmët e qytetërimeve e lashta.

Në qendrën historike të Gjenovës, në rrugën Garibaldi, në Palazzo Bianco, kjo ekspozitë evidenton një kulturë të lashtë, të konsideruar “të re” për shkak të shkallës së ulët të njohjes së saj nga popullata, një kulturë e një vendi fqinjë por dhe e komunitetit më të madh të emigrantëve në rajon,  e”mbuluar” nga lajmet e kronikave të zeza, që për vite me radhë kanë mbushur faqet e gazetave italiane, me problemet e emigracionit e të integrimit.

Pikërisht integrimi duke qenë një proces që përfshin popullsinë emigruese dhe popullsinë autoktone kërkon impenjim nga të dy palët mbasi integrim nuk do të thotë asimilim, por përshtatje e respekt ndaj ligjeve e rregullave sociale që dominojnë në vendin e huaj e njëkohësisht ruajtje e identitetit të origjinës që do të thotë ruajtje e trashëgimi të traditave,  kulturës,  gjuhës si pjesë e rëndësishme e komunikimit me komunitetin e origjinës. Në këtë pikë, kjo ekspozitë, si dhe të tjera aktivitete dedikuar këtë muaj kulturave të tjera përbëjnë një kontribut në njohjen e realiteteve që nuk mund të injorohen, mbasi e përditshmja është një bashkëjetesë me njerëz të kulturave të tjera dhe njohja e tyre përbën një hap të rëndësishëm pikërisht të integrimit paqësor.

Ekspozita “Albania fra Lussi e splendori” nëpërmjet veshjeve të krahinave të ndryshme për burra e gra, me plot kuptim vepra arti të qëndisura e qepura mrekullisht nga duart e mjeshtërve artizanë, që vijnë nga Shqipëria (por edhe nga Mali i Zi, Kroacia, Turqia, Greqia e Bullgaria) bashkë me tekstet e librave antikë të ekspozuar krah tyre, tabelave me përshkrime e komente në gjuhën shqipe, anglisht e italisht prezantojnë momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë që nga Skënderbeu. Një “udhëtim” i magjishëm ky në Shqipërinë, mes jelekëve, pelerinave, bluzave e fustanellave. Mes shkëlqimit të ngjyrave të ndezura të pëlhurave e Reflekseve të dritave mbi fijet e argjendit e arit, që mrekullisht u japin formë figurave simbolike në veshje, ndihet jehona e qytetërimit të lashtë, luksi i një epoke antike që si një simfoni e bukur shoqëron këtë udhëtim të vizitorit e Bajronit, udhëtarit të dashuruar pas natyrës e kostumeve shqiptare.

Plotësojnë “udhëtimin” imagjinar mbi kostumet shqiptare e për më tepër ndihmojnë vizitorin të kuptojë tipologjinë e veshjeve e përkatësinë krahinore, 22 foto në bardhezi të ardhura nga Fototeka “Marubi” në Shkodër, ku pozojnë gra, burra e fëmijë të veshur me kostume tradicionale. Këto foto, bujarisht të vëna në dispozicion për këtë ekspozim nga Giuseppe Maria Durazzo, Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Liguria janë stampa të realizuara nga origjinalet e Arkivit të Dinastisë “Marubi” në Shkodër, (deklaruar Trashëgimi kulturore e Unesco-s) ekspozohen për herë të parë në Gjenova.

Si një fill lidhës mes të djeshmes e të sotmes, mes artit tradicional shqiptar dhe atij bashkëkohor vlen ekspozimi i skulpturës në çelik inoks e skulptorit Helidon Xhixha dedikuar Nënë Terezës.
Serish reflekse dritash, sërish shkëlqim i artit shqiptar, kësaj here magjishëm sjellë në çelik, në një material të fortë dhe të ftohtë por që në duart e Mjeshtrit Xhixha bëhet i “butë” si pëlhura e kostumeve tradicionale e ku me veprime mekanike e jo me gjilpërë, artisti ka “qëndisur” figurën e Nënë Terezës,  simbol krenarie shqiptare por dhe dialogu mes kulturash.

Në fund, Flamuri shqiptar, i shpalosur në një faqe të tërë muri demonstron në këtë “udhëtim” mes lashtësisë dhe të sotmes, jo vetëm një simbol identiteti por dhe gatishmërie për njohje, për dialog e progres qytetar.

Albana Temali

Herët a vonë shqiptarët do ta kuptojnë sa larg Europës janë në të vërtetë

Paderno: 63 vjeçari Scapolan, viktima e parë