in

Sanatoria. Interpretim i zgjeruar mbi dëshminë e pranisë në Itali

Do të pranohen për të dëshmuar praninë në Itali edhe skedat telefonike, teserat e mjeteve publike dhe dokumente të tjera të lëshuara nga privatët që ofrojnë shërbime publike”. Avokatura e Shtetit përkrah linjën e Riccardit duke u dhënë një mundësi më shumë punonjësve të huaj

Romë, 4 tetor 2012 – Certifikata mjekësore dhe gjoba, natyrisht, por edhe skeda telefonike, tesera të abonimeve të transportit urban apo dëshmi të lëshuara nga qendra pritjesh apo spitalore. Zgjatet, dhe shumë, lista e dokumenteve me të cilat mund të dëshmohet prania në Itali nga 31 dhjetori 2011, e domosdoshme për sanatoren.

Vonë, tepër vonë (por më mirë vonë se kurrë), sqarimi mbërriti. E për fat të mirë fiton linja e Riccardit, interpretimi i zgjeruar i “organizmit publik” i kërkuar me forcë nga ministri i Integrimit që deri më sot duhet të bënte llogaritë qëndrimin e mbyllur të ministrisë së Punës dhe asaj të Brendshme.

Opinioni i është shprehur Qeverisë nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit (organi i konsulencës juridike të shtetit). Dhe është pikërisht ky sqarim që mund t’u japë një hov të ri kërkesave të sanatores në këto pak ditë që kanë mbetur deri më 15 tetor.

Para së gjithash, Avokatura e Shtetit shtron pyetjen: Kush janë përfituesit e kësaj sanatoreje? “Të huajt, kryesisht me qëndrim të parregullt në Itali dhe që për këtë arsye e kanë të vështirë të kenë kontakte e për rrjedhojë të kenë dokumente të lëshuara nga një administratë apo ent publik” lexohet në interpretimin e Avokaturës. Edhe vetëm kjo frazë ka shijen e një kritike jo aq të fshehur ndaj qeverisë që ka zgjedhur që prania e klandestinit në Itali të certifikohet nga një “organizëm publik”.

Pas këtij parashtrimi mbërrin edhe interpretimi i termit “organizëm publik”. Avokatura shkruan: “Arsyeja themelore e adoptimit të një termi të gjerë si “organizëm publik” është pikërisht mundësia e përfshirjes në këtë term e subjekteve publike, private, apo komunale që institucionalisht apo për delegim kryejnë funksion publik apo ofrojnë shërbim publik”.

Në këtë pikë është shumë interesante lista e shembujve të dokumenteve që mund të konsiderohen të vlefshme. Sepse përfshihet “certifikata mjekësore që lëshohet nga struktura publike”, apo “certifikata e regjistrimit në shkollë të bijve të punonjësit”, por edhe “teserat emërore të mjeteve të transportit publik; certifikatat e lëshuara nga forcat e rendit e publike si sanksione rrugore, administrative, gjoba të ndryshme etj.; skedat tëlefonike të operatorëve italianë (si për shembull, Tim, Vodafone, Wind, Tre); qendrat e pritjes apo ato të shtrimit të autorizuara apo edhe fetare”.

Disa prej këtyre dokumenteve nuk vijnë nga administrata publike, por, vëren Avokatura e Shtetit, lëshohen gjithsesi nga “subjekte që japin shërbime dhe/ose lidhin marrëdhënie me karakter publik, dhe kjo pavarësisht statusit të parregullsisë së qytetarit që kanë përballë”. Të japësh një interpretim të ndryshëm nga i mësipërmi, vëren Avokatura, “do të thotë të shkosh kundër vullnetit të legjislatorit”.

Në të njëjtin opinion jepen edhe dy sqarime mbi provat e dhëna para 31 dhjetorit 2011 nga autoritete publike joitaliane: vula Schengen e një vendi tjetër e vënë në pasaportën e punonjësit (është rasti i atyre që kanë kaluar në një vend tjerët europian para se të vijnë në Itali) dhe dokumentet e lëshuara nga përfaqësitë diplomatike apo konsullore në Itali.

Në rastin e parë, vula në vetvete nuk vlen. Në fakt ajo “mund të dëshmojë vetëm praninë e të huajit në atë datë në territorin Schengen por jo praninë e tij në territorin italian”. Ndaj ajo duhet shoqëruar nga tjetër dokument i lëshuar nga një prej “organizmave publikë”, gjithnjë sipas interpretimit të gjerë të dhënë më sipër.

Ndërsa për dokumentet e konsullatave, ato pranohen. “Në fakt është fjala për dokumentacion që vjen sidoqoftë nga një Autoritet publik, edhe pse jo italian, i lëshuar ama në territorin e Italisë dhe kjo nuk mund të bëjë tjetër veçse të dëshmojë praninë e të huajit në territorin italian”.

Elvio Pasca

Opinioni i Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit

Diritto di voto agli immigrati. L’Italia dice sì, ma solo a Strasburgo

Kurs i ri formimi e italishteje në Shqipëri, për t’u punësuar në Itali