Pandeli Majko, ministri që do të ketë “në ngarkim” fatet e shqiptarëve në emigracion, lindi më 15 nëntor 1967 në Tiranë. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Tiranës në vitet 1986-1992. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitet 1994-2000.
Karriera e pasur politike e Pandeli Majkos nisi si Kryetar FRESSH në vitet 1992-1995. Ka mbajtur dy herë postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Ka qenë dy herë ministër i Mbrojtjes në qeveritë socialiste. Si ministër Mbrojtjeje, e kujtojnë në Itali për një ide të tij paksa të çuditshme: në vitin 2002, në një takim me homologun italian, Martino, propozoi ndërtimin e një tyneli nënujor në Adriatik për të lidhur Shqipërinë me Italinë.
Karriera e tij politike arriti ulmin në vitet 1998-1999 kur në moshën 31-vjeçare u bë Kryeministër i Shqipërisë.
Postin e Kryeministrit e ka mbajtur për 8 muaj edhe në vitin 2002.
Ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për hartimin e Kushtetutës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1997 – 1998. Ai deri tani ka qenë kryetar i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Se ç’do të bëjë për shqiptarët jashtë Shqipërisë, akoma është herët të thuhet me saktësi, pa pasur njohuri akoma as mbi programin e as mbi objektivat e ministrit. Në pritje, i urojmë punë të mbarë.