in

Kur puna vret

Edhe pse numri i përgjithshëm i fatkeqësive në punë bie nga viti në vit, rastet mes emigrantëve shtohen. Sepse shtohet numri i tyre por edhe sepse bëjnë punët më të vështira në kushte të mangëta sigurie. Mbi 143 mijë rastet e fatkeqësive në punë të denoncuara dhe 176 vdekje të bardha. Mes tyre, 21 janë shqiptarë

Janë rumunë, shqiptarë e marokenë të huajt më të shumtë në Itali e po ata që kanë më shumë fatkeqësi në punë, dhe më shumë viktima. Sipas të dhënave të INAIL-it, institutit italian për fatkeqësitë në punë, gjatë vitit 2008 numri i të huajve të regjistruar në INAIL është 3.266.395, me një rritje prej 6,1% krahasuar me vitin 2007. Nga këta rreth 718 mijë janë rumunë, të dytët renditen shqiptarët me 256 mijë të siguruar.

Në të njëjtën periudhë në INAIL janë denoncuar 143.561 fatkeqësi në punë (2.776 raste më shumë se një vit më parë), me 176 viktima (2 më pak se në 2007-tën) vetëm mes të huajve. Fatkeqësitë në punë që kanë prekur shqiptarë gjatë vitit 2008 kanë qenë 14.746, dhe në to kanë humbur jetën 21 vetë. Kundrejt një viti më parë numri i përgjithshëm i fatkeqësive është rritur me rreth 2% (gjithsesi më pak nga ç’është rritur numri i të huajve të siguruar në INAIL), ndërkohë që numri i përgjithshëm i fatkeqësive në punë në Itali është ulur (nga 771.625 në vitin 2007, në 731.379 në 2008-tën).

Në një kohë kur të siguruarit në përgjithësi në Itali janë rritur gjatë vitit vetëm me 0,8%, ata të huaj rriten me 6,1% çka do të thotë që krahu i punës i emigrantëve është shumë i kërkuar e i domosdoshëm në Itali. 5% e të siguruarve të huaj në Itali janë zejtarë, 3% me kontrata pune atipike dhe 92% me kontratë pune të varur, e nga këta të fundit vetëm 4% është i punësuar me anë të agjencive interinale.

Përsa u përket prejardhjes, në vendet e para renditen Rumania (22%), Shqipëria (7,8%) dhe Maroku (7%), tri shtete që përmbledhin 37% të forcës së punës së huaj të siguruar në INAIL. Po këto shtete renditen të parat edhe në numrin e fatkeqësive në punë dhe të vdekjeve të bardha. Është për t’u veçuar këtu Kinë, që me 110 mijë të siguruar, e gjashta në renditjen e punonjësve të siguruar, renditet vetëm e 28-ta për numër fatkeqësish në punë të denoncuara.

Edhe pse numri i fatkeqësive dhe viktimave në punë është i lartë në njëfarë mënyre mund të ngushëllojë disi fakti që në një kontekst punësimi dinamik, ecuria historike e fatkeqësive në punë mund të justifikohet: kundrejt një rritjeje të të siguruarve me 6%, në të njëjtën periudhë rritja e fatkeqësive ka qenë më modeste vetëm me 2%. Po të analizojmë më me hollësi, do të shohim që rritja e fatkeqësive në punë shkaktohet nga rritja me 10% e fatkeqësive të punonjësve komunitarë, pasi ata jokomunitarë kanë një ulje të lehtë me 0,5% krahasuar me vitin 2007.

Numri i vdekjeve të bardha ka mbetur thuajse i njëjtë me një vit më parë,176. Ashtu si edhe për denoncimet e fatkeqësive në punë edhe në vdekjet e bardha regjistrohet rritje për komunitarët (nga 59 vdekje në 67) dhe rënie për jokomunitarët (nga 119 vdekje në 2007-tën në 109 në 2008-tën).

Në përgjithësi, 96% e fatkeqësive në punë të të huajve verifikohet në industri e shërbime, e veçanërisht në ndërtim ku numërohen rreth 20 mijë denoncime fatkeqësish, pra 13,7% e të gjitha fatkeqësive në punë që prekin të huajt. Ky sektor karakterizohet nga rrezikshmëri e lartë, dhe si i tillë mban vendin e parë edhe si sektori me më shumë vdekje të bardha, plot 43 gjatë vitit 2008.

Në sektorë të ndryshëm, përqindja e fatkeqësive që prekin emigrantë kundrejt numrit të përgjithshëm të fatkeqësive është pasqyrë e peshës së emigrantëve mes të punësuarve të atij sektori. Kështu 72% e fatkeqësive në punë të bashkëpunëtorëve familjarë prek një emigrant, e në të shumtën e rasteve, grua. Domethënëse është prania e emigrantëve në sektorë të ndryshëm të manifakturës, ku edhe përqindja e atyre që pësojnë fatkeqësi në punë është e lartë. Në përpunimin e lëkurës dhe në industrinë metalurgjike 26% e fatkeqësive prekin të huaj, në industrinë e gomës dhe të plastikës 23%, në ndërtim 22%.

Edhe për vitin 2008 vërehet që raporti mes fatkeqësive të denoncuara dhe punonjësve të siguruar në INAIL është më i lartë për të huaj se sa për italianë: 44 raste fatkeqësish në 1.000 të punësuar kundrejt 39 rasteve për 1.000 të punësuar italianë. Arsyet janë mëse të qarta: emigrantët punësohen në sektorët me rrezikshmëri më të lartë ku mbizotëron veprimtaria manuale, ata janë të gatshëm të punojnë me turne më të gjata e për rrjedhojë më të lodhshme, dhe emigrantët jo gjithnjë kanë formimin profesional të duhur për punën që kryejnë.

Shqiptarët janë ata që bashkë me marokenët dhe rumunët pësojnë më shumë fatkeqësi në punë. Këto tri kombësi së bashku preken nga 37% e fatkeqësive në punë të huajve, madje po të shihen rastet e vdekjeve të bardha, kjo përqindje arrin në 49, pra rreth gjysma e vdekjeve të bardha në punë të emigrantëve gjatë vitit 2008 ka pasur si viktimë një rumun, një shqiptar ose një maroken. Në veçanti, Shqipëria rezulton e treta në rendite e fatkeqësive në punë të të huajve dhe e dyta në atë të vdekjeve të bardha.

 

3.266.395 janë punonjësit e huaj të siguruar pranë INAIL-it, në vitin 2008. Nga këta janë shqiptarë 256.053 vetë, dhe renditen pas rumunëve që numërojnë  rreth 718 mijë vetë të siguruar.

143.561 fatkeqësitë në punë ku janë përfshirë punonjës të huaj, të denoncuara në INAIL gjatë vitit 2008.

176 të huajt që kanë humbur jetën në një aksident në punë vetëm gjatë vitit të shkuar.

14.746 fatkeqësitë në punë ku janë përfshirë  shqiptarë.

21 numri i shqiptarëve që kanë humbur jetën në vendin e punës në vitin 2008.

K. Biçoku

Bota shqiptare 225 – 1 dhjetor 2009

Henri Ibi, shqiptari mes 25 nxënësve më të mirë në Itali

Lindita Hisku, sopranoja mes teatrit dhe sociales