Sot, më 9 shtator, ora 18.00 mblidhet për të parën herë (më në fund) Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Dita e sotme shënon dhe hapjen zyrtare të punimeve të legjislaturës XVIII parlamentare.
Sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Ligji themeltar i shtetit sanksionon (neni 67), se Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati.
Rregullorja parlamentare përcakton procedurat që ndiqen në mbledhjen e parë të legjislaturës së re të Kuvendit. Sipas saj, seanca hapëse drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat.
Më pas, ndiqet procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit.
Ky Komision, pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese.
Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend.
Më pas punimet e seancës hapëse të legjislaturës së re pasohen me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Sipas marrëveshjeve verore PS-LSI, kryetari i ardhshëm i Kuvendit do të jetë Ilir Meta.
Në Kuvendin e ri pritet të funksionojnë tre grupe parlamentare, përkatësisht grupi parlamentar i Partisë Socialiste, grupi i Partisë Demokratike dhe grupi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa janë të përfaqësuara me deputetë 9 parti.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit u shpall fitues koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” i udhëhequr nga Partia Socialiste, i cili mundi të sigurojë 83 deputetë, ndërsa koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” me 57 deputetë.
Kuvendi në shifra
Ja disa të dhëna për parlamentin e ri shqiptar të katër viteve në vazhdim:
Nga 140 deputetë të parlamentit 83 i takojnë maxhorancës dhe 57 opozitës. Mëse gjysma e deputetëve ulen për herë të parë në sallën e kuvendit.
Nga 67 parti që konkuruan në zgjedhjet e 23 qershorit vetëm 9 prej tyre do të përfaqësohen në Kuvend: PD, PS, LSI, PDIU, PR, PDK, PBDNJ, LZHK dhe PPKD. Ndërsa në vitin 2009 vetëm 6 parti u përfaqësuan në parlament.
Nga 9 shtatori përbërja partiake e Kuvendit do të jetë:
1. Partia Socialiste – 65 deputetë;
2. Partia Demokratike – 46 deputetë;
3. Lëvizja Socialiste për Integrim – 16 deputetë;
4. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet – 5 deputetë;
5. Partia Republikane – 4 deputetë;
6. Partia Demokristiane – 1 deputet;
7. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar – 1 deputet;
8. Partia Kristian Demokrate Shqiptare – 1 deputet;
9. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut – 1 deputet.