Protesta e 21 janarit na ktheu prapa në kohë. Na kujtoi 1997-tën apo 1998-tën. Ngjarjet e skandalet e fundit, mosreagimi i qeverisë ndaj tyre nga njëra anë dhe ashpërsimi i gjuhës së opozitës nga ana tjetër nuk linin të shpresohej ndonjë gjë e mirë. E megjithatë kurrsesi nuk mund të mendohej se do të ndodhte ajo që ndodhi. Tre të vrarë, një tjetër në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën dhe dhjetëra të plagosur. Dy nga vrasjet i pamë e i ripamë me dhjetëra herë në tv dhe web. Dhe ajo çka shihet është që qëllohen nga forcat e ruajtjes së rendit. Njëri – quhej Hekuran Deda nga Dibra – duket një soditës i situatës mes disa të tjerëve i hipur mbi një podium të sajuar nga operatorët e televizioneve. Tjetri, Ziver Veizi nga Gjirokastra, një kalimtar i rastit. Që të dy,as të armatosur dhe as brenda kangjellave rrethuese të kryeministrisë.
E megjithatë edhe filmimi i rastësishëm i dy vdekjeve nga operatorë të televizioneve nuk mjaftoi për të rënë të gjithë dakord mbi ata që shtinë, natyrisht pa arritur në përfundime që i takojnë gjykatës.
Përkundrazi, po bëhemi dëshmitarë të asaj çka po ndodh rëndom në Shqipëri: palët politike akuzojnë njëra tjetrën, tensionojnë edhe më situatën tashmë të nderë dhe i fryjnë zjarrit të hakmarrjes.
Nga njëra anë Sali Berisha e eksponentë të tjerë të mazhorancës akuzojnë Edi Ramën si vrasës që u mori jetën tre personave. Sokol Olldashi, as pak orë nga vrasjet, ende pa dalë videot, pohonte i indinjuar se të vrarët ishin qëlluar nga shumë afër pra nga pjesëtarë të tjerë të turmës, Berisha vetë thoshte se të vrarët ishin goditur me plumba që nuk përdoren nga policia. Por edhe pasi videot u shfaqën me dhjetëra herë, avazi vazhdoi por ndryshuan fjalët: turmën e shtyu Edi Rama drejt marrjes me dhunë të institucioneve dhe policët dhe ushtarët e gardës i mbrojtën ato, madje menjëherë e si për inat edhe të prokurorisë që u fol se ka lëshuar 6 urdhër arreste për po aq gardistë, u deklarua se të gjithë efektivët e thirrur atë ditë do të shpërblehen me rroga shtesë.
Nga ana tjetër Edi Rama dhe aleatët e tij, që edhe pse organizuan ata protestën nuk morën pjesë në të, tani qajnë të vdekurit, akuzojnë Berishën që paska vjedhur votat jo vetëm për të vjedhur shqiptarët por edhe për t’i vrarë ata. Paralajmërojnë përshkallëzim të protestave edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Ndërkaq, ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë arritur në konkluzionin se tre të vrarët janë qëlluar me armë zjarri të kalibrit 9 mm. Të tre viktimat janë vrarë nga armë zjarri në vende të ndryshme në një afat të ngushtë kohor mes tyre. I pari që është qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Hekuran Deda nga Dibra, i cili ndodhej rreth 10 metra nga porta hyrëse e kryeministrisë, hipur në dy tavolina të vendosura nga televizionet private për të pasqyruar demonstratën. Deda është qëlluar në anën e majtë të kokës, mes veshit dhe ballit, duke i shkaktuar një plagë vdekjeprurëse. Plumbi që ka qëlluar Dedën, ka goditur edhe një gazetar të televizionit ABC duke i shkaktuar plagosjen në dorë. Viktima Deda, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore ka gjetur vdekjen nga një plumb i kalibrit 9 mm.
Më pas, vetëm pak sekonda nga vrasja e Dedës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Ziver Veizi nga Gjirokastra, i cili ndodhej rreth tre metra nga porta hyrëse e kryeministrisë në bulevard. Veizi ka marrë një plumb, gjithnjë të kalibrit 9 mm në kraharor, në anën e djathtë ballore.
Vetëm pak minuta nga këto dy vrasje, është qëlluar shtetasi Faik Myrtaj. Sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, vrasja e Myrtajt, është bërë nga një plumb i vetëm që e ka goditur në shpatullën e djathtë duke përshkruar hyrjen me një pjerrtësi të vogël. Edhe plumbi që ka qëlluar Myrtajn është i kalibri 9 mm.
Sipas prokurorisë, në vendin e ngjarjes, dhe në oborrin e kryeministrisë janë gjetur një sasi e madhe gëzhojash të të njëjtit kalibër 9 mm, të cilat janë shkrehur nga armët e efektivëve të Gardës së Republikës të tipit MP5 të prodhimit turk. Sipas prokurorisë, predhat e gjetura në trupin e të vrarëve, janë të armëve të kalibrit të njëjtë që efektivët e Gardës kanë në përdorim.
Fakti është që këta tre persona ishin e nuk janë më. Nuk dimë të themi gjë për Faik Myrtajn e gjorë, por për dy të tjerët nuk mund të thuhet se po mësynin kryeministrinë ndaj gjetën vdekjen, as që sulmuan të armatosur institucionet ndaj u vranë nga ushtarët apo forcat e ruajtjes së rendit që populli vetë paguan për të mbrojtur shtetin dhe ne të gjithëve. Pse kishin dalë në shesh? Ishin të pakënaqur nga qeveria? Ishin të skandalizuar nga videoja e Metës me Priftin? Ishin të mërzitur për vjedhjen e votës? Ishin fukarenj dhe pranuan të dilnin në shesh kundrejt një pagese? Këto nuk i dimë. Dhe për sa kohë në Shqipëri flet Berisha për t’iu kundërvënë Edvin Kristaq Ramës, dhe Rama për t’iu kundërvënë Berishës, ka pak shpresë të mësojmë ndonjë të vërtetë.
Me gjithë thirrjet e shumta për ulje të toneve nga ambasadori amerikan që aq shumë e citojnë në Shqipëri, nga eksponentë të BE-së drejt të cilës qeveria thotë e bindur se po çon vendin, nuk ka gjasa që një gjë e tillë të ndodhë. Përkundrazi.
I fryhet zjarrit: opozita premton përshkallëzim të protestës, kërkon dorëheqjen e qeverisë vrasëse, ndërsa Berisha thërret njerëzit në kundër-protestë për të mërkurën; prokuroria lëshon urdhër-arreste për 6 drejtues të Gardës, ato jo vetëm nuk ekzekutohen, por Berisha deklaron se do të shpërblejë të gjithë ushtarët e policët. Madje të dielën sulmon institucionin e pavarur të Prokurorisë së përgjithshme dhe vetë Ina Ramën që sipas tij nuk po hap dosjet e ish qeveritarëve socialistë.
Ç’do të ndodhë nesër nuk e dimë. Shpresojmë të zgjohemi nga kjo ëndërr e keqe ku kemi rënë, sa më shpejt. Shpresojmë që drejtësia shqiptare, qoftë edhe me ndihmën e ekspertëve të huaj, të arrijë të zbardhë të vërtetën sa më shpejt. Shpresojmë që populli të jetë tronditur aq, sa kur të shkojë të hedhë votën herën më të parë, ta mendojë mirë kujt t’ia japë të vetmen gjë që ka në dorë për t’i siguruar vetes demokracinë e aq përfolur, sidomos këto ditët e fundit.
Keti Biçoku