De Biasi futbollistëve: “Unë kam besim të ju. Mund të jini të parët që mund të kualifikoheni në një Botëror në historinë e kombit tuaj, të kombit të baballarëve e nënave tuaja”
Tiranë, 6 shtator 2013 – Brenda pak ditëve, sot me Slloveninë pas katër ditësh me Islandën, kombëtarja shqiptare do të luajë jo thjesht dy ndeshje por të ardhmen e saj drejt botërorit 2014. Pas fitores në transfertë kundër Norvegjisë, ëndrrat janë të mëdha, shumë të mëdha.
Sot në Lubjanë janë me mijëra tifozët kuqezi që do të mbushin sot shkallët e stadiumit, e jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Italia, Austria, Zvicra, Belgjika, Franca.
Mes futbollistëve morali është i lartë por gjithsesi ata janë realistë. “Nuk jemi në pozitë historike; do të bëjmë maksimumin që kjo të ndodhë. – thotë për kuqezinjtë kapiteni Cana – Do vazhdojmë të qëndrojmë me “këmbë në tokë”. Nëse marrim një rezultat pozitiv ndaj Sllovenisë, kjo do të ketë ndikim edhe në ndeshjen tjetër pasardhëse. Ndodhemi në një pozicion (të dytët në grup) që nuk kemi qenë kurrë më parë, por akoma nuk kemi bërë historinë. Ne duhet të japim dyfishin nga vetja”. “Ne nuk jemi politikanë që të premtojmë – shton kapiteni – Ajo që duhet të bëjmë është që të përgatitemi sa më mirë dhe të luajmë fort”.
E për t’i nxitur e për t’u shtuar besimin në vetvete djemve të kombëtares, trajneri Gianni De Biasi u ka nisur një letër shumë prekëse. “Nëse në çdo çast do të jeni të gatshëm për të luftuar, për të vuajtur, për të derdhur lot për fanellën që mbani veshur, nuk do të jeni inferiorë ndaj askujt. – shkruan mes të tjerave De Biasi – Unë kam besim të ju. Mund të jini të parët që mund të kualifikoheni në një Botëror në historinë e kombit tuaj, të kombit të baballarëve e nënave tuaja”.
Letra e plotë
Sot fillon një rrugë e re.
Nuk ka rëndësi se sa kohë kemi punuar së bashku, sepse ajo që SOT ka rëndësi, është që duke filluar që tani, NE do të hedhim bazat “për tu bërë të mëdhenj”. Një mënyrë e re e të qenit, ata të cilët askush prej jush nuk e ka njohur më parë. Duke filluar që sot, me MUA do të keni vetëm një mundësi: Të dilni në fushë dhe të bëheni të mëdhenj. Heronj në hapësirën tonë. Mjafton vetëm pak, mjafton ta kërkosh. Mund të bëheni ai grup lojtarësh që deri më sot i kanë quajtur një grup “djemsh të mirë”, ose të filloni të bëheni një GRUP që ka dëshirën të fitojë diçka të rëndësishme. Në fillim do të jeni një GRUP për të mbrojtur vetën TUAJ dhe për të mbrojtur shokët tuaj, një GRUP të cilët çdo kundërshtar duhet të ketë frikë. Nuk ka taktikë që të ndihmon, nuk është 4-1-4-1, që do na bëjë të shkojmë larg dhe të arrijmë objektivat. Është dëshira për të punuar çdo minutë së bashku në fushë gjatë stërvitjeve, gjatë mbledhjeve teknike dhe gjatë ndeshjeve ajo që do të na shtyjë përpara.
FITORET përgatiten dhe jo gjithmonë fiton më i forti. Ndonjëherë fiton ai që ka më shumë dëshirë, kush është më i përgatitur në një moment të caktuar, kush niset i pari, kush është më i vëmendshëm në çdo detaj. Nëse do të arrijmë këtë në sytë tuaj, kundërshtarët do të shohin një dritë që nuk është gjë tjetër, por vendosmëria JUAJ për të arritur fitoren.
Dhe nëse në çdo moment do të jeni të gatshëm për të LUFTUAR, PËR TË VUAJTUR, PËR TË DERDHUR LOT PËR FANELLËN QË mbani veshur për të ndihmuar shokun TUAJ, nuk do të jeni inferiorë ndaj askujt. UNË KAM BESIM TEK JU. Mund të jeni të parët që mund të kualifikoheni në një Botëror në historinë e këtij KOMBI, të KOMBIT TUAJ, të KOMBIT të baballarëve dhe nënave TUAJA, një KOMB të cilin edhe unë kam filluar ta ndjej pjesë timen. Mund të jeni të parët që arrini një objektiv kaq të rëndësishëm për Shqipërinë. Dhe kur një ditë të ktheheni në shtëpi, do të jeni të vlerësuar. Përgjithmonë do të flasin për ju dhe për atë që ju keni bërë. Jeni të gjithë të rritur, bëni punën më të bukur në botë dhe ka ardhur momenti që të kapni çdo çast që jeta ju ofron. Dilni në fushë dhe filloni. UNË KAM BESIM DHE JAM ATY ME JU.