in

Kurs i ri formimi e italishteje në Shqipëri, për t’u punësuar në Itali

Prezantohet në Tiranë faza e dytë e projektit pilot për formimin profesional dhe gjuhësor të shqiptarëve që dëshirojnë të punojnë në Itali. Ministria e Punës e Shqipërisë dhe ajo e Italisë shpallin çeljen e regjistrimit për 190 kandidatë, që me përfundimin me sukses të kursit fitojnë të drejtën e ardhjes në Itali për punë jo-sezonale edhe në mungesë të Dekreteve të Flukseve

Tiranë, 4 tetor 2012 – Bazuar në marrëveshjen mes ministrive të punës shqiptare e italiane për punësimin e rregullt të shqiptarëve në Itali do të çelen sërish kurset e formimit profesional dhe të gjuhës italiane, këtë radhë për 190 shtetas shqiptarë, kurse që do t’u hapin atyre një korsi preferenciale ardhjeje për punë.

Në një konferencë të përbashkët në Tiranë, në selinë e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta mes ministrit Spiro Ksera dhe ambasadorit italian Massimo Gaiani u shpall sot çelja e fazës së dytë të aplikimeve të shqiptarëve që dëshirojnë të punësohen në Itali.

Faza e parë e projektit, e çelur në mars të këtij viti dhe e mbyllur më 30 qershor, pati këto rezultate: nga 255 shqiptarë që morën pjesë në kurset e formimit profesional dhe atij të gjuhës, 216 morën diplomën e kurseve që u lejon të përfitojnë nga kuota të privilegjuara hyrjesh në Itali jashtë flukseve nëse ka punëdhënës që paraqesin kërkesë punësimi për ta. Madje për disa prej tyre janë paraqitur kërkesat për  autorizim punësimi.

Në fazën e dytë do të përzgjidhen 190 persona. Të interesuarit duhet t’u drejtohen Sporteleve të Migracionit pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në qendrat e tyre të banimit. Regjistrimet bëhen në periudhën 5-24 tetor 2012.

Kriteret e pranimit për aplikantët janë: të kenë mbushur moshën madhore, të mos jenë dënuar e të mos kenë në ngarkim procedime penale, të mos jenë subjekt i një gjendjeje juridike që t’u pengojë lëshimin e vizës italiane për arsye punësimi.

Aplikantët duhet të jenë të interesuar të punojnë në profesione e përcaktuara në Thirrje: punues metalesh (Programues/Përgatitës makinerish me Kontroll Numerik të Kompjuterizuar, Saldatorë, Montatorë mekanikë, Operatorë makinerish me Kontroll Numerik të Kompjuterizuar, Elektricistë); shërbime për ndërmarrjet (Pastrues në industri); sekretari e përgjithshme/tregtare dhe marangozë, montatorë stendash, për të cilat të përzgjedhurit do të marrin formim profesional.

Është mirë të mbahet parasysh se ata që do të përfundojnë me sukses formimin fitojnë të drejtën e përparësisë që u lejon të hyjnë për të punuar në Itali në çdo moment që një punëdhënës kërkon profilin e tyre profesional. Bëhet fjalë për kuota të veçanta që u rezervohen vetëm atyre që gëzojnë këtë të drejtë përparësie. Kjo e drejtë bën të mundur marrjen e një vize për arsye punësimi thjesht pas një kërkese nga një punëdhënës në Itali. Në mungesë të Dekreteve të Flukseve kjo përbën, sot për sot, mënyrën e vetme për të hyrë në Itali si i punësuar jo-sezonal.

 

 

Sanatoria. Interpretim i zgjeruar mbi dëshminë e pranisë në Itali

Lecce. Dhjetë vjet burg 38-vjeçarit për dhunë seksuale në familje